Ambasada e Kosovës në Slloveni shënoi dhjetëvjetorin e pavarësisë

Diaspora

Ambasada e Kosovës në Slloveni shënoi dhjetëvjetorin e pavarësisë

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 15:45
Ambasadori Nexhmi Rexhepi mbanë fjalën hyrëse

Me një koncert klasik muzikor ku preformoi sopranoja kosovare Flaka Goranci dhe me hapjen e një ekspozite të fotografive të autorëve nga Kosova të përzgjedhura ndër vite si më të suksesshmet, e përgatitur nën përkujdesjen e piktorit Gani Llalloshi, Ambasada e Kosovës në Slloveni ka shënuar mbrëmë dhjetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në pritjen e organizuar merrnin pjesë qindra mysafirë të ftuar, zyrtarë të lartë të shtetit slloven ndër të cilët sekretari i shtetit në MPJ, z.Andrej Logar, europarlamentari dhe ish-kryeministri slloven Lojze Petrle, deputetë të Kuvendit të Sllovenisë nga grupi i miqësisë me Kosovën, ambasadorë dhe anëtarë të akredituar të korit diplomatik në Slloveni dhe shumë kosovarë që jetojnë e punëojnë në këtë vend. I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ministri i shëndetësisë i Republikës së Kosovës, z.Uran Ismaili me bashkëpunëtorë i cili po qëndron këtu në një vizitë bilaterale.

Duke përshëndetur të pranishmit ambasadori Nexhmi Rexhepi tha se ky dhjetëvjetor është rast i mirë për të bërë një vlerësim substancial të të arriturave të vendit tonë. Ai u përkujtoi të pranishmëve se shteti i Kosovës është i ndërtuar mbi sakrificat e shumta shekullore për liri dhe pavarësi të popullit tone. Por ne sonte duam të flasim më shumë për të sotmen, tha ambasadori Rexhepi, dhe u përkujtoi të pranishmëve se ne tash po ndërtojmë një Kosovë të re mbi këto sakrifica edhe njerëzore por edhe materiale. Një shtet i cili është shtëpi e të gjithë qytetarëve, i përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet ndaj vetvehtes, rajonit dhe më gjërë. Ai tha se ne e kemi bërë të qartë që jemi të gatshëm të falim, mirëpo jo të harrojmë. Fëmijët tanë duhet ta dijnë se me çfarë kemi kaluar ne. Është e domosdoshme të dihet për kohën tonë dhe për të ardhmen – kush ishte viktima dhe kush agresori. Populli i Kosovës do të mbetet gjithmonë falenderues ndaj të gjitha shteteve të cilat kanë bërë përpjekje bashkarisht ta ndalin këtë pastrim etnik dhe shkatërrim total të vendit tonë.

Image
Prezentim i suksesshëm i sopranes Flaka Goranci në manifestimin e mbrëmshëm i cili u përcoll me interesim nga të pranishmit

Duke shtruar pyetjen se ku gjendet sot Republika e Kosovës, ambasadori Rexhepi tha se Republika e Kosovës tashmë e dhjetë vite është duke e konsoliduar demokracinë e brendshme dhe shtetbërjen e saj në arenën ndërkombëtare. Deri në këtë datë Republika e Kosovës njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga 115 shtete nga mbarë globi. Kosova tashmë është anëtare e barabartë e shumë organizatave ndërkombëetare e rajonale, procesi i tranzicionit ekonomik është duke vazhduar me një ekonomi e cila po vuan të kosolidohet plotësisht por që po punon në thithjen sa më shumë të investimeve të jashtme. Ambasadori Rexhepi po ashtu tha se anëtarësimi i plotë i Kosovës në BE dhe NATO janë qëllimet kryesore të politikës sonë të jashtme si dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore. Për ne asnjë alternativë tjetër nuk ekziston. E ardhmja jonë euroatlantike është dëshira dhe vullneti i qytetarëve tanë. Kosova ka nënshkruar marrëveshjen për stabilizim dhe asociim me BE-në, gjë e cila shënon hapin e parë kontraktual në procesin e pakthyeshëm drejt integrimit në BE. Kosova beson se prezantimi i fundit i Strategjisë së BE-së për zgjërim do të reflekton mundësi të barabarta duke qartësuar  përspektivën e BE-së për ne, e po ashtu edhe për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në rastin tonë ne nuk e kemi parë ende qartësinë e cila pritet të shihet, dhe shpresojmë që gjuha e strategjisë të qartësohet edhe më shumë. 

Image
Ekspozita e hapur në manifestimin për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës mbrëmë në Lublanë

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Slloveni, ambasadori Rexhepi përkujtoi se këto dy vende ndajnë histori të përbashkët të së kaluarës dhe çka është më e rëndësishme kanë qëllime të njejta për të ardhmën. Mbit ë gjitha këto dy vende i lidhë edhe një numër i madh i diasporës kosovare e cila jeton dhe vepron në Slloveni. Kosova i është përgjithmonë mirënjohëse Sllovenisë dhe popullit slloven për mbështetjen e vazhdueshme përgjatë të gjitha proceseve në të cilat ka kaluar Kosova, tha ambasadori Rexhepi.

Manifestimin e mbrëmshëm e përshëndeti me një fjalë rasti edhe z. Andrej Logar, Sekretar i Shtetit në MPJ të Sllovenisë i cili duke uruar për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës tha se vendi i tij do vazhdoj të kultivoj marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë ndërmjet dy vendeve të cilat datojnë që heret. Ai tha se Kosova dhe Sllovenia kanë interesa t njejta për paqe, fqinjësi të mirë dhe zhvillim në rajon dhe siguroi se vendi i tij do jetë gjithmonë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe në BE. Ai po ashtu nënvizoi se Kosova duhet të vazhdoi punën në zbatimin e reformave të brendshme, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të detyrimeve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat