Erdha në Amerikë në kërkim të identitetit të ri

Diaspora

Erdha në Amerikë në kërkim të identitetit të ri

Nga: Intervistoi ELIDA BUÇPAPAJ Më: 13 korrik 2010 Në ora: 14:43

Bota sot: Zonja Dajçi ju si një veprimtare e njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë pranë komunitetit shqiptar të SHBA, si do ta vlerësonit gjendjen e komunitetit shqiptar këtu?

Mimoza Dajçi – Në radhë të parë ju falenderoj edhe Juve për interesimin që treguat për zhvillimin e kësaj bisede, si dhe dua t’ju uroj 15 vjetorin e themelimit të gazetës "Bota Sot", ku Ju me punën tuaj të palodhur e të përkushtuar, si njerëz të penës e gazetarisë shqiptare i dhatë një frymë të re e bashkëkohore lajmit shqip, gjë që do të thotë se jehona e punës tuaj sensibilizoi botën mbarë për çështjen shqiptare e në veçanti atë të Kosovës, e cila më në fund fitoi Pavarësinë. E me këtë rast edhe Ju keni meritën tuaj të veçantë.

Komuniteti shqiptar në SHBA është teper aktiv e i ndjeshëm ndaj situatës social - politike, e ekonomike në vend duke përfshirë edhe trojet etnike të tij. Edhe pse si preokupim parësor është punësimi i tyre për të mbajtur ekonominë e familjes në një atdhe të dytë, përsëri për asnjë çast nuk e shkëpusin dot vëmendjen nga rrënjët e atdheut ku u lindën e kaluan moshën e tyre më të bukur - rininë.

Veprimtaritë social - kulturore këtu janë të shumta e të larmishme duke filluar me festivale, koncerte të ndryshme artistike, promovime librash, ndihma humanitare për atdheun në rast fatkeqësie siç ishte edhe rasti më i fundit kur Federata Panshqiptare "Vatra" dhe Kisha Katolike "Zoja e Shkodrës" në New York sensibilizuan diasporën për mbledhje fondesh, e një shumë e konsiderueshme në të holla u dërgua në atdhe për familjet e përmbytura me ujë në veri të vendit.

Ndërsa përsa i përket veprimtarisë sime këtu, do të thoja se nuk erdhi në mënyrë spontane, por si vazhdë e përkushtimit e angazhimeve të mia në Shqipëri për demokracinë e mbrojtjen e vlerave të saj, duke bashkëpunuar ngushtë me Shtresën e ish të Përndjekurve Politikë dhe Partinë Demokratike.

Bota sot: Me syrin e një veprimtareje, si është i organizuar komuniteti shqiptaro-amerikan këtu dhe e është ky organizim në një nivel të kënaqshëm?

Mimoza Dajçi - Në këndvështrimin tim do të thoja se është një komunitet që ka një drejtim të mirë organizimi, ku nuk mungon edhe pjesëmarja e rinisë në veprimtari të ndryshme si ato me karakter social e kulturor, por edhe përsa i përket aspektit shëndetësor ku shumë mjekë të rinj të cilët kanë kryer studimet në SHBA e punojnë nëpër spitale të ndryshme herë pas here zhvillojnë takime me diasporën në mbrojtje të shëndetit të tyre. Takime këto që kanë dhënë efektet e tyre pozitive, e këtu vlen për t'u përmendur emrat e mjekëve Sulejman Çela e Evia Nano.

Kohët e fundit është menduar e po punohet për t'u hapur një qendër e përbashkët e komunitetit tonë siç e kanë edhe komunitet e tjera, që do të shërbejë për situatën reale të shqiptarëve, duke i orientuar ata në marjen e dokumentave, punësimin, shkollimin e strehimin. Por ky projekt i përket akoma perspektivës. Një nga Organizatat që ka një kontribut të madh e të pamohueshëm në çështjen kombëtare është edhe Federata Panshqiptare "Vatra" drejtuar për disa vite me përkushtim nga i nderuari Z. Agim Karagjozi, i cili gëzon respekt të veçantë në komunitet edhe pas largimit të tij nga kjo detyrë shoqërore. Do të thoja se qëndrimi dhe puna e tij e palodhur si Kryetar i "Vatrës" është për t'u admiruar e vlerësuar shumë, pasi ka mbajtur gjallë frymën e patriotizmit, atdhetarizmit e traditave të mirënjohura shqiptare. Edhe sot kur në drejtim të "Vatrës" është caktuar Dr. Gjon Buçaj ndihet përsëri ajo frymë e mirë bashkëpunimi mes shoqatave të ndryshme në diasporë si dhe strukturave të gruas e rinisë, ku herë pas here mbahen veprimtari të ndryshme humanitare, kulturore e patriotike. Disa prej tyre janë promovimi i librit "Nënës" dhe përkujtimi që iu kushtua figurës heroike e disidentes së kombit tonë Musine Kokalari, si edhe promovimi i librit të Leka Tasit "Grabiani rrezë kodrave", libër i cili flet mbi genocidin e egër komunist jo vetëm mbi familjen Tasi ku dënim politk me burgosje e internim pësoi edhe motra e tij Tefta Tasi, por edhe mbi genocidin çnjerëzor që është ushtruar mbi popullin tonë për afro gjysëm shekulli. Libri i Lekë Tasit për sa i përket vlerave të tij të larta historike e letrare po vlerësohet pas librit të At Zef Pllumbit "Rrno për me tregue". Pra në qendër të vëmendjes e në frymë demokratike "Vatra" ka denoncimin e krimeve të hidhura të diktaturës komuniste në Shqipëri nga regjimi totalitar dhe evidentimin e këtyre figurave që dhanë jetën për demokraci e drejtësi kombëtare. Janë zhvilluar edhe veprimtari kushtuar genocidit në Kosovë nga makineria serbe. Trevat e tjera të vendit nuk janë anashkaluar nga Vatra, por është ndalur në mënyrë të kujdesshme në çdo moment e në çdo situatë.

Duke u kthyer përsëri tek çështja e Kosovës si protagoniste kryesore në këto takime do të citoja figurat e njohura të komunitetit humanisten e trimëreshën Rita Saliu e cila në kohë lufte ka hyre tre herë në Kosovë, veprimtaren e palodhur e patrioten Shqipe Biba, ndërsa si emra veprimtaresh me kontribut në diasporë do të përmendja Zonjat Merita Shkupi, Merita Halili, Vera Gjata, Tringa Gojçaj, Dardanesha Gashi, Kozeta Zylo, Angjelina Nika, Elmira Gjoni, Rozi Theohari, Ilriana Sulkuqi, Merita Bajraktari McCormack, Aida Dismondy, Elza Zagreda, Makbule Bollati, Beti Bollati, Blerta Aliko, Dita Dauti Heilman, Teuta Shabani Towler, Arbërie Hetemi etj.

Edhe Kisha Katolike "Zoja e Shkodrës" në New York nëpërmjet festivaleve që organizon çdo vit me të rinjtë artistë të komunitetit tregon përpjekjet që ndërmer për identifkimin dhe prezantimin e artistëve tanë të folklorit në diasporë si dhe të mbajë të bashkuar komunitetin pa dallim feje apo krahine. Këto festivale ruajnë traditat muzikore e folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato do të vazhdojnë edhe në brezat e ardhshëm. Meritë të veçantë për këtë kanë i Përndershmi Dom Pjeter Popaj, Mark Shkreli, Tonin Mirakaj, Gjon Çotaj, Fran Çotaj, Ludvik Çotaj, Astrit Tota, gazetari, Klajd Kapinova, orkestrantët Edi Xhani e Ilir Dangllia, artistët Gëzim Nika, Kreshnik Zhabjaku, Luan Bexheti, Elza Zagreda, Aurela Gace, Hajro Cekaj etj, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat