Vlerat shqiptare nëpër botë, bashkë për zhvillimin e kombit

Diaspora

Vlerat shqiptare nëpër botë, bashkë për zhvillimin e kombit

Më: 20 nëntor 2016 Në ora: 02:42
Samiti i Diasporës

Diaspora shqiptare, historike dhe e re, përbën një rast unik, pasi krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, në trojet etnike, ajo është ndër më të mëdhatë në botë.

Si një vend me emigracion të zhvilluar prej më shumë se një shekulli, edhe shtrirja gjeografike e diasporës shqiptare kap thuajse të gjitha kontinentet e banuara. Edhe pse nuk ka një shifër të saktë, në total ajo numëron disa milionë persona, të përqendruar kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë etj.

Pikërisht nisur nga këto fakte, Samiti i Diasporës shqiptare, që po zhvillohet për herë të parë në Tiranë (18-20 nëntor), mund të cilësohet ndër nismat më të rëndësishme që synon vendosjen e urave të bashkëpunimit me shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Rreth 800 shqiptarë, intelektualë e sipërmarrës të suksesshëm jashtë vendit, nga 40 vende nga të gjitha kontinentet u mblodhën në këtë samit të iniciuar nga Kryeministri Edi Rama.

Në çelje të këtij samiti (18 nëntor), duke ftuar diasporën shqiptare të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë, Kryeministri Rama tha se “ajo është në fakt një shkollë e vërtetë jete”. Rama konsideroi parësore regjistrimin e çdokujt që flet shqip si dhe sanksionimin e së drejtës të votës për ta.

I ftuar në këtë samit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nënvizoi se diaspora është edhe burim i stabilitetit ekonomik, ndërsa shprehu besimin se samiti i ardhshëm i Diasporës të mbahet në Prishtinë.

Punimet e ditës së dytë të Samitit të Diasporës (19 Nëntor) u përqendruan në mundësitë konkrete që u ofrohen emigrantëve për më shumë lidhje me Shqipërinë.

Image

Në një nga panelet, Mark Gjonaj, anëtar i asamblesë së demokratëve në Nju Jork, apeloi për më shumë bashkëpunim ndërmjet shoqatave të shqiptarëve jashtë vendit dhe për këtë mund të ketë kontribut edhe shteti shqiptar. Gjonaj u shpreh po ashtu për krijimin e një axhende kombëtare, si piketë mbi të cilën mund të veprojë diaspora.

Një tjetër panel në kuadër të samitit ngriti domosdoshmërinë e përfshirjes së diasporës shqiptare në zhvillimet politiko-shoqërore në Shqipëri. Dhe për ta bërë këtë, sipas panelistëve nevojitet që vetë diaspora të jetë më e strukturuar, më e organizuar, më e lidhur dhe më ndërvepruese.

Roli fondamental i diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të vendit ishte një tjetër aspekt ku u fokusuan punimet e samitit. Sipas Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, diaspora shqiptare në takimin e Tiranës  vlerësohet si një urë informuese e promovuese tek investitorët potenciale në vendet ku ata jetojnë e punojnë.

Në këtë linjë, Lazim Destani, biznesmen i suksesshëm në disa shtete të botës, President Nderi i Unionit Global të Bizneseve Shqiptare në Diasporë tha se “Diaspora është sot një nga pistonët më të fuqishëm dhe me pak kordinim e aktivitete konkrete, shumë kollaj mund të marrë rolin e udhëheqjes ekonomike të atdheut”. “Më pas ajo do të bëhet shembull edhe për investitorët e huaj”, tha ai.

Image

Një hap konkret shumë i nevojshëm do të ishte, sipas Destanit, themelimi i një fondi investimesh, pse jo edhe një banke me kapital të emigrantëve shqiptarë.

Arti dhe kultura si pasaportë unike dhe ndërtimi i një hapësire kulturore të përbashkët për t’i përcjellë trashëgiminë e pasur të kulturës shqiptare brezave që vijnë, ishte një tjetër ide e hedhur në panelet e këtij samiti.

Në ditën e tretë të samitit, pjesëmarrësit do të vizitojnë disa prej institucioneve kryesore në vend, si dhe destinacione historike, kulturore dhe turistike.

Në përfundim për nder të pjesëmarrësve do të mbahet një mbrëmje Gala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat