Mërgimtari që s’ka pranuar pasaportë Luksemburgu: O, isha njëfarë patrioti, e tash...

Diaspora

Mërgimtari që s’ka pranuar pasaportë Luksemburgu: O, isha njëfarë patrioti, e tash...

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 22:57
Pasaporta

Ndonëse ishte krenar për faktin se ka një pasaportë të vendlindjes së tij – pavarësisht se prej vitesh jeton në Luksemburg – shqiptarit nga Kosova më inicialet V. K., i ndodhi diçka për të cilën thotë se fajtorët kryesorë janë në institucionet e Kosovës.

Ai ka sqaruar për Telegrafin se ishte nisur për në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, për një investim biznesi, duke shtuar se “kam marrë informacion se lejohet me shku në këtë Liban edhe pa vizë, veç me pasaportë”.

“Unë kam hyrë në Liban dhe menjëherë as vet nuk e di veç kur më kanë arrestuar. Mënyra se si më kanë arrestua ka qenë e turpshme. Në atë mënyrë vetëm kokat e bandave mafioze lidhen”, ka shtuar V.K.

Sipas tij, zhgënjimi i madh ka ardhur kur pasi që ka kaluar dy orë në shtetin libanez – derisa është marrë në pyetje – ka tentuar që të kontaktojë institucionet e Kosovës, e një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

“I kam thirr më dhjetëra hera në numrat që i ka Ministria e Punëve të Jashtme në dispozicion dhe askush nuk është përgjigjur. Jam zhgënjyer shumë. Sa për institucionet tona, vdes njeriu edhe këtyre as që ju bëhet vonë”, ka theksuar ai.

Më tutje V.K ka sqaruar se i bie pishman që e ka një pasaportë kosovare, derisa ka pasur mundësi që ta pajiset më pasaportë të shtetit në të cilin ai jeton.

“O kam qenë unë njëfarë patrioti, po e pashë që ne nuk kemi as shtet e as kujdes për qytetarin tonë. Kjo është tmerr. Më vjen turp prej këtyre institucioneve”, ka theksuar ai.

Në faqen e Ministrisë (http://www.mfa-ks.net), nuk jepen saktë sqarimet për cilat shtete qytetarët e Kosovës kanë nevojë për viza. Libani nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe si rrjedhojë del se ka kufizime ndaj qytetarëve të Kosovës.

Por, këtë secili nuk mund ta dijë, apo jo?

“Diku në Google e pash që nuk duhet viza. Shteti duhet me mendu me i informu lehtë e saktë qytetarët”, thotë ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat