Vlerësimi më i lartë gjerman për veprimtarinë bamirëse në Fushë-Arrëz

Diaspora

Vlerësimi më i lartë gjerman për veprimtarinë bamirëse në Fushë-Arrëz

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 17:36
Motrat gjermane Gratias Ruf dhe Bernadette Ebenhoch

Motrat gjermane Gratias Ruf dhe Bernadette Ebenhoch janë nderuar për angazhimin e tyre në Shqipëri me Urdhrin e Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë, akorduar nga Presidenti Federal, Joachim Gauck.

Në emër të Presidentit Federal urdhrin ua dorëzoi Ambasadorja Susanne Schütz sot në ambjentet e Ambasadës
Gjermane në Tiranë.

Motra M.Bernadette dhe Motra M. Gratias punojnë që prej vitit 1995 në mënyrë vullnetare në Stacionin e Misionit Katolik në Fushë Arrëz në veri të Shqipërisë dhe angazhohen fort në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve.

Kështu, ndër shumë vite ato kanë organizuar rreth 400 transporte me rreth 15 .000 ton ndihmë materiale si rroba, ushqime dhe medikamente në drejtim të Shqipërisë.

Veçanërisht e rëndësishme për motrat është që fëmijëve dhe të rinjve të këtij rajoni, i cili karakterizohet nga varfëria dhe papunësia e lartë, t’u ofrojnë perspektiva për të ardhmen.

Kështu, përmes ndërmjetësimit të patronazheve të arsimimit ato u kanë mundësuar më shumë se 100 fëmijëve dhe të rinjve të Fushë-Arrëzit frekuentimin e një shkolle vijuese.

“Me angazhimin e tyre të palodhur ato kanë vënë shumëçka në lëvizje, dhe kanë përmirësuar në mënyrë mjaft konkrete jetën e njerëzve në dhe përreth Fushë-Arrëzit. Urdhri i Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë nderon angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm shumëvjeçar në Shqipëri. Unë ju përgëzoj shumë përzemërsisht për këtë vlerësim“, u shpreh Ambasadorja Susanne Schütz gjatë dorëzimit të Urdhrit.

Urdhri i Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë është vlerësimi më i lartë që Gjermania akordon për merita në angazhimin për të mirën e përgjithshme. Me këtë urdhër nderohen personat, të cilët për një periudhë të gjatë kohe dhe përmes një angazhimi të madh personal kanë arritur rezultate të veçanta në fushën politike, ekonomike dhe intelektuale apo në sektorin social, humanitar dhe të veprimtarive bamirëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat