Kryetarja Kusari – Lila debaton me qytetarët e Gjakovës

Gjakova

Kryetarja Kusari – Lila debaton me qytetarët e Gjakovës

Më: 8 korrik 2016 Në ora: 18:09
Mimoza Kusari Lila në debat

Është mbajtur debati i parë publik me qytetarë të organizuar nga komuna e Gjakovës, në të cilin morën pjesë një numër të konsiderueshëm i qytetarëve të kësaj komune.

Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari Lila prezantoi punën dhe realizimin e projekteve të parapara për këtë gjashtëmujor.  Ajo ka treguar para qytetarëve për të hyrat buxhetore të Komunës, derisa ka treguar edhe për sfidat e kësaj komunë, duke vënë theksin tek sistemi i përmbarimit.

Në fokus të realizimit të punës për këtë periudhë, sipas projekteve dhe programeve të parapara për qeverisje, Kryetarja Mimoza Kusari - Lila ka theksuar përkushtimin për përmirësimin e klimës së biznesit, si dhe shtimin e granteve për bizneset e vogla dhe të mesme. Në këtë drejtim, kryetarja Kusari – Lila ka bërë të ditur se në fazën e parë të këtij vitit janë dhënë 70 mijë euro nga komuna dhe 80 mijë nga donatorët gjermanë, konkretisht nga organizata “HELP”.

Kryetarja e Gjakovës gjithashtu ka dhënë informata përmbajtjesore edhe lidhur me angazhimet në vlerësimin dhe ngritjen e kapaciteteve të administratës, zgjidhjen e problemeve bazike të infrastrukturës, si dhe ndarjen e granteve për mbështetje dhe për një zhvillim më të qëndrueshëm të bujqësisë, grante të cilat gjatë kësaj periudhe kanë qenë në numër dukshëm më të madh.

Kusari Lila: Mbi 270 mijë euro janë investuar në varrezat në Meh

“Mbi 270 mijë euro janë investuar në varrezat në Meh, arsyeja ka qenë që të mos i lëmë në gjendjen se si kanë filluar. Fatkeqësisht tenderi është dhënë në vlerën prej 1 milion e 80 mijë euro, ndërsa të ndara prej ish qeverisë kanë qenë vetëm 50 mijë , përkundër të gjitha problemeve dhe sensitivitetit të situatës për varrezat në Meh, ne kemi ndarë mjete të cilat e kanë sjellë situatën pak më mirë se sa që është”, tha ajo.

Nga ana tjetër interesimi i qytetarëve ishte më i madh sa i përket realizimit të projekteve infrastrukturore por edhe të banimit ose strehimit. Kërkesat e qytetarëve kryesisht kanë qenë të natyrës së ndërtimit dhe të rregullimit të infrastrukturës, kryesisht të kanalizimeve, ujit, rrugëve, shkollave, etj. Në veçanti ka pasur ankesa për rrugët të nisura për ndërtim nga ish qeverisja lokale, me participim të qytetarëve në anë të ndryshme të territorit të komunës, e të cilat që sa vite kanë mbetur të papërfunduara.

Zog Berisha , një qytetar nga Komuna e Gjakovës  ka parashtruar pyetje për kryetaren e  Kusari-Lila duke thënë se dy fshatra të kësaj komune Ramosi dhe Kolenisen kanë shpenzuar 38 mijë euro  për të asfaltuar rrugën por që ende rruga nuk ka përfunduar.

Berisha: 38 mijë euro dhe rruga nuk është shtruar

“Pse nuk po  fillojnë punimet në rrugën të cilat patën filluar në vitin e kaluar dhe janë ndërprerë në nëntor?  Ne për atë rrugë siç jeni në njohuri i kemi dhënë si komunitet, Ramosi së bashku me Kolenisen 38 mijë euro”, tha Berisha.

Ndërsa Fran Përdedaj, një qytetar tjetër nga Komuna e Gjakovës,  ka përgëzuar kryetaren Kusari-Lila duke thënë se asnjëherë komuna e tyre nuk ka pasur drejtorë të drejtorive komunale, më të mirë se sa këta të fundit

Përdedaj: Gjakova me drejtorët më të mirë se ndonjëherë

“Ndryshimin për Gjakovën jeni dëshmitar që e kemi bërë të gjithë bashkë, të gjithë ishim  të kemi një ndryshim , dhe ndryshimet janë bërë  por me një hap shumë të ngadalësuar. Kabinetin e drejtorëve që nga paslufta komuna e Gjakovës kësi drejtorë të suksesshëm nuk ka pasur “, tha Përdedaj.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka thënë se komuna e Gjakovës ka në dispozicion  20 milion e 753 mijë e 820 euro në buxhetin vjetor.           

Kusari-Lila: Komuna e Gjakovës ka 20 milion e 753 mijë  e 820 euro në buxhetin vjetor

“Në vitin 2016, Komuna e Gjakovës ka në dispozicion 20 milion e 753 mijë  e 820 euro gjerësisht buxheti vjetor . Gjatë kësaj pjese të parë, të vitit, kemi arritur të inkasojmë të hyra vetanake më shumë se sa viteve të tjera”, tha Kusari-Lila.

Debati zgjati  më shumë se dy orë dhe pati  edhe pyetje që nuk i përkasin komunës së Gjakovës, por u adresuan aty, për të ndikuar në institucionet përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat