Gropa ku humbën jetën dy fëmijët, pa mbrojtëse qe dy vite

Prishtina

Gropa ku humbën jetën dy fëmijët, pa mbrojtëse qe dy vite

Më: 23 qershor 2016 Në ora: 19:58
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në lagjen Kolovicë të Komunës së Prishtinës kanë humbur jetën dy fëmijë, vëlla e motër, të cilët aksidentalisht kishin rënë në një gropë të mbushur me ujë.

Banorët e lagjes thonë se gropa, në të cilën humbën jetën Florentina Mramori 13 vjeçare dhe Florent Mramori 11vjeçar, ishte hapur para dy vitesh nga një kompani e cila po kujdesej për asfaltimin e rrugës për rreth.

Babai i viktimave, Muhamet Mramori nuk ka pranuar të flas para kamerave lidhur me rastin. Në anën tjetër, fqinji Sylejman Krasniqi, tregon se si kishte dëgjuar zërin e vajzës së vogël, e cila kishte bërtitur ‘u mbytën u mbytën’.

Ai më tej rrëfen incidentin, i cili u mori jetën Florentinës dhe Florentit.

Krasniqi: Ky lum ekziston qe dy vite dhe është kështu pa mbrojtëse

“Un isha në oborr në terasë duke ndejë, të parin kojshi e kam babin e rastit. E kom dëgjuar një zë të vajzës së tij të vogël duke thënë ‘u mbytën, u mbytën’, kam kcy, këpucët ne rek mu kanë lag krejt. Jam mundu me shku , një kojshi i jemi ka vrapu para meje sepse ai e ka pasur urën aty, ai dinte not, veç i ka hekë pantallonat edhe u hi. I ka lyp 20 min nuk ka mundur t’i gjejë. Kemi thirr Policinë, deri janë ardhur këta me vonesë. Kur erdhën, ka ardh një Polic, ai veç e ka hekë rripin, armën e ka hekë dhe u gjuajt në ujë, i ka kërkuar edhe ai nuk ka mundur t’i gjej. Ai komshiu hyri edhe një herë dhe i gjet, i morëm. Ky lum këtu është bërë qe dy vite, nuk ka mbrojtëse. Emrin nuk ja di kompanisë, është e Barilevës sa kam informata, ajo e ka filluar këtë rrugë ta shtrojë, dhe ka marr dheun nga këtu, edhe pasi u krye rruga ai ka marr dhe për një rrugë në Kodrën e Diellit, Dragodan i ka shtruar edhe ka marr material këtu dy vite. Vitin e kaluar kanë ardhur me marr dhe këtu, por Shpend Ahmeti e ka ndalu, iu ka kërkuar leje”, tha Krasniqi.

Krasniqi kujton se nuk është ky rasti i vetëm që ka ndodhur në këtë vend sepse në atë vend pa mbrojtëse kishte rënë edhe një veturë, ku personin e lënduar po i njëjti e kishte dërguar në Klinikën Emergjente. Ai më tej përmend edhe një rast tjetër që kishte ndodhur para dy vite, ku ka rënë një veturë tjetër aty.

Sipas tij, nga ajo pjesë mund të pritet gjithçka, pasi që lumi është pa mbrojtëse.

Me të dëgjuar për rastin menjëherë erdhi edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili shprehu ngushëllimet për familjen e fëmijëve.

Më tej, ai tha se rasti do të hetohet dhe fajtori do të merr dënimin e merituar.

Ahmeti: Rasti do të hetohet dhe fajtori do të merr dënimin merituar

“Rast i rëndë, së pari ngushëllime për familjen. Këtu k a ndodh një tragjedi që është me vite të tëra që po përdoret ky vend, hetuesit për të gropuar. Leja zakonisht merret prej Ministrisë kur bëhen gërmime të tilla, kështu që hetuesia është duke interesuar që a ka pasur leje dhe si ka ndodh të jetë qe një kohë të gjatë sepse si duket aty, ajo gropë qenka qe shtatë apo tetë vite dhe qenka e mbushur me ujë, që e kanë përdorur fëmijët për t’u larë. Ende janë duke vlerësuar se si ka ndodhur ngjarja. Në këto momente është me rëndësi që të jemi pranë familjes, në këtë tragjedi. Hetuesia t’i heton krejt, këtu si duket kompani të shumta janë furnizuar, momentalisht pronari është duke u hetuar dhe të shohin se a ka pasur kontratë apo me kënd ka pasur sepse kjo është një pronë private dhe duhet të vlerësohet nga fillimi deri në fund. Mendoj që duhet t’i shkojmë kësaj pune deri në fund, duhet të jemi edhe më të rreptë në këso situate që mos të lejojmë që të na ndodh një gjë e tillë”, tha Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat