Stavreski iku, por la borxh prej 4,3 miliardë euro

Maqedonia

Stavreski iku, por la borxh prej 4,3 miliardë euro

Më: 17 qershor 2016 Në ora: 15:44
Zoran Stavreski

Ish-ministri i financave dhe kryeministër Zoran Stavreski në nëntë vitet e fundit vazhdimisht ishte pjesë e ekipit të VMRO-DPMNE-së, i angazhuar për çështje ekonomike. Për këtë periudhë, edhe përskaj asaj se në opinion do të mbahet në mend për bisedat telefonike me ministren e mëparshme të punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, dhe deklaratat që kishin të bëjnë me politikat ekonomike që i kishte partia e tij: “Ne jemi budallenj”, “Nuk kemi para as për bukë, e po harxhojmë për çokollatë”, do të jetë shënuar në historinë e shtetit, për të cilin aq shumë po brengoset partia në pushtet, si ministër në kohën e të cilit borxhi publik i Maqedonisë është rritur dyfish, gjegjësisht prej 23 % nga bruto-prodhimi vendor në vitin 2008, në tremujorin e parë të vitit 2016 arriti në 45% nga BPV apo 4,3 miliarda euro, shkruan OJQ “CIVIL“.

Disa herë brenda vitit CIVIL – Qendra për Liri bisedoi me shumë ekspertë nga kjo fushë, të cilët folën për hyrjen e vazhdueshme të qeverisë në borxh, për rritjen e borxhit dhe ngarkesën që po e bart shteti për kthyerje të tij.

Ish-guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev, sqaroi se “ajo që po e kumton pushteti si borxh publik nuk është borxhi i plotë publik. Çdo ditë po gënjejnë në lidhje me shumën e borxhit të vërtetë publik, e për këtë e ndryshuan definicionin për t’u dukur më i vogël borxhi. Pra, Ndërmarrjen Publike për Rrugë nga agjenci e transformuan në ndërmarrje publike me qëllim që të duket më i vogël borxhi publik.”

CIVIL-i bisedoi me eksperten në ekonomi, e cila me vite e ndjek këtë sferë, Aneta Dodevska, autore dhe udhëheqëse e emisionit “Trend” në TV 24 Vesti.

“Që nga fillimi i vitit, vetëm për dy javë, gjegjësisht vetëm dy ditë ankandi, Qeveria akumuloi dhe krijoi borxh të ri prej 23 miliardë eurosh! E nuk do të ishte befasuese po qe se nuk e kemi deklaratën e ministrit të financave, i cili vetëm para dy muajsh, kur e morëm euroobligacionin prej 270 milionë euro – deklaroi se ato para për borxh praktikisht do të arrijnë për t’i mbuluar financimet buxhetore e shpenzime në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti. Me këtë, praktikisht po hapet dilema pse Qeveria vetëm për dy javë, nga janari akumuloi 23 milionë euro? Vallë, a nuk duhej paratë e euroobligacionit të na dilnin për gjithë gjysmëvjetorin e parë ekonomik?”, pyeti Dodevska e cila alarmoi për rritjen e borxhit që nga fillimi i vitit.

“Kjo tregon se dinamika, tempoja e marrjes borxh është e madhe, kurse në anën tjetër, mbetet edhe ajo pyetja – për çfarë i shpenzuam ato kredite? Ne kishim shembuj kur ministra financash thoshin se po marrim euroobligacion që parimisht paraqiste borxhim të shtrenjtë për t’i financuar, për shembull, paralajmërimet për rroga të rritura, pensione të rritura, rrogat e administratës dhe ato shpenzime buxhetore aktuale, që sipas meje ekonomikisht nuk janë logjike dhe të aryetueshme. Së këndejmi, unë konsideroj se borxhimet paraqesin problem serioz”, tha Dodevska.

Në një intervistë për CIVIL Media, Goran Temenugov, redaktor i rubrikës ekonomike në TV Alsat-M, përmes një shembulli e sqaroi parimin në bazë të të cilit borxhohet qeveria.

“Që njerëzita ta kenë më të qartë se ç’problem është ky – dhe se nuk është imagjinar – do t’ua sqaroj me shembullin e një familjeje. Po qe se, për shembull, padroni, nikoqiri, babai, bashkëshorti… ia lejon vetes të marrë kredi dhe atë kredi ta shpenzojë në kafiteri, ta pijë, t’ua japë valltarëve, t’ua hedhë valltarëve në gjoks, për të do të jetë mirë. Dhe, në atë moment, do të bëjë qejf, por në shtëpi do të shkojë me borxh, për shembull, me mijëra euro. Ai borxh i ndahet edhe bashkëshortes së tij, po edhe fëmijëve të tij! Pra, bashkëshortja duhet të mendojë se si ta kthejë, së bashku me bashkëshorten, për qejfin që ai burrë e ka bërë nëpër kafiteri. Gjithashtu, ai borxh mund të shkojë tutje edhe te fëmijët, atyre fëmijëve t’ua rrezikojë të ardhmen. Ndryshe është rasti po qe se babai ato para do t’i kishte marrë për t’i shkolluar fëmijët dhe t’u sigurojë të ardhme më të mirë. Ai borxhim është produktiv.”

Qëndrimet dhe analizat e të gjithë ekspertëve ekonomikë me të cilët bisedoi CIVIL Media pohojnë se edhe pas dorëheqjes së Stavreskit, borxhi publik i Maqedonisë mbetet si ngarkesë që qytetaret e qytetarët me gjenerata të tëra do të duhet ta kthejnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat