LB-ja: Verifikimi i veteranëve të luftës, skandaloz

Kosova

LB-ja: Verifikimi i veteranëve të luftës, skandaloz

Më: 1 qershor 2016 Në ora: 15:24
Emblema e UÇK-së

Lëvizja për Bashkim (LB) ka reaguar me rastin e publikimit të shifrës së veteranëve nga komisionit qeveritar, ku thuhet se ishin 46 mijë e 30 veteranë luftëtarë.


LB-ja ka vlerësuar se kjo shifër është jashtëzakonisht e fryrë dhe ky proces, sipas kësaj partie, del të jetë i manipuluar dhe skandaloz. “Sipas njoftimit zyrtar të komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve të luftës Kosova del t’i ketë 46,230 veteranë luftëtarë! Kjo shifër është jashtëzakonisht e fryrë dhe ky proces del të jetë i manipuluar dhe skandaloz! Për të parë se si është keqpërdorur ky proces, po e japim numrin e veteranëve (sipas komisionit qeveritar) të shpërndarë nëpër zona: Zona e Dukagjinit 15,023; Zona e Pashtrikut 8,730; Zona e Drenicës 6,959; Zona e Llapit 4,310; Zona e Nerodimes 3,100; Zona e Shalës 1,950; Zona e Karadakut 1,070; Njësitë Vartëse të ShP të UÇK-së 5,057 dhe Shtabi i Përgjithshëm - 31!


Lëvizja për Bashkim konsideron se kjo shifër jo vetëm që e komprometon emrin e veteranëve të vërtetë, por në të njëjtën kohë e njollosë luftën e drejtë të UÇK-së dhe qëllimet e saj”, është thënë në reagimin e LB-së. LB-ja ka bërë me dije në këtë reagim se është e pandershme dhe e padrejtë që të dëmtohet e kaluara përmes barazimit të një veteranit të vërtetë me një mashtrues ordiner. “Në anën tjetër, është e papranueshme që kjo padrejtësi të paguhet edhe me të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve, përmes rëndimit të buxhetit të varfër të vendit. Prandaj, Lëvizja për Bashkim kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të prokurorisë për ta verifikuar këtë gjendje, në mënyrë që manipuluesit të dalin para drejtësisë, veteranit t’i kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur dhe shtetit t’i krijohet mundësia për përkujdesje dinjitoze për veteranët e vërtetë”, është thën në reagimin e Lëvizjes për Bashkim.
 
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat