Vlorë: Projekti i “Transballkanikes“, prishen 120 objekte

Vlora

Vlorë: Projekti i “Transballkanikes“, prishen 120 objekte

Më: 31 maj 2016 Në ora: 14:44
Vlora

120 objekte do të rrafshohen në të dy anët e segmentit rrugor “Transballkanikja“, në Vlorë, për t’i paraprirë zbatimit të projektit të plotë që transformon tërësisht këtë aks, ndër më të rëndësishmit në këtë qytet.

Aksioni i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit(IKMT), që ka nisur pak ditë më parë, po vijon në kushtet e normalitetit. Deri tani, janë prishur më shumë se 50 objekte, kryesisht banesa, si edhe biznese, të ndërtuara në një pjesë të madhe gjatë 25 viteve të fundit.

Pronarët e tyre janë njoftuar sipas afateve të parashikuara nga ligji për këtë aksion, ndërkohë që paralelisht me këtë janë realizuar edhe procedurat e shpronësimit në vlerë financiare.

Burime zyrtare të IKMT bëjnë të ditur për ATSH-në se, aksioni pritet të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera.

Projekti

Projekti, që ka nisur pak javë më parë, me një vlerë prej rreth 118 milionë lekë(të reja), të akorduara nga qeveria përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, parashikohet të zgjasë rreth 6 muaj deri në përfundim. Në finalizim të punimeve, kjo rrugë, me ndarje në mes, do të plotësohet me ndriçim të lartë dhe pedonal, me gjelbërim, me trotuare, me sinjalistikë horizontale e vertikale, duke përfshirë edhe semaforët.

“Me përfundimin e plotë të punimeve, aksi rrugor i „Transballkanikes“ do të transformohet në një rrugë moderne me të gjitha elementet“, sqaron për ATSH-në kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, i cili shton se, për finalizimin e projektit, është marrë asistenca e arkitektëve të huaj.

Përveçse një rrugë moderne dhe me estetikë, „Transballkanikja“ parashikohet që të jetë edhe funksionale dhe me standarde të larta në pikëpamje të sigurisë, në ndryshim nga gjendja aktuale. Për shkak të mungesës së plotë të sinjalistikës, të ndriçimit etj, në këtë rrugë, gjatë viteve të fundit, janë rregjistruar mjaft aksidente me pasojë vdekjen. Projekti përfshin edhe segmentin e ri, që lidh “Transballkaniken“ me hyrjen e autostradës Levan-Vlorë, ku edhe atje ka përfunduar vendosja e shtyllave dhe ndriçuesve në ndarjen e gjelbëruar të korsive dhe po vazhdojnë punimet paralelisht.

Historia

Rruga “Transballkanikja”, është një nga segmentet më të njohura në qytetin e Vlorës. Pas rindërtimit, ajo është shndërruar në një nga dy arteriet kryesore në qytetin e Vlorës, krahas bulevardit. Por, është shumë pak e njohur origjina e emrit të kësaj rruge.

Arkitekti dhe studiuesi Pirro Stefa, thotë se, emërtimi i “Transballkanikes” e ka origjinën tek një plan i Romës zyrtare në vitet 1930-të, për ndërtimin e një linje hekurudhore, ose më saktë të një arterie gjigande komunikimi me destinacion Lindjen. Në projektet e saj, qeveria e kohës e Italisë, synonte ekspasionin drejt Lindjes dhe pjesë e strategjisë përkatëse, ishte edhe ndërtimi i një linje hekurudhore me destinacion Konstandinopojën(Stambollin).

Kjo linjë hekurudhore gjigande, ose më saktë një arterie e madhe që do të niste nga Roma, do të kishte dy degëzime në Ballkan(Shqipëri), njera duke u nisur nga Durrësi dhe tjetra nga Vlora. Ishte një plan që synonte ringjalljen e Perandorisë Romake(Perëndim-Lindje), përmes rivitalizimit të Rrugës së famshme Egnatia. Kjo linjë hekurudhore(që sot përputhet në fakt me Korridorin Paneuropian numër 8), që simbolikisht ndërpritej në Bari dhe Brindisi, do të vazhdonte më pas, nga Vlora dhe Durrësi, drejt Follorinës, Selanikut dhe më tej në Konstandinopojë.

Këtu e ka edhe origjinën emërtimi i “Transballkanikes”, e cila nisi të ndërtohej në vitin 1930, si një trase me gjatësi prej rreth 2.8 km. Zona moçalore e kësaj pjese të qytetit të Vlorës, shtronte domosdoshmërinë e realizimit të një projekti ambicioz, të një traseje që niste nga hyrja e portit dhe vazhdonte për në dalje të qytetit të Vlorës, me drejtim nga Fieri. Në terminologjinë e kohës, gjithë ky projekt gjigand, që mbeti vetëm në letër, u emërtua “Transbalcanica”, ndërkohë që në kujtesën e banorëve të qytetit ky term u shqipërua dhe iu dedikua vetëm segmentit të mësipërm, i cili në fakt ishte edhe objekti i vetëm i realizuar në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat