Gratë e CDU-së njoftohen me zhvillimet në Kosovë

Diaspora

Gratë e CDU-së njoftohen me zhvillimet në Kosovë

Më: 5 maj 2016 Në ora: 10:09

Unioni i Grave të Partisë Demokristiane të Gjermanisë (CDU), në Berlin, është informuar nga ekspertja për Ballkanin, Vjollca Hajdari lidhur me zhvillimet më të fundit në Kosovë.

Hajdari ka mbaruar studimet master në gazetari në Universitetin e Lirë ë Berlinit dhe punon si këshilltare dhe eksperte për Ballkanin në disa shoqata dhe organizata që merren me tema nga Evropa juglindore.

Ajo tashmë punon edhe si gazetare dhe analiste në portalin e BE-së Euroaktiv.

Në ligjëratë mbi aktualitetin në Kosovë dhe në Ballkan, ekspertja e Ballkanit Vjollca Hajdari ka njoftuar gratë e CDU-se, partisë së kancelares Merkle për problemet me të cilat Kosova përballet aktualisht, ndërsa ka bërë një vështrim retrospektiv të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, duke u ndalur me theks të vecantë në obstruksionet dhe pengesat që Serbia po i bën sot zhvillimit të Kosovës, sidomos në veri ku edhe më tej mban aktive strukturat e saj paralele.

Hajdari në ligjëratën e saj ka informuar gratë e CDU-së lidhur me “situatën politike dhe ekonomike në Kosovë por edhe në vendet e Ballkanit”. Në fokus përveç situatës në veri, kanë qenë edhe problemet etnike në Kosovë, raportet me fqinjët, pastaj aspektet ekonomike, çështja e investimeve të huaja, aspektet e prodhimit të energjisë etj.

Gazetarja nga Kosova ka përmendur rolin destruktiv të Serbisë dhe bllokadave politike që Serbia është duke ushtruar me ndihmën e Rusisë. Sipas gazetares Vjollca Hajdari Bashkimi Evropian po zhvillon një politikë të njëanshme, duke e kushtëzuar e detyruar Kosovën për të bërë kompromise, ndërsa favorizon Serbinë në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Mediat gjermane tha ajo para grave të CDU-së, raportojnë rrallë për shkaqet politike dhe ekonomike që i shtyjnë kosovarët te braktisin atdheun” Duke u nisur nga ky fakt ajo ka shpjeguar historinë e vërtetë të Kosovës, jashtë propagandës ditore dhe lajmeve sipërfaqësore. Ligjërata e Vjollca Hajdarit është vlerësuar shumë nga Unioni i Grave të CDU-së veçanërisht nga organizatorja e këtij aktiviteti zonja Erna Weimann.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat