Murati: Praktika në Kosovë dhe Shqipëri, mundësi e mirë për studentët e diasporës

Diaspora

Murati: Praktika në Kosovë dhe Shqipëri, mundësi e mirë për studentët e diasporës

Më: 28 prill 2016 Në ora: 00:20

Ministri i Diasporës, Valon Murati në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka folur për projektin e praktikës për të rinjtë e diasporës në institucionet e vendit, gjatë verës.

Ai ka sqaruar lansimin e përbashkët të projektit me Republikën e Shqipërisë, duke bërë të ditura afatet e aplikimit dhe detaje tjera lidhur me këtë praktikë, njofton Klan Kosova.

“Ka qenë lansim i përbashkët i dy projekteve të ndara, njëri nga Kosova, tjetri nga Shqipëria. Por në opinion jo çdo herë po mundemi t’i dërgojmë të qarta. Nëse flasim për programin tonë, ai është i dedikuar krejtësisht për studentët nga diaspora. Do të mund të aplikojnë deri më 15 maj, në mënyrë që praktikën në institucionet e vendit ta kryejnë gjatë verës. Ky projekt ka filluar vjet, por pasi ka qenë viti i parë, nuk kemi arritur që ta kryejmë sa duhet”, tha Murati.

Murati ka thënë se këtë vit është rritur numri i studentëve të cilëve do t’u ofrohet mundësia e praktikës dhe se të gjithëve do t’u lëshohet nga një certifikatë që dëshmon për praktikën e kryer.

“Sivjet e kemi bërë një analizë – kemi zgjeruar gamën – të institucioneve dhe mendojmë që mund të aplikojnë deri 1000 studentë nga diaspora. Me institucionet e Shqipërisë po tentojmë që të apelojmë tek diaspora, që të dy vendet kanë programe të praktikës dhe që të shkojnë edhe atje për praktikë. Kriteri atje është që duhet pasur baçelorin e përfunduar, që është ndryshe nga kriteri tek ne. Ne do ta lëshojmë një certifikatë, në mënyrë që praktika t’u njihet. Ky projekt ka filluar si nismë e Ministrisë së Diasporës nga viti i kaluar, që të krijohet një urë lidhëse mes studentëve të disaporës, në mënyrë që dija e fituar jashtë të bartet këtu. Po ashtu duke parë që atje ka pasur rënie të mësimit shqip, kemi bërë përpjekje në drejtim të ndihmës për realizimin mësimit shqip”, theksoj Murati.

Ministri i Diasporës ka komentuar edhe arrestimin e disa personave dhe aktakuzën ndaj deputetit Azem Syla, për të cilën gjë ai nuk është lëshuar më shumë se në dhënien e mbështetjes për organet e drejtësisë në kryerjen e punëve të tyre, ndërsa ka mohuar mundësinë që kjo ta lëkundë koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Mendoj që kjo është situatë në të cilën organet e drejtësisë po e kryejnë punën e tyre. Duhet të mësohemi që kjo gjë të ndodh dhe ne si politikanë nuk kemi imunitet në çështje që drejtësia ka vlerësuar që duhet të ndiqen. Është lajm i mirë që drejtësia po punon, na mbetet të shohim. Koalicioni nuk mendoj se preket edhe pse nuk jam njeriu më kompetent për të folur për këtë gjë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat