Dhjetëra kandidatë shqiptarë për zgjedhjet komunale në kantonin frankofon Vaud

Diaspora

Dhjetëra kandidatë shqiptarë për zgjedhjet komunale në kantonin frankofon Vaud

Nga: Fitim Dika Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 09:53

Njëri ndër kandidatët më prominent shqiptar është Musa Kamenica, nga Ferizai, që do kandidojë për qytetin me shumicë franceze, Lozanën. Ai ka mbaruar master për shkencat politike, ndërsa garon me partinë e majtë Social Demokrate.

„Në komuna me më pak numër të banorëve, gjasat e kandidatëve shqiptarë janë shumë më të mëdha se sa në qytete të mëdha. Në fakt, angazhimi i kandidatit brenda partisë dhe implikimi i kandidatit në aktivitete shoqërore të ndryshme në komunën ku ai jeton u mundëson qytetarëve të asaj komune të kenë njohuri më të shumta e më të shpejta rreth kandidatit që ata e votojnë“, thotë politikani shqiptar nga Lozana, për albinfo.

Ai bazohet në zgjedhjet e kaluara, ku në komunat përreth qytetit të Lozanës, falë aktivitetit të tyre politik dhe shoqëror janë zgjedhur dhjetëra asamblistë me prejardhje shqiptare.
Kandidati mjaft serioz i PS-së, Musa Kamenica, thotë se nuk do ta ketë lehtë edhe në këtë garë për një ulëse në Lozanë.

„Beteja për një vend në Asamblenë Komunale të Lozanës është shumë më e vështirë për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të kandidatëve dhe për shkak të kompleksitetit të temave në të cilat debatohet lidhur me menaxhimin e qytetit. Edhe pse kandidati mund të ketë bërë një angazhim të rëndësishëm brenda partisë, një rol të rëndësishëm luan edhe rrjeti që ka kandidati në atë qytet dhe fuqia e mobilizimit të atij rrjeti njerëzish. Duke marrë në konsideratë këta tre parametra, unë jam optimist që partia me të cilën kandidoj do të dalë fitues i këtyre zgjedhjeve dhe pres po ashtu suksese të kandidaturës sime“, thotë mes tjerash në një bashkëbisedim me albinfo.ch Kamenica, përcjell Bota sot.

Komuna Ecublen me disa shqiptarë kandidatë

Në komunën Ecublen, kandidon Naser Iseni, mekanik që ka kërkuar votat e komunitetit shqiptar. Në komunën me 13.000 banorë, ka një komunitet të rëndësishëm shqiptarësh. Këtë e tregon se bashkë me të garojnë edhe dy shqiptarë tjerë nga e njëjta parti, Arijana Zeka dhe Murat Ademi, i pari nga Rahoveci, i dyti nga Ferizaj.

Secili person që ka jetuar më shumë se 10 vjet në Zvicër dhe 3 vjet në kantonin Vaud, ka mundësi që të votojë për këto zgjedhje të asamblesë komunale. Për krahasim para katër viteve fituan 11 politikanë me origjinë shqiptare.

Shqiptarët kryesisht mbështesin partinë e majtë, por ka edhe një numër i vogël që garojnë me forcat e qendrës dhe qendrës së djathtë./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat