Opozitarët shqiptarë në Maqedoni promovojnë ndarazi platformën e tyre në diasporë

Diaspora

Opozitarët shqiptarë në Maqedoni promovojnë ndarazi platformën e tyre në diasporë

Nga: Fitim Dika Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 10:58

Me qëllimin për të bashkuar opozitën shqiptare në Maqedoni, Kryetari i Këshillit Opozitar në Maqedoni, Kim Mehmeti, ka organizuar një tribunë në Cyrih të Zvicrës, pranë diasporës shqiptare, ndërsa pak ditë më parë Semi Mehmeti, djali i tij, ka promovuar Lëvizjen BESA në Luzern të Zvicrës, sëbashku me Adnan Selmanin; si dhe kryetarët e Lr-PDSH dhe RDK, Ziadin Sela dhe Vesel Memedi, kanë promovuar idetë e opozitës shqiptare para bashkëkombasve në Hamburg, Këln dhe Vjenë.

„Këshilli Opozitar ka për qëllim që të na mundësojë që ne të mendojmë ndryshe shqip, që t’i bashkojmë shqiptarët jo vetëm kur janë keq. Unë duhet t‘i takoj popullit që di të bashkohet edhe nga e mira. Ne kurrë nuk jemi bashkuar që ta shikojmë njëri-tjetrin në sy“, thotë Mehmeti në Cyrih. „Ne duhet t’u përgjigjemi shqiptarëve se çfarë Maqedonie duam. Ne platformë e kemi Këshillin dhe jemi këtu për të përpiluar një platformë, duke parë edhe disponimin tuaj. Por, çfarë jemi të gatshëm të bartë një platformë e tillë.“

Ai shtoi më tej se Maqedonia është shtet partiak, që është pronë e VMRO.

„Mua më kanë pyetur se cila është zgjidhja në Maqedoni, unë kam thënë më mirë të ketë qeveri të dobët prej më shumë partive të vogla. Kur kemi vetëm dy parti të mëdha, nuk përfillet populli dhe nuk kemi qeveri demokratike, se Maqedonia nuk është Zvicër. Ne sot në Maqedoni kemi shtet partiak, që tekstualisht është pronë e VMRO-DPMNE-së, dhe pjesa tjetër që e kontrollojnë vasalët shqiptarë“, deklaron më tej Mehmeti.

„Vetëm nëpërmjet projekteve të përbashkëta shqiptare që do të bashkojë trurin dhe që do të kërkojnë përgjegjësi nga njëri-tjetri“, thekson në fund gazetari i Top-Channel, Mehmeti.

Në takim ishte prezent edhe Orhan Murtezani i cili u shpreh: Dy partitë tona shqiptare, PDSH dhe BDI janë vasalë të partisë maqedonase në pushtet, VMRO, ndërsa tani duhet të bashkohemi që të arrijmë qëllimet e shqiptarëve.

Sela dhe Memedi në Vjenë të Austrisë

Në momentin që Këshilli Opozitar përpiqej të bashkojë opozitën shqiptare, LR-PDSH dhe RDK kanë mbajtur takime me diasporën shqiptare në Gjermani dhe Austri. Kryetari i LR-PDSH Ziadin Sela para të pranishmëve në Vjenë të Austrisë shpjegoi principet e koalicionimit të Aleancës për Shqiptarët me partitë tjera.
“I pari princip është platforma e përbashkët që do të jetë për të gjithë opinionin do të shpërndahet, principi i dytë është lista të përbashkëta zgjedhore, i treti është koordinim i aktiviteteve të përbashkëta dhe principi i katërt dhe më i rëndësishëm është mospjesëmarrje në qeveri deri sa platforma jonë të jetë pjesë e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore. Të gjithë të tjerët që vijnë dhe thonë ndryshe gabojnë rëndë, sepse zgjidhje tjetër nuk ka”, tha Sela.

Sipas tij, prej momentit kur do të legjitimohet platforma jonë përballë koalicionimit do të ketë kushte dhe jo kërkesa. Në qoftë se nuk përmbushen kushtet gjërat do të radikalizohen në mënyrë që ne do ti thërrasim shqiptarët bashkë dhe do të nisim të ndërtojmë institucionet e federatës.
“Ne jemi të interesuar që menjëherë pas zgjedhjeve, në emër të legjitimitetit tonë Aleanca për Shqitarët do të bëjë tryezën e gjithë subjekteve politike shqiptare që do të kenë deputet në parlament që përfundimisht të kemi një strategji të përbashkët politike të shqiptarëve”, tha Sela.

Më parë dy liderët kishin qenë në Këln dhe Hamburg të Gjermanisë.

Arsyen e mosbashkëpunimit mes Opozitës Shqiptare tërthorazi e tregoi dr. Artan Dika

Deri tani opozita shqiptare nuk ka gjetur bashkëpunimin mes veti, ku sipas anëtarit të RDK-së, Artan Dika, kjo vjen si pasojë se Lëvizja Besa nuk pranon të dalin me lista të përbashkëta si mes tre të barabartëve. Ai në Facebook, 1 shkurt, shkruajti:

1. Tashmë një vit, dy partitë që janë bërë bashkë (LR-PDSH dhe RDK- F.D.) i kanë ofruar subjektit të tretë (Lëvizjës BESA -F.D.), daljen bashkë me lista të përbashkëta si tre palë të barabartë. Subjekti i tretë deri tani nuk e ka pranuar këtë.
2. Subjekti i tretë tashmë një vit nuk ka bërë asnjë propozim se në cfarë raportesh e propozon ai daljen me lista të përbashkëta. Nëse dikush ka dëgjuar ndonjë propozim të tillë se si duhet të duket dalja e përbashkët në zgjedhje sipas subjektit të tretë, le ta thotë.
3. Para disa kohësh subjekti i tretë e ka bërë publike vet se ka marrë vendim për ta lënë cështjen e daljes së përbashkët në zgjedhje, pas shpalljes së zgjedhjeve./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat