Në Legnano të Italisë, mesha zhvillohet në shqip

Diaspora

Në Legnano të Italisë, mesha zhvillohet në shqip

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 19:26

Me Dom Antonoi Giovannini u njoha që vitin e shkuar, në nëntor 2014, kur drejtuesit e shoqatës atdhetare-kulturore “Ura e bashkimit” në Legnano, qytet pranë Milanos në Itali, organizuan festën e përvjetorit të Pavarësisë. Edhe unë isha pjesmarrës në këtë veprimtari të bukur të shqiptarëve, ku me kërkesë të organizatorëve përshëndeta me një fjalë të shkurtër, ku përmenda disa nga figurat e racës sonë, me shumë zë edhe në historinë e botës, që i bëjnë nder Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Jo rastësisht, në takime e biseda me miqtë shqiptar, përmendej edhe prifti Italian Antonio Giovannini, i cili u ndodhet pranë mërgimtarëve tanë dhe në kishë meshon në gjuhën shqipe. Të them të drejtën më pëlqeu, pse mos të them se më shumë më habiti ky lajm i bukur, ndaj këmbëngula që të takohem e të njihem me të. Fliste lirshëm një shqipe të kulluar me theksin verior. Këtë njohje unë e pasqyrova shumë shkurt brenda një artikulli të publikuar në shtyp. Të them të drejtën, u përqëndrova më shumë e më gjatë tek veprimtaria atdhetare e shoqatës, që mundi të bashkojë e të mbledhë në atë festë rreth 400 pjesëmarës shqiptar, ku në krye të të ftuarve, krahas autoriteteve të komunës, ishte edhe Don Antonio.

Rasti e solli që në festat e fundvitit 2015, të ndodhem në Itali, në Legnano, përsëri në një festë të shqiptarëve, me një emër goxha të gjetur, “Sofra shqiptare”, e organizuar në lokalin “Castello”, pronë e shqiptarit Kol Tirana. Edhe Don Antonio ishte i ftuar, por erdhi pasi kishte filluar darka. Me mirësjellje kërkoi ndjes për vonesën, bëri njoftimin për orën dhe kishën “Santuario Madonna delle Grazie”, ku do të mbahej mesha e krishtlindjeve. (Shqiptarët e thërrasin shkurt: “Kisha e Zojes tek pazari”). U përshëndetëm si miq të vjetër, takuam gotat e verës dhe uruam njëri-tjetrin për festa të gëzuara, me shumë shëndet e begati në çdo familje shqiptare. Në atë atmosferë gëzimi ku gjëmonte muzika e vallja, nuk kishte vend për biseda seioze, ndaj premtuam të takoheshim pas fetave.

Pak dit më vonë, në takim mes nesh ndodhej edhe mërgimtari shqiptar, i kudondodhuri Aleks Vulaj, një ndër anëtarët më aktiv të shoqatës “Ura e Bashkimit”, i cili shpesh shkruan edhe në shtypin Italian, duke pasqyruar jo vetëm festat por edhe problemët e shqiptarëve të Legnanos. Sapo u ulëm, pas përshëndetjeve të rastit, e nisa fjalën:

- Si është e mundur që e flisni kaq bukur e pastër gjuhën shqipe?

- Kët pyetje ma bëjnë të gjithë kur ulemi në biseda apo takime të vogla. U përgjigjem me kënaqësi se kam qënë në Shqipëri për 15 vjet rresht, që nga viti 1999. Ishte e para herë që dilnja jashtë Italisë dhe Shqipëria i pari vend ku duhet të kryeja shërbesa fetare. Si prift, në fillim kam shërbyer në Shkodër, më pas për gati 10 vjet në Shllak e Koman. Më vonë shkova në Fierzë, ku shërbeva 5 vjet. Kuptohet, lidhja me shqiptarët më bëri që ta mësoj shpejt gjuhën dhe kam kënaqësi kur flas shqip, pavarësisht se thonë që është e vështirë.

Në qershor 2014, u riktheva në Legnano, ku ka një komunitet të madh shqiptarësh. Mesha në shqip është më e pakta ndihmë që u jap mërgimtarëve shqiptar, të cilët përballojnë me sukses vështirësitë e integrimit në jetën dhe shoqërinë italiane. Ndjej se më nderojnë shumë, më pranojnë si të jem edhe unë shqiptar, ndaj jam i ftuar dhe i pranishëm në të gjitha veprimtaritë e tyre, qofshin edhe ato me karakter patriotik. Në fakt mesha në shqip nuk është merita ime, unë e gjeta të filluar këtu e 12 vjet më parë në Legnano dhe Vareze. Tashmë në të dielën e parë të çdo muaji, shqiptarët kanë mundësi të ndjekin meshën në shqip. Don Antonio vazhdon:

Ka kohë që në një mjedis të kishës, që ne e quajmë oratorio, zhvillohet për fëmijët mësim në gjuhën shqipe. Kam deshirë që shkollën, apo kurs siç e quani ju, ta ndjekin sa më shumë nxënës, të cilët të mësojnë, të shkruajnë e të lexojnë gjuhën amtare të prindërve. Kështu jeton e forcohet “Ura e bashkimit” mes dy brigjeve të Adriatikut. Kam menduar, duke gjetur edhe mbështetjen e shqiptarëve, që me rastin e festave të Nëntorit 2016, të çelim një ekspozitë fotografike, ku të pasqyrohet jeta shqiptare ndër vite. Besoj se është gjetje e mirë për të informormuar publikun Italian. Kam dëshirë që të përsëris, si pesë vjet më parë, një ekskursion në Shqipëri e Kosovë, me qytetarë Italian. Besoj se do ta realizoj.

- Don Antonio! Ke jetuar 15 vjet mes shqiptarëve në Shqipëri dhe po jeton po mes shqiptarëve edhe këtu në Itali. Ke parë e dëgjuar plot ndodhi e ngjarje, të bukura e jo të bukura. A ke ndër mend të shkruash për to?

– Po ke të drejtë. Më ngacmove në një dëshirë që po e bluaj prej kohësh në mendje. U ndodha në Shqipëri kur Kosova ishte në zjarr. Përjetova shpërnguljen e tyre biblike, por edhe pritjen që ju bë. Çdo ditë që kalon, më shton bindjen, se të jetosh mes shqiptarëve për një kohë të gjatë, është një përvojë e bukur. Këtë e them jo për t`u bërë qejfin juve edhe vetes. Kam njohur njerëz të thjeshtë, mes tyre studiues dhe krijues të ditur e të zot. Edhe sot ndjej mall të takohem me ta, ndaj e meritojnë të thuhet e të shkruhet sinqerisht e miqësisht. Së bashku kemi meremetuar e ndërtuar rrugë e kisha. E ndjej për detyrë të shkruaj për mundin e derdhur. Ka ndodhi që më bëjnë të qesh, por edhe të ndalem seiozisht. Bie fjala, në Shllak gjejmë këmbanën e vjetër të kishës, të mbuluar me dhe, ose e thënë më shqip, të fshehur nën dhe. Pse? Në një rast tjetër ndeshëm në bestytni: Nuk na linin të prisnim degët e një druri, që na pengonte të ndërtonim kishën e re mbi themelet e vjetra. Nuk ka nevojë të themi, Pse? Diku ngre krye fanatizmi: Nuk i lejonin vajzat të vashdojnë shkollën. Këtu një “pse”, ka dhimbje. Etj, etj si këto. Libri që përjetoj së brendëshmi, mendoj se do të jetë një mesazh mirëkuptimi dhe falënderimi për të gjithë ata njërëz që na pritën e na përcollën me aq dashuri e bujari.

Pas një bisede të ngrohtë, miqtë kurdoherë ndahen duke uruar jetë e shëndet, pasi dëshirojnë të takohen përsëri me punë e dëshira të realizuara. Kështu u ndava edhe unë me don Antonion.

Intervistoi: Kadri Tarelli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat