Në Filadelfia, ngrihet flamuri kombëtar shqiptar

Diaspora

Në Filadelfia, ngrihet flamuri kombëtar shqiptar

Nga: Nga: Laver Niku Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 21:57

Pjesëmarrës në manifestim…

Është viti i katërt, qëkur në qendër të qytetit të Filadelfias-Amerikë, pranë Bashkisë historike të këtij qyteti emërmadh, Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptare- Amerikane "Bijtë e Shqipes", në nderim të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ngre Flamurin e kuq, me shkabën dykrenore në mes. Është Flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, të të gjithë atyre mijëra trimave shqiptarë, që derdhën gjakun për liri dhe pavarësi. Kjo është, në të gjitha kuptimet, veprimtaria më e rëndësishme e vitit për Shoqatën tonë.

Në këtë ditë të shënuar të historisë sonë kombëtare, edhe pse larg vendlindjes, këtu shkrihen në një dashuria për Atdheun, krenaria për historinë tonë, dhimbja për dëshirat e parealizuara, ëndërrat për të ardhmen tonë dhe të brezave, që vijnë pas nesh. Për kremtimet e kësaj ngjarjeje të shënuar nuk merr pjesë vetëm kryesia e Shoqatës ose anëtarët e saj. Ka përherë e më shumë një pjesëmarrje më të gjerë, pra të të gjithë bashkatdhetarëve emigrantë, me origjinë nga tërë krahinat e vendit tonë. Kjo vihet re edhe në ndihmesën, që japin gjithnjë e më shumë ata, për ta festuar me sa më mirë dhe me dinjitet, këtë ditë të madhe të historisë sonë kombëtare.

Ishte një ditë e bukur, dita e premte, e 27 Nëntorit 2015. Diçka e pazakontë për muajin nëntor, në Filadelfia. Koha ishte me diell dhe qiell të pastër, si rrallëherë. Mjeshtri Haki Çollaku, nga Dibra, kishte përgatitur një stendë festive, kushtuar kësaj dite historike, mbushur me flamujë shqiptarë, të mëdhenjë e të vegjël. Ndërmjet tyre, ishin edhe flamuj amerikanë, në nderim të vendit mikpritës.

Në të dyja anët e stendës ishin vendosur dy fotografi të mëdha të burrit të mënçur, Ismail Qemali , kryetarit të parë të Qeverisë Shqiptare dhe gjeneralit të lavdishëm popullor, Isa Boletini. Ende pa filluar ceremonia, bashkatdhetarët tanë bënë fotografi para kësaj stende, në kujtim të kësaj feste të paharruar. Ata erdhën nga të gjitha drejtimet e grupe-grupe. Mbërritën dhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Northeast-it, që çdo vit i japin gjallëri kësaj dite të shënuar, me vallet popullore shqiptare, me gëzimin dhe gjallërinë e tyre.

Kjo është edhe meritë e mësueses së tyre, Nikoleta Papa, që tash sa vite punon me nxënësit shqiptarë, me një përkushtim të veçantë. Si çdo vit, erdhi Alban Merolli, një nga mbështetësit e parë të Shoqatës sonë, me gjithë familjen e tij. Kësaj here, ishte i shoqëruar me një grup të rinjësh, djemë dhe vajza, që janë nipër dhe mbesa të tij. Me të drejtë, ndihej krenar, kur i shihte ata të përfshirë në grupin e valltarëve, në kremtimin e kësaj dite të bukur. Pak minuta më vonë, erdhi dr. Besnik Budo, me të shoqen, Elvirën, një ndër veprimtaret e pra të Shoqatës dhe për shumë vite anëtare e kryesisë së saj. Por, është e pamundur t'i veçosh të gjithë. Midis pjesëmarrësve, ishte këshilltari i qytetit të Filadelfias, përkrahësi i parë për ngritjes e Flamurit tonë Kombëtar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, si dhe z. Mark Squilla, i shoqëruar nga z. Fernando Trevino, zëvëndësdrejtor i Zyrës së Emigracionit dhe Multikulturës, pranë Bashkisë së Filadelfias.

Ja, erdhi ora e shumëpritur, 10.00 AM, kur do të ngrihej Flamuri ynë Kombëtar. Nën tingujt e Himnit Kombëtar të SHBA, të gjthë pjesëmarrësit nderuan me mirënjohje shtetin, që u hapi dyert e u dha mundësi për ndërtimine e një jete të re, në këtë vend. Pas pak, u dëgjuan tingujt e Himnit tonë Kombëtar. Ishin çaste emocionuese, duke kujtuar me mall e krenari Atdheun tonë, që e kemi larg syve, por shumë afër zemrës dhe mendimeve tona. Të gjithë nderuan me emocione dhe, jo rrallë, shihje sy të përlotur. Ndërkaq, nënkryetari i parë i shoqatës, Bujar Gjoka filloi ngritjen e Flamurit tonë Kombëtar. Kushdo, që e ka provuar një çast të tillë solemn, nuk shpëton pa përjetuar emocione të fuqishme dhe krejt të veçanta.

Duartrokiten artistët e vegjël shqiptarë, me kostumet tona kombëtare…

Në vazhdim, kryetari i Shoqatës Atdhetare - Kulturore "Bijtë e Shqipe", Tajar Domi i përshëndeti të pranishmit. Midis të tjerash, pasi bëri një "udhëtim" të shkurtër historik të rrugës së Pavarësisë së Kombit tonë dhe përmëndi emrat më të shquar, që sakrifikuan pasurinë dhe jetën për Flamur e Atdhe, ai theksoi se " kush lufton për kombin, kush bie për flmurin, mbetet krenaria e kombit, kujtohet dhe nuk harrohet kurrë". Duke e mbyllur fjalën e tij të shkurtër, ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve për të qenë kurdoherë të bashkuar dhe për të punuar së bashku, për njohjen dhe ruajtjen e vlerave më të mira kombëtare shqiptare.

Pas duartrokitjeve, e mori fjalën z. Mark Squilla. Ai foli për rëndësinë e Ditës së Flamurit, për çdo komb dhe vlerësoi bashkësinë shqiptare në Filadelfia, si njerëz të zgjuar dhe punëtorë, me dëshirë për t'u arsimua, dhe që po realizojnë një përfshirje të shpejtë të tyre në jetën e këtij qyteti të madh, i cili zhvillohet me shpejtësi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe z. Fernando Trevino, zëvendësdrejtor i Zyrës së Emigracionit dhe Multikulturës, pranë Bashkisë së Filadelfias. Duke i përgëzuar shqiptarët, për ruajtjen dhe pasurimin e kulturës dhe traditave më të mira të tyre, ai theksoi se në këtë mënyrë ata bëhen mbartës dhe ruajtës të kulturës amerkane.

Më tej, përsëri vazhduan këngët dhe vallet popullore, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Disa qytetarë amerikanë u futën midis valltarëve tanë dhe mundoheshin që ta kapin hapin dhe ta mbanin ritmin e valleve tona të bukura.

Në një kënd të sheshit, Elidon Pajollari, agjent sigurimesh i State Farm, kishte ngritur tendën e tij dhe u shërbente bashkatdhetarëve, kafe dhe donats, falas. Ishte viti i dytë, që ai e ndërmerrte këtë veprim për t'u ardhur në ndihmë Shoqatës sonë dhe bashkësisë shqiptare, për të dhënë ndihmesën e tij në festimert e Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar. Prandaj të gjithë ishin mirënjohës ndaj tij.

Pjesëmarrësit në këtë festë të bukur dhe të paharruar nuk rreshtnin, duke bërë fotografi me Flamurin Kombëtar Shqiptar. Se ishte dita e tij, dita jonë. Prandaj njëzëri uronim: “Rrofsh dhe u valavitësh përherë i lirë dhe krenar, Flamuri Ynë Kuqezi!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat