Imam Edin Gjoni: Gjestet e vogla për nga veprimi, por të mëdha në domethënia

Diaspora

Imam Edin Gjoni: Gjestet e vogla për nga veprimi, por të mëdha në domethënia

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 07:14

Sonte, pas 103 viteve nga pavarësia e shtetit tonë, të gjithë qëndrojmë të bashkuar pranë flamurit tonë: i madh dhe i vogël, në Shqipëri dhe jashtë saj, mbi Shkumbin dhe nën të, të Krishterë dhe Myslimanë: të gjithë një gjaku dhe një gjuhe, një zemre dhe një qëllimi.

Sot qëndrojmë krenarë si shqiponja dykrenore që ruajtëm substancën e kombit tonë fisnik, gjuhën tonë të lashtë dhe të ëmbël gjatë gjithë shekujve të qenies tonë …

Krenarë përpara historisë së pastër si loti, për duar të papërlyera, për faqe të bardhë me të cilën serbes mund ta shikojmë çdo popull në sy…

Por mbi të gjitha krenarë për një të vërtetë të madhe që e kam për borxh ta theksoj sonte dhe përherë: për mirëshkim dhe dashuri vëllazërorë ndërfetar (e jo kurrësesi tolerancë), që në këtë kohë kaosi dhe rrëmuje, na bën që të jemi shembull ekzemplar për mbarë planetin.

Më kujtohet Imami dhe mësuesi im zoteri Rexhep Lika kur më fliste për fshatin tonë, Këllezën, në Anë të Malit, pjesë e komunës së Ulqinit (përndryshe fshati në të cilin ka lindur përkthyesi i parë i Biblës në tërësi, Dom Simoni Filipaj) për një rast shembullorë. Ishte ajo kohë, më thoshte ai, kur akoma fshatarët e Këlleznes së Poshtme nuk kishin asnjëfarë ore (sahati), ndërkohë që prifti i katundit kishte orë. Atëherë prifti lajmëronte fshatarëve mysliman përmes kambanave kur ta ndërpresin ushqimin dhe ta fillojnë agjërimin në agim (syfyr) gjatë muajit të Ramazanit. Por në anën tjetër, ku si në Shkodër mund ta gjeni dikë si Myftiun e saj, i cili mu në mes të fjalimit të Bajramit, që është fjalimi më solemn në vit për myslimanët, ta ndërpresë fjalimin mu në respekt ndaj kambanat e Kishës.

Gjestet e vogla për nga veprimi, por të mëdha në domethënia. Gjeste që dolën natyrisht dhe pa asnjë teklif nga zemërgjerësia e Shqiptarit.

Prandaj, e them sonte dhe përherë, Shqipëria e jonë është në këtë pikëpamje sikur diamanti:

– Unike dhe fisnike në substancë,

– Reflekton ngjyra të ndryshme kur drita përthyhet nëpër të, prandaj edhe kemi divergjencë fetare e cila asaj i jep vetëm bukuri e hijeshi dhe na pasuron si komb.
– Dhe diamantin kush përpiqet që ta thyejë, në fund do ta thyej veten e vet.

Më në fund:
I lutem Zotit:
Ta bekojë Shqipërinë, Kosovën dhe popullin Shqiptarë kudo që të jetë,
Ta bekojë Vatrën tonë,
Ti bekojë SHBA, këtë tokë dhe popull, për të cilën Zoti e lidhur fuqishëm fatin tonë si komb dhe si shtet dhe të gjithë aleatët tonë.
Urime Përzemërsisht Festa e Pavarësisë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat