Në festën e flamurit shqiptar edhe përfaqësues institucional të kantonit të Gjenevës

Diaspora

Në festën e flamurit shqiptar edhe përfaqësues institucional të kantonit të Gjenevës

Nga: ARIF EJUPI Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 19:51

Më 28 nëntor 1443 Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në Kalanë e Krujës. Ndërkaq 469 vjet më vonë 83 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare të prirë nga Ismail Qemali zyrtarizuan në Vlorë ,simbolin tonë kombëtar duke shpallur pavarësinë e shtetit shqiptar.

Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, edhe sivjet ka mobilizuar të gjitha Shoqatat, Klubet dhe Shoqëritë artistike që veprojnë në këtë kanton në mënyrë që 103 vjetori i themelimit të Shtetit Shqiptar të shënohet sa më denjësisht.

Objektivat e parashikuara u përmbushën në tërësi falë edhe ndihmës materiale të miqve zviceranë.

Në saje të kësaj ndihme me kohë është bërë rezervimi i sallës së koncerteve“Palladium” në Gjenevë, e cila mbrëmë ishte përplot me mërgimtarë jo vetëm nga Gjeneva , por edhe nga qytetet përreth saj.

Manifestimi i si zakonisht nisi me intonimin e himit kombëtar. Pastaj drejtuesja e këtij programi festiv Zonja Nerxhivane Ferati - Sejdiu prezantoi përmbajtjen e programit dhe më pas ajo përshëndeti deputetët e Parlamentit të Gjenevës François Lefort dhe Luc Barthassat të cilët me pjesëmarrjen e tyre nderuan këtë festë të veçantë të popullit shqiptar. Nga pala shqiptare të pranishëm ishin Z. Naim Malaj deri para pak kohësh Ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër dhe konsujt e Konsullatës sonë në Gjenevë Z. Ramadan Avdiu, në cilësinë e konsullit të përgjithshëm dhe Z. Arjan Kashtanjeva po ashtu i ngarkuar me punë si konsull në këtë Konsullatë.

Të gjithëve u ra në sy mosprezenca e përfaqësuesve të Shqipërisë ,por arsyet e mungesës së tyre nuk u theksuan. Në një datë kaq të rëndësishme mospjesëmarrja është e pajustifikueshme.

Konferencierja e kësaj nate festive Z. Nerxhivane Ferati – Sejdiu u bëri një vështrim të gjitha periudhave nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria dhe populli i saj . Ajo në mes tjerash tha : Me gjithë tronditjet dhe përplaset që ka pasur Shqipëria nëpër shekuj populli i saj e ka ruajtur gjuhën dhe e ka ushqyer vazhdimisht dashurinë për jetën për lirinë për dritën për vendlindjen ,atdheun, artin, kulturën dhe njerëzimin.

Populli shqiptar e meriton respektin nga të gjithë ngase edhe sipas ekspertëve ndërkombëtar të historiografisë njihet si populli më i lashtë i Gadishullit Ballkanik.

Shqipëria të ardhmen e saj e sheh drejt Evropës së Bashkuar. Populli shqiptar i ndarë në Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi e Çamëri në partneritet me SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian duhet t’i kthehet trungut të tij ,me çfarë do të korrigjohej përfundimisht padrejtësia e Konferencës së Londrës dhe Berlinit ndaj shqiptarëve.
Kjo kërkesë është e përhershme dhe qartë e artikuluar nga vet populli i këtyre hapësirave potencoi Zonja Ferati - Sejdiu, me rastin e fjalës së mbajtur në këtë akademi solemne kushtuar procesit të shtetformimit të Shqipërisë dhe rrugëtimit 572 vjeçar të Flamurit të ngritur në Kalanë e Krujës nga kryeheroi ynë GJERGJ KASTRIOTI - SKËNDERBEU.

Pjesën artistike e hapi pianistja dhe pedagogia e njohur Ermira Zyrakja, e cila ekzekutoi me mjeshtëri të veçantë larushi vlerash të muzikës klasike .

Brezi i viteve të 80 –ta e mban mirë në mend Z. Ermira Zyrakja edhe si aktore. Ajo pati shkëlqyer me lojën e saj të përkryer në filmin “EJA”të regjisorit Piro Milkani.

Nxënësit e Mësimit Plotësues të Shkollës Shqipe nga Gjeneva, edhe pse të lindur larg vendlindjes deklamuan me vullnet e krenari vargje kushtuar Flamurit dhe figurave më të ndritura të kombit tonë. Mjaft mbresëlënëse me ekzekutimet e saj në piano ishte edhe vogëlushja Shila Basha, e cila që tani lëshoi shkëndija se në të ardhmen do jetë një nga emrat e njohur të muzikës klasike.

Plot gjallëri e pasion për vallen në skenë u shfaqen Ansamblet “Gëzuar” dhe “ Rinia Contact” të cilat për cilësinë e vallëzimit të tyre morën duartrokitje të gjata.

Veçmas Ansambli “Gëzuar” me interpretimin e mrekullueshëm të koreodramës kushtuar heroit të kombit Agim Ramadani ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit.

Aplaudimet drejtuar Ansamblit “Gëzuar” ushtuan në të gjitha anët e sallës të shoqëruara edhe me thirrjet në kor Rroftë Shqipëria dhe miqtë e saj.

Moment tjetër tejet interesant në programin e kësaj nate ishte dhe përfshirja tashmë tradicionale e të porsadiplomuarve shqiptarë në Fakultetet e Universitetit të Gjenevës.

Me këtë rast ideatori kësaj nisme inxh. Ali Sh Mehmeti Kryetar i “Komunitetit Shqiptar të Gjenevës” ndau mirënjohje për të diplomuarit në nivelin Master dhe për ata me titullin Doktor Shkence.

Z. Mehmeti duke ndarë gëzimin me këta të rinj tha: “Vetëm kështu jemi të barabartë midis të barabartëve.

Kontributi juaj në institucionet e shtetit zviceran përveç integrimit tuaj të mirëfilltë e miqëson edhe më tepër popullin tonë me vendasit.”

Suksesi i këtyre të rinjve sikur ia shtoi energjitë këngëtares sonë të mirënjohur Miranda Hashani . Ajo e ftuar nergut nga organizatori në këtë kremte dha gjithçka nga vetja vetëm e vetëm që auditori i kësaj mbrëmje të mbetet i kënaqur.

Minutat e ndarë për këngëtaren Mimoza Nazrako me origjinë nga Tirana u realizuan për mrekulli. Ajo e njohur me profesionalizmin e saj argëtoi shikuesit me potpuri këngësh të bukura të Shqipërisë së Mesme.

Festës së Flamurit edhe kësaj radhe nuk i munguan bashkëshortët aktiv Shpejtim e Afërditë Krasniqi. Ata në këtë jubile janë paraqitur me këngët kushtuar legjendarëve të historisë sonë më të re Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi e Xhevë LLadrofci , dhe heronjve të tjerë.

Në këtë mbrëmje janë plotësuar edhe dëshirat e atyre që preferojnë këngën folklorike. Enkas për adhuruesit e këtij zhanri muzikor ka kënduar Grupi” Rapsodët” nga Gjeneva pjesëmarrës të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Gjirokastra 2015”

Ky koncert me shumë artistë në nderim të simbolit tonë kombëtar dhe të 103 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar dëshmoi më së miri dashurinë e pakufishme të mërgimtarëve tanë ndaj Atdheut - Gjuhës dhe Kombit.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat