Vatra dhe bashkësia shqiptare në Nju Jork Kremtimi i 28 Nentorit ditës së Flamurit

Diaspora

Vatra dhe bashkësia shqiptare në Nju Jork Kremtimi i 28 Nentorit ditës së Flamurit

Nga: Beqir SINA - New York Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 07:21

BRONX NEW YORK : – Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA, dhe Bashkësia shqiptare në vijim të traditës shumë vjeçare, festojë mbrëm me një solemnitet të veçantë, 103 - Vjetorin e Shtetit të Pavarur Shqiptarë - Ditën e Flamurit Kombëtar : 28 Nëntorin 1912.

Me këtë rast rreth 500 shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova dhe viste shqiptare, janë bërë së bashku për të festuar ditën e flamurit kuq e zi- tek Vatra –

Kush ma mirë se sa Vatra, bënë së bashku në këtë ditë të shënuar, të gjithë shqiptarët e Amerikës, përfshirë klerikët e të tri besimeve tona, katolik, ortodoks, myslimanë dhe bektashllinjë.

Në këtë darkë solmne morën pjesë ; Dom Pjetër Popaj, nga Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, Pastor Fr. Nathan Preston – nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Shën Kollit në Bronx, Imam Edin Gjoni nga Qendra “Albanian Islamik Center” në Queens, NY.

Ndërkohë, simbas asaj – që në këtë darkë, quhet “rradha” e bekimit fetar, të manifestimit, e ka bekuar dhe përshendetur me një fjalë rasti, Imam Edin Gjoni nga Qendra “Albanian Islamik Center” në Queens, NY.

Mbrëmja e madhe festive, në sallën e lokalit të njohur “Maestro’s” në qytetin e Bronxit, e mbushur përplot me bashkëatdhetar, nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia, dhe diaspora, kushtuar kësaj date të madhe kombëtare, filloi me intonimin e hymnit kombëtarë, të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara - kënduar nga Dea Elezaj, anëtare e Korit të Fëmijëve të Nju Jorkut.

Më pas me një minutë heshtje, iu dha një nderim të gjithë të rënëve, dhe, të gjithë atyre që kontribuan në pavarësinë e shtetit shqiptarë.

Të pranishmeve në fillim i‘u drejtua udhëheqësja e kësaj mbrëmje festive, zonjusha Kozeta Turishta, e cila pasi uroi Ditën e Flamurit dhe prezantoi personalitetet e nderit të mbrëmjes festive, foli pak edhe për rëndësinë e kësaj feste, në mesin e shqiptarëve të Amerikës, vendin që ka zënë Dita e Flamurit 28 Nëntori në bashkësinë shqiptare, duke u festuar për shumë vjet nga famëmadhja Vatra e kolosve të kombit shqiptarë.

Përshëndetjen në emër të Vatrës - ua drejtojë pjesëmarrësve kryetari i degës së Kuinsit, dr. Skënder Myrtezani.
I cili pjesmarrjen në këtë darkë solemne, e vlerësoi si një nderimi më i madh, që shqiptarët e Amerikës, i bëjn festës së Flamurit kuq e zi, ditës më të rëndësishme për Shqiptarët, kudo që janë.

“Kjo mbrëmje festive, është një rast i mirë, që me respekt të thellë të faleminderojmë popullin Amerikan dhe udhëheqësit e saj, në mbështetjen e madhe dhe pa rezervë, që dhanë SHBA, jo vetëm të Pavarësisë së Republikës të Shqipërisë, por, edhe të lirisë e Pavarësisë së shtetit të Kosovës”, tha Myrtezani, duke shtuar se “shqiptarët në këto 103 vite me veprën e tyre, e radhitën kombin tonë, në familjen e kombeve më të emancipuara Europiane”.

Gjatë fjalës së tij, ai shpreu edhe një respekt të veçantë për të gjitha brezat, e vatranëve, “të cilët, me mësimet e Nolit, Konicës dhe shumë patriotëve të tjerë, radikalizuan veprimtarinë patriotike në një nivel më të lart, dhe më të suksesshëm, duke e bërë VATRËN, institucion jo-politik, gjithëmon në mbrojtje të interesave tona kombëtare”

Kurse, në fund në përshëndetjen në emër të Vatrës - me rastin e 28 Nëntorit, kryetari i degës së Kuinsit, dr. Skënder Myrtezani, faleminderojë mërgatën shqiptare në Amerikë, që e mbajtën dhe vazhdojnë të mbajnë gjallë, jo vetëm kulturën dhe traditën shqiptare, gjuhën e lashtë të bukur dhe të ëmbël shqipe, por, edhe atdhedashurinë e patriotizimin e flakët shqiptar.

Me përshëndetje rasti erdhën në kremtimin e 28 Nëntorit edhe dy përfaqësit diplomatike të dy shteteve tona, në Nju Jork, Konsullja e Shqipërisë Irena Dai, dhe i ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme, diplomati Ylber Kryeziu.

28 Nëntorin e përshëndeti edhe Ansambleisti i shtetit të Nju Jork-ut, Mark Gjonaj, si dhe zoti Harry Bajraktari, veprimtar i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan, biznesmen dhe themelues i gazetës “Illyria”.

“E përgëzoi VATRËN për këtë organizim të shkëlqyer, me rastin e 28 Nëntorit, ku jemi të përbashkuar shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trojet tona, për të kremtuar së bashku këtë festë të madhe, për mbar kombin Shqiptarë”, tha zoti Bajraktari, në përshëndetjen e tij.

Ai nënvizojë se për lirinë e Shqipërisë, kanë sakrifikuar jetën shumë Shqiptarë, të cilët ranë në fushëbeteja të ndryshme, kundër armiqve tanë, shekullorë. Këta martirë e dëshmorë që dhanë për lirinë e atdheut, duhet t’i kujtojmë vazhdimisht që të mos harrojmë të kaluarën dhe historinë tonë.

Gjithashtu, zoti Bajrakatari, ka kujtuar me këtë rast dy figurat e ndritura të lirisë nga Malësia e Gjakovës, Shaban Binakun dhe Avdulla Hoxhën.

“Më lejoni, që sonte para jush t’i them dy -tri fjalë për dy dëshmorë të kombit tonë nga Malësia e Gjakovës, Shaban Binakun dhe Avdulla Hoxhën, tha Bajraktari, dhe shtoi të cilët, për shkak të aktivitetit të tyre patriotik dhe luftërave që zhvilluan për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, u ndoqën kudo nga ushtria e xhonturqve derisa u ekzekutuan”

Duke e lidhur me pavarësinë e Shqipërisë, veprimtar i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan, kujtojë se pikërisht, para 105 vjetëve, më 27 Nëntor 1910, dy vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me urdhërine Durgut Pashës, xhonturqit, e pabesë në sheshin e pazarit në Gjakovë, varën publikisht Shaban Binakun e Abdulla Hoxhën, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend, tha ai.
Varjen e këtyre dy dëshmorve të kombit, Qeveria e Xhonturqeve, tha Bajraktari, e bëri publikisht me qëllim që ta friksonte masën popullore shqiptare, që ishte ngritur kundër këtij pushtuesi për të fituar lirinë e pavarësinë,

“Ndërsa, trupat e tyre u varrosën në Gjakovë, në oborrin e Tyrbes së Tahir Efendisë, tek Ura e Tabakve, ku janë edhe sot. Varaja e këtyre dy martirve shkaktoi zemërim të thellë te populli shqiptarë, sidomos në Malësinë e Gjakovës, i cili u thuri këngë këtyre dy martirve,” tha veprimtari i komunitetit Harry Bajraktari.

Mysafiri i nderit nga Shqipëria, miku i vjetër i Vatrës, profesor Uran Butka - shkrimtar, historian dhe politikan, Ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, përshëndeti festën me fjalën e tij : “VATRA e të gjithë Shqiptarëve”

Në vazhdim, festa e 28 Nëntorit, tek Vatra dhe bashkësia shqiptare, vazhdoi me muzikë me kangë e valle të traditës sonë që ruhen me mallë e dashuri me lidhjet shpirtërore me vendlindjen.

Këngë të muzikës klasike, të autoreve të njohur shqiptarë, solli në për 28 Nëntorin solisti i talentuar, baritoni i njohur Ergin Oda dhe flautistja e talentuar Lule Bllata.

Grupi i fëmijëve, që drejton artistja Pranvera Çobaj, interpretoi këngë dhe valle me motive popullore patriotike, duke e shtuar edhe më shumë gëzimin e festës së flamurit.

Më pas pjesmarrësit janë argëtuar deri vonë afër mesnatës me muzikën tonë të melosit popullor nga të gjitha trevat në shoqërimin e muzikës së përgatitur nga muzikani Bujar Uka, këngëtares Anila Uka dhe Kleoparta Skarco - Dokle.

Fjala e plotë “VATRA e të gjithë Shqiptarëve”, e profesor Uran Butka:

Jam i nderuar që jam i ftuari i “Vatrës” në këtë përvjetor të Ditës së Pavarësisë Kombëtare dhe që sjell përshëndetjet më të përzemërta nga Shqipëria: Gëzuar 28 Nëntori- dita e shenjtë e Flamurit!

Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali erdhi si rezultat i lëvizjeve të mëdha kulturore , politike dhe luftarake shqiptare, më së afërti qysh nga Komiteti i fshehtë i Manastirit 1905 dhe krijimi i çetave të para të lirisë, 1905, Kongresi i Alfabetit në Manastir 1908, Kongresi arsimor i Elbasanit 1909, kryengitjet e fuqishme antiosmane dhe çlirimtare në vitet 1910-1912 në Kosovë, Malësinë e Madhe dhe gjithë hapësirën shqiptare, paralelisht e pazgjidhmërisht edhe me lëvizjet atdhetare në Amerikë, që kulmuan me shoqatën Besë-Besën 1907, themelimin e Kishës shqiptare në Boston 1908, daljen e gazetes “Dielli” 1909 dhe themelimin e Shoqërisë Panshqiptare “Vatra”, 1912.

E them qysh në krye se këtë herë nuk vij si politikan, por si një pjesëz e kulturës kombëtare, që është shënja e kushti i parë e identitetit dhe mbijetesës sonë kombëtare.

Si shkrimtar, unë e ndiej dhe e çmoj lidhjen e gravitetin shpirtëror e mendor, flakën e pashuar të zjarrit të shqiptarizmit dhe sakrificën e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Amerikës për atdheun dhe kombin.
Si historian, e vlerësoj kontributin tuaj në luftën për liri, pavarësi e demokraci, që kulmon me shpalljen e Pavarësisë, formimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe integritetit teritorial nga coptimi i huaj, që kulmon me Konferencën e Paqes në Paris, ku i kishte dërguar delegatët e saj “Vatra”. Po ashtu, në luftën kundër komunizmit dhe diktaturës çnjerëzore gjysëmshekullore staliniste dhe rrëzimin e saj, si edhe në mbështetje të proceseve demokratike, që kulmuan në vetet ’90 dhe në vazhdim.
Aspekti tjetër i rëndësishëm i kontributit historik të shqiptarëve të Amerikës, është ushqimi dhe ndikimi i lobit shqiptar të Amerikës tek politika amerikane në favor të çështjes shqiptare. Theksoj se lidhja dhe bashkëpunimi i pashkëputur me SHBA, mikun dhe aleatin tonë të madh, është siguruar , jo aq nga shqiptarët në Shqipëri, sesa nga shqiptarët e Amerikës, veçanërisht të “Vatrës”, në një përpjekje titanike nëpër shekuj. Mjafton të përmendim personalitetet e shquara: Nolin, Konicën, Kirkën, Frashërin, Pecin, Tromarën, Omarin, Çekrezin, Panaritin, Dakon, Floqin, Qiriaqët, Përmetin, Kallajxhiun, Pipën e të tjerë, deri tek zotërinjtë e nderuar Agim Karagjozi, Gjon Buçaj, Nikolla Pano , Sami Repishti,Elez Biberaj, Harri Bajraktari, Rrustem Gecaj, Frans Grishaj e të tjerë.

Ne duhet t’i jemi mirënjohës për jetë SHBA, presidentit Klinton dhe NATO-s, që kryesuan luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës nga kolonizatorët serbë, të cilët kryen masakra dhe shpërngulje biblike ndaj shqiptarëve të Kosovës, të njëjta si ato të terroristëve të sotëm të Isisit.

Theksoj se shqiptarët e Amerikës, vecanërisht ish-kongresmeni dhe kryetari i Ligës Shqiptaro-amerikane z.Jozef Diguardi, kontributi i të cilit ende nuk është vlerësuar sa duhet, ishin të parët që ndihmësuan në luftën për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, që është fitorja më e madhe e kombit tonë, pas pavarësisë së Shqipërisë të virtit 1912.

Si publicist, çmoj, së pari “Zërin e Amerikës” një zë i fuqishëm,që vinte e vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe ngjallte e ngjall mbështetje, shpresë e veprim drejt përparimit në kohët më të veshtira të historisë sonë dramatike, me këtë rast uroj analistin dhe studiuesin Ilir Konomi. Vlerësoj lartesisht gazetën “Dielli”, që ka ndriçuar si një diell kombin në kohët më të errëta të tij. Me këtë rast përshëndes z.Dalip Greca, editorin e sotëm të “Diellit”, në vazhdën e “Diellit” të dikurshëm që s’do të perëndojë kurrë. Po ashtu edhe gazetën Illyria dhe botuesin Vehbi Bajrami, si edhe gjithë mediat shqiptare, që emetojnë në territorin e ShBA .

Mund të them pa e tepruar, se ekzistenca dhe përparimi i Shqipërisë dhe i kombit nuk do të ishin siguruar pa përpjekjen e Vatrës, vatranëve, shoqatave të tjera shqiptaro-amerikane dhe gjithë shqiptarëve të Amerikës ,

Por unë mendoj se ato janë të lidhura pazgjidhmërisht edhe me ju të sotmit , intelektualë të njohur , bisnesmenë, studentë, punonjës të thjeshtë, por me shpirt shqiptari. Sot Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Çamëri kanë nevojë për fjalën dhe ndihmën tuaj. Jetojmë në një kohë të vështirë, të krizave të brendshme morale, ekonomike e politike, por edhe të rreziqeve të mëdha, që vijnë nga konfliktet rajonale e botërore, veçanërisht nga terrorizmi.

Shqipëria e Kosova, si dy shtete shqiptare, krahas arritjeve si vende të lira e demokratike, dëshmojnë njëherësh edhe probleme të mëdha , që kërkojnë zgjidhje. Ato luftojnë me vetveten për të mposhtur të keqen e trashëguar nga e shkuara, jo vetëm komuniste, por edhe e tranzicionit të zgjatur e të dhimbshëm, për shkak të mendësive e politikave konfliktuale, korrupsionit të lartë, mungesës së një shteti ligjor, por edhe të një qytetarie dhe tradite demokratike të munguar. Përpjekja për t’u integruar në bashkimin Europoian, pavarësisht nga pengimet dhe mangësitë, si dhe orientimi euro-atlantik, ku busull ka qenë dhe mbetet SHBA, është drejtimi i duhur, ashtu si edhe lufta kundër terrorizmit, që kërcënon jetën dhe paqen e njerëzimit. Por në politikat e sotme duhet forcuar fryma kombëtare e demoktatike, si edhe reformat e thella në të gjitha fushat, sidomos ato ekonomike dhe të sundimit të ligjit. Kjo kërkon një klasë politike të re, jo si ajo me mendësi komuniste, apo e inkriminuar, që dominon në Shqipëri e Kosovë, kërkon një gjeneratë intelektuale kombëtare dhe profesioniste, si ajo që shkollohet në ShBA dhe vendet perëndimore , kërkon një reagim aktiv qytetar, dhe institucional ndaj politikave të mbrapshta, të brendshme e të jashtme, sidomos ndaj atyre antishqiptare serbe dhe greke.

Mendoj gjithashtu, se ruajtja e harmonisë fetare, një aset i cmuar dhe model për të gjithë botën e qytetëruar, është një imperativ dhe shëmbëlltyrë, sidomos në këto kohë të trazuara.
Së fundi, mendoj se Vatra juaj, vatra e gjithë shqiptarëve, duhet të ngrihet në një nivel tjetër, që t'i përgjigjet zhvillimeve kombëtare, ashtu si në kohën Nolit, Konicës e Kirkës, për të përballuar sfidat e kohës së sotme dhe të së ardhmes shqiptare.

Unë kam besim tek e ardhmja e shqiptarëve, tek inteligjencia, karakteri, përkatësia europiane dhe sidomos fryma kombëtare, që do t’i bashkojë edhe më shumë shqiptarët shpirtërisht mes vedi, por edhe në një shtet të vetëm kombëtar.

Zoti ju bekoftë dhe mbrothësoftë, juve dhe gjithë shqiptart kudo janë! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashuara të Amerikës!

Nga mot gëzuar Ditën e Flamurit!










Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat