Zvicër: Filluan “Ditët e kulturës shqiptare” me sopranon Matoshi

Diaspora

Zvicër: Filluan “Ditët e kulturës shqiptare” me sopranon Matoshi

Nga: Fitim Dika Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 11:24

“Ditët e kulturës shqiptare” janë hapur të Mërkurën mbrëma, 25.11.2015, në Cyrih të Zvicrës nga sopranoja e njohur shqiptare Sanije Matoshi në përcjelljen me piano nga Elizabeta Musliu.

Këngët që emocionin diasporën shqiptare dhe që u intepretuan zëshëm nga artistet shqiptare ishin këngë e njohura popullore, “Vajta kalova”, “Margjelo”, “Vajzat më të bukura të vendit tim”

„Ishte emocionuese të prezantosh para njerëzve tanë që jetojnë jashtë vendit në diasporë. Me të vërtetë ishte emocionuese, por unë besoj që me këtë program kam përcjellë mesazhe te njerëzit tanë se me të vërtetë duhet ta ruajmë gjuhën, vlerat tona kombëtare, muzikën tonë dhe kulturën“, ka deklaruar për albinfo.ch sopranoja nga Kosova, Sanije Matoshi, përcjell Bota sot.

Ajo shprehi edhe dëshirën që në të ardhmen përvecc publikut shqiptar të marrin pjesë edhe grupe tjera etnike, si zviceranët.

„Më shumë më bën përshtypje kur i kemi njerëzit tanë këtu, dhe mendoj se duhet të bëjmë më shumë për t’i ngritur vlerat tona kulturore dhe gradualisht të marrin vesh edhe të tjerët përmes nesh se kemi vlera të pasura kulturore“, thotë Matoshi për albinfo.

„Jam përpjekur gjithmonë të ruajmë identitetin tonë shqiptar duke krijuar muzikën artistike shqiptare, edhe pse janë të paktë ata që iu kanë qëndruar besnik vlerave dhe qëndron një realitet i hidhur kur njerëzit që qeverisin në Kosovë mendojnë se është luks të përkrahet një muzikë e tillë, por unë shpresoj se do të vijnë njerëz që do përkrahin trashëgiminë e vlerave tona, sepse ky është identiteti jonë dhe nëse mbrohet në Kosovë, mbrohet edhe nga qytetarët jashtë vendit“, deklaroi sopranoja Matoshi që perfomonte për herë të parë në Zvicër.

Mbrëmjen këtë herë e ka moderuar aktori i njohur në diasporë, Ramadan Morina, ndërsa „Ditët e Kulturës Shqiptare“ do të vazhdojnë nesër mbrëma në Bibliotekën Pestalozi, ku do të jepet shfaqja teatrale „Gishti“ nga dy aktoret e Kosovës, Teuta Krasniqi dhe Irena Cahani.

Ndërsa, më 30 nëntor, nga ora 18 do të shfaqen projekte filmike të shkurtra nga Prishtina dhe Tirana./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat