Vepra e Fan Nolit, një monument i pavdekshëm

Diaspora

Vepra e Fan Nolit, një monument i pavdekshëm

Nga: F.Memelli Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 07:51

Pas një pune përgatitore, në mjediset e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, u organizua një simpozium me rastin e 50 vjetorit të ndarjes nga jeta të fan Nolit. Siç dihet Noli ka ndrruar jetë në mars të vitit 1965, por veprimtaria u organizua në prag të festave të Nëntorit si dhe Ditës së Falenderimeve. Edhe kjo kishte simbolikën e vet.

Organizatorë të kësaj veprimtarie ishin : Katedralja e Shën Gjergjit, Kryepeshkopata Orthodokse Shqiptare si dhe Biblioteka e Arkivi i Nolit. Bashkëpunuan për këtë veprimtari edhe Shoqata Mass.Besa, Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, etj. Kordinatorja e këtij eventi,Neka Doko, punonjëse e bibliotekës noliane si dhe e arkivit të tij, kishte bërë një punë të veçantë, që programi të përmbante jo vetëm referime por edhe muzikë,recitime, ekspozitë me foto e botime për Nolin, etj.

Veprimtaria nisi me meshën e drejtuar nga At Artur Liolini, kancelar i kësaj kishe. Duke folur në fund të meshës për Nolin, ai theksoi:” Sot përkujtojmë 50 vjetorin e ndarjes nga jeta të imzot Nolit. Ai ndrroi jetë por, me mësimet dhe veprën e tij, është gjithëmonë mes nesh”.

Pas meshës, si një interval çlodhës, u vazhdua me një program muzikor.Pianistja Lidiana Morcka , e cila kishte ardhur nga Usteri, luajti në piano sonatën e Hënës të Bethovenit, të cilën Noli e pëlqente aq shumë. Programin muzikor e vazhdoi violinistja dhe këngëtarja,Olsa Papandili, shoqëruar në piano nga kompozitori i njohur, Valentin Veizi. Ajo këndoi disa këngë shqiptare, të cilat u shoqëruan edhe nga pjesëmarrësit, duke krijuar një atmosferë të gëzueshme. Mësuam se Olsa ka mbaruar Akademinë e Arteve dhe ka punuar violiniste në Top Channell.

Pastaj filloi simpoziumi, ku referimet ishin më shumë ishin në anglisht se sa në shqip. Megjithë sugjerimet që u bënë nga pjesëmarrës për të folur në shqip, u vazhdua ashtu siç ishte planifikuar. Ndër referimet kryesore që ngjalli interes te pjesëmarrësit, qe fjala e historianit Thanas Gjika ( pasi ishte edhe në shqip) me temë:” Mendimet e Nolit-aktuale e dhe për sot”. Thelbi i referatës së tij ishte këndvështrimi i Nolit për katër fetë e besimeve të shqiptarëve: myslimane, orthodokse, katolike dhe bektashiane.Në vitin 1908, sapo Noli u bë prift, shkroi një artikull problemor ku theksonte se fetë e shqiptarëve, nuk mund t’i ndryshojmë dot. Besimet fetare në vetvete, nuk janë të këqia. Na duhen klerikë atdhetarë e të përkushtuar,jo vegla të të tjerëve. Këto mendime të Nolit, i mbështeti menjherë Faik Konica, dipllomati i shquar shqiptar në Amerikë. Po të ishin zbatuar mësimet e Nolit, nuk do ishin sjellë në Shqipëri klerikë të huaj, theksoi historiani Thanas Gjika.

Si një intermexo e sesionit përkujtimor, ishte dorëzimi i punimit në relief i figurës së Niolit nga skulptori, Ndriçim Bejko, punim të cilin ia dorëzoi At Artur Liolinit.-Në këtë përvjetor të Nolit, u mundova të bëj diçka për këtë figurë të madhe të kombit tonë, theksoi autori i këtij punimi.

Kryetari i “ Vatrës”, i cili kishte ardhur nga Neë Yorku për ngjarje të shënuar, u ndal në disa momente të veçanta të kontributit të Nolit. Ai theksoi kontributin e tij në themelimin e Shoqatës Panshqiptare “ Vatra” në vitin 1912, tok me Faik Konicën e patriotë të tjerë shqiptarë në Amerikë, veprimtaria e të cilës vazhdon edhe sot pas 100 e ca vjetësh. Kontribut tjetër i shquar i Nolit, vazhdoi referuesi, është puna e tij e madhe për forcimin e lidhjeve miqësore me Sh. B.A.-në. Në korrikun e vitit 1918, ai mori premtimin e presidentit amerikan Ëillson, për shpëtimin e Shqipërisë nga coptimi, premtim të cilin presidenti amerikan e mbajti në Konferencën e Paqes. Nolit i dedikohet edhe pranimi i Shqipërisë në Lidhen e Kombeve, paraardhëse e O.K.B.-së. Me fjalimin e bukur që mbajti në Gjenevë, me anglishten e tij të përsosur, me veshjen e peshkopit dhe kryqin e madh në gjoks, i bindi përfaqësuesit e fuqive të mëdha se shqiptarët nuk janë turq. Në vitin 1909, ai themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare dhe përkëtheu liturgjinë nga greqishtja në shqip, që besimtarët orthodoksë të luteshin në gjuhën amëtare.

Me interes u ndoq edhe referimi i Agron Alibalit,me titull:” Fan Noli- lider i qeverisë shqiptare të ligjshëm në mërgim- viti 1908”. Referuesi kishte shfrytëzuar arkivat amerikane si dhe publikime të tjera . Noli akuzohej nga njerzit dashakeqës si komunist. Për këtë ai u përgjua edhe nga F.B. I.- ja amerikane, nga viti 1946 deri më 1950.

Meqë nuk dinte shqip, ajo shfrytëzoi tre njerez me origjinë shqiptare, theksoi referuesi. Më 1950 , kjo strukturë mbylli hetimet ndaj tij. Një agjent i F. F. I.- së që pati ndjekur këtë problem, në mbyllje të dosjes ,kishte theksuar se Noli nuk është komunist, por një udhëheqësi shquar i komunitetit të vet.

Dipllomati Mal Berisha, ish ambasador i Shqipërisë në Angli, pasi vlerësoi figurën e Nolit, tregoi se kur kishte qënë konsull i Përgjithshëm në Turqi, tok me një studjues amerikan dhe një turk, kishin shkuar në Ibrik Tepe, ne vendlindjen e Nolit. Aty kishin takuar kryetarin e bashkisë dhe i folën për figurën e Fan Nolit, për të cilën kryebashkiaku nuk kishte dijeni. Pasi i dhuruan edhe 5 vëllime me shkrime të Nolit, i kishte kërkuar që në Ibrik Tepe, të vendosej një bust i Nolit. Kjo kërkesë ishte realizuar nga qeveria shqiptare në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Shqipërisë dhe 130 vjetorit të lindjes së Fan Nolit. Dipllomati Mal Berisha i dorëzoi At Artur Liolinit, libra të tij për bibliotekën noliane.

Në emër të shqiptarëve të Usterit dhe besimtarëve të kishës”Fjetja e Shën Mërisë” të këtij qyteti, foli dardhari Franklin Zdruli. Përkujtimi i kësaj ngjarje të shënuar, e cila organizohet në prag të festive të Nëntorit si dhe Ditës së Falenderimeve, është një dhuratë e bukur për komunitetin shqiptar të Amerikës. Vepra e Nolit, është shkëndia dhe zjarri që vloi në zemrat e shqiptarëve , për rilindjen e identitetit kombëtar, theksoi folësi. Ai falenderoi në mënyrë të veçantë At Artur Liolinin, për për mbajtjen gjallë të frymës noliane në kishën e Shën Gjergjit, e cila është bërë një vatër e ngrohtë jo vetëm për besimtarët orthodoksë, por edhe ata të besimeve të tjera shqiptare që jetojnë në Amerikë, të cilët e quajnë këtë kishë si shtëpinë e tyre.

Dardhari tjetër, Sotir Pani, u ndal te lidhja që kanë patur të parët e tij, gjyshi Josifi dhe i jati , Vasil Pani, me Fan Nolin dhe Konicën si dhe kontributin që kanë dhënë ata për “Vatrën”. I jati, Vasili, ka qënë 15 vjet vjet kryetar i Vatrës dhe një shok besnik i Nolit e Konicës. Duke vlerësuar Vasilin, Noli është shprehur se ai ka qënë në krye të taborit të shqiptarizmës, theksoi folësi. Në nderim të Vatrës, Sotiri ka ngritur një muze familjar në vendlindjen e tij, në Dardhë të Korçës.

Vargjet e Nolit kushtuar Luigj Gurakuqit, jehuan në sallë nga recitimi i aktorit, Juli Nënshati, i kudondhodhur në veprimtaritë e shqiptarëve të Bostonit. Ai gjithashtu lexoi pjesën”Krishti me kamxhikun” shkruar nga Noli, mesazhi i të cilës ishte se lirinë e sjell drita e mëndjes, jo kamxhiku. Poezi të Nolit u recituan edhe nga fëmijë të shkollës shqipe në Boston.

Shkrimtarja Raimonda Moisiu, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë, mbajti referatin: “Fan Noli ndërmjet botës hyjnore dhe njerezore”. Ajo gjithashtu lexoi pjesën nga vepra e shkrimtarit Nasho Jorgaqi për Fan Nolin, ku flitet për ditët e fundit të jetës së Nolit si dhe për vdekjen e tij. Yllka Filipi mbajti kumtesën:” Fan Noli ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës, symbol i vetëflijimit për interest kombëtare”. Shkrimin e Nikolla Panos ” Trashëgimia e dhe amaneti i Fan Nolit” e lexoi Stefanie Callahan, ndërsa Adelajda Jasperse, përshëndeti në emër të Shoqatës Mass. Besa.

Ja, kështu u mbyll kjo veprimtari kushtuar figurës së shquar të Fan Stilian Nolit, vepra e të cilit, përbën një monument të pavdekshëm.

VLERËSIME TË FIGURAVE TË SHQUARA PËR NOLIN

Konrtibutin e gjithanshëm të Nolit, e kanë vleresuar figura të shquara kombëtare e ndërkombëtare. Më poshtë po japim vetëm disa vlerësime të bëra nga figura të shquara shqiptare.

Faik Konica: Nolin a ka dhuruar historinë më të mirë të Skënderbeut, heroit tonë kombëtar.Përdorimi i gjuhës shqipe në liturgji,është e arrira e tij më e madhe.Dita që ai mbajti meshën e parë të tij në shqipet, është një kthesë në historinë e Rilindjes shqiptare.

Lefter Dilo: Fan Noli është oratori ynë më i madh.

Mitrush Kuteli: Fan Noli është mjeshtër i krijimit të gjuhës letrare shqipe. Stili i tij është i fuqishëm, i rrëmbyeshëm, lirik dhe epik njëkohësisht. Ai përfaqëson shpirtin heroik të racës sonë.

Sotir Peci: Fan Noli është apostull i Shqipërisë. Ai vetoi në qiellin tonë si meteori shkrepëtues.

Milto Sotir Gura: Do të duhen vëllime të të tëra për të përshkruar veprën e këtij titani të Rilindjes Shqiptare.
Rexhep Qosja: Merita më e madhe e Nolit si shkrimtar dhe burrë shteti, është se ai ka sjellë nxitje, ide dhe lëvizje të reja shpirtërore në kulturën dhe jetën tonë përgjithësisht; ai e ka pasuruar popullin shqiptar me një frymë të re.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat