Problemi i Luginës së Preshevës trajtohet në Departamentit Amerikan të Shtetit!

Diaspora

Problemi i Luginës së Preshevës trajtohet në Departamentit Amerikan të Shtetit!

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 21:38

Washington, DC:Në ditën e parë të vizitës zyrtare në SHBA, delegacioni i Luginës së Preshevës i kryesuar nga Kryetarët e Komunave të Preshevës dhe Bujanocit, z. Ragmi Mustafa dhe z. Nagip Arifi, pati një sërë takimesh të rëndësishme. Temë kryesore e këtyre takimeve ka qenë çështja ende e pazgjidhur e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Delegacioni i Luginës, në përbërje të së cilit përveç kryetarëve të komunave shqiptare ne Luginë janë edhe z. Faton Bislimi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me bashkëpunëtorët z. Xhevat Latifi, gazetar, dhe z. Sherif Sherifi, avokat, sot u prit në një takim të veçantë nga Drejtori i Byrosë për Evropën Qendrore dhe Lindore në Departamentin e Shtetit, z.Tom Yazdgerdi me bashkëpunëtorët e vet.
Ky takim në Departamentin e Shtetit shënon një kthesë historike për çështjen e Luginës së Preshevës, sepse e vendosë atë në agjendën e politikës së jashtme amerikane si pikë me rëndësi në Ballkan. Kryetari Mustafa dhe Kryetari Arifi shpalosën në mënyrë të argumentuar dhe faktike gjendjen e rendë me të cilën përballën shqiptarët në Luginë, duke përmendur dhe elaboruar çështjen e varfërisë dhe papunësisë së madhe, mungesën e zhvillimit ekonomik, mungesën e të drejtave dhe lirive bazike njerëzore (si atë të përdorimit të simboleve kombëtare, psh), diskriminimin etnik në punësim në institucionet shtetërore, etj. “Serbia tani po përdorë metoda moderne për të larguar sa më shumë shqiptarë nga Lugina,” ka thënë Mustafa. “Ne jemi të trajtuar si qytetarë të dorës së dyte,” ka shtuar Arifi, ndër të tjera. Tutje, ata kanë elaboruar edhe problematiken me materialet shkollore të bllokuara në piken doganore tani e një muaj, si dhe kanë theksuar problematiken e standardeve të dyfishta që Serbia përdore ndaj shqiptareve në krahasim me minoritetet tjera në Serbi. Ndërkohë, aty u diskutua edhe për përballimin dinjitoz të krizës së refugjatëve sirianë nga ana e Komunës së Preshevës dhe asaj të Bujanocit.

Si kundërpërgjigje politike ndaj diskriminimit të vazhdueshëm shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Luginë, delegacioni njoftoi z. Yazdgerdi me vendimin e asamblistëve shqiptarë të Luginës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Serbi.
Nga ana e tij, z. Yazdgerdi ka shprehë përkrahjen e tij dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit për qasjen serioze dhe racionale të lidershipit shqiptar në Luginë, si dhe ka ndarë më delegacionin shqetësimin për problematikën në Luginë. Z. Yazdgeri ka theksuar se krijimi i një asociacioni ne bashkërendon veprimet ndërmjet autoriteteve lokale ne Lugine në suaza të kompetencave të tyre është veprim i pranueshëm. Ai ka shpreh gatishmërinë e administratës amerikane për të vazhduar involvimin diplomatik dhe zhvillimor në Luginë dhe në rajon në përgjithësi. Ai ka falënderuar sinqerisht delegacionin për vizitën e tyre si dhe ka kërkuar që ky komunikim direkt më Washingtonin të vazhdohet edhe në të ardhmen.

Gjatë ditës, delegacioni për çështjen e Luginës, është pritur në takim edhe nga Ambasadorja e Shqipërisë në Washington, znj. Floreta Fader, me të cilën është diskutuar për problematikën shqiptare në Luginë.

Në ditët në vijim, delegacioni do të zhvillojë takime edhe në Kongresin e SHBA-ve, respektivisht me Komisionin Kongresional për të Drejtat e Njeriut “Tom Lantos”. Ky komision që ka bashkudhëheqës nga dy kongresiste, një republikan dhe nje demokrat, mbanë emrin e përkrahësit më të madh të çështjes shqiptare në Kongresin e SHBA-ve, z. Tom Lantos. / XLPress.tv/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat