Angli: Në gjyq familja shqiptare, akuzohet për trafik kokaine

Diaspora

Angli: Në gjyq familja shqiptare, akuzohet për trafik kokaine

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 19:11

Tre shtetas shqiptarë, të së njëjtës familje, kanë dalë përpara gjyqtarëve të “Portsmouth Crown Court”, të akuzuar për shitje kokaine dhe pastrim parash gjatë periudhës Qershor 2013 – Tetor 2014.

Skënder Ymeraj, 25 vjeç; vëllai i tij Lorenc Ymeraj, 31 vjeç; si dhe Lulejta Ymeraj, 30 vjeç, të tre me banim në qytetin Portsmouthit, ishin pjesë e një grupi kriminal prej 14 vetash të arrestuar disa muaj më parë.

Prokurori Barnaby Shaw i tha gjykatës se, vëllezërit Skënder dhe Lorenc Ymeraj ishin në kontakt me një tjetër shqiptar, Agim Deganin, i cili ishte në një burg në Uells.

Agim Degani, i cili tashmë është liruar nga burgu dhe është dëbuar në Shqipëri, – tha prokurori, – në kohën e vuajtjes së dënimit i lidhi vëllezërit Ymeraj me një person në veri të Londrës, i cili njihej me pseudonimin “Logistics”.

Sipas prokurorit, Degani organizoi shitjen e drogës te Samuel McNamee, anëtar i këtij grupi kriminal.

Mediet lokale në Portsmouth, që raportojnë këtë proces gjyqësor, shkruajnë se Lorenc dhe Skënder Ymeraj akuzohen për shitje droge të cilësisë së parë.

Ndërsa Luljeta Ymeraj akuzohet për posedim me dijeni të përfitimeve monetare dhe materiale, të siguruara nga aktivitete kriminale gjatë periudhës 3 mars 2010 deri më 21 shtator 2014.

Gjyqi parashikohet të zgjasë 10 javë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat