Belgjika shpall ‘non Grata’ nënën, fëmija ilegale prej 5 vitesh

Diaspora

Belgjika shpall ‘non Grata’ nënën, fëmija ilegale prej 5 vitesh

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 08:46

Dëgjohet shpesh për persona që kanë ndërruar jetë dhe vazhdojnë të figurojnë të regjistruar në gjendjet civile, por një 5-vjeçare nuk ekziston në asnjë vend si shtetase shqiptare. Ejona Jerlia, 5 vjeçe, e lindur në një qendër për të huajt në Belgjikë, nuk mund të pajiset me certifikatë në vendin tonë.

Autoritetet i kërkojnë certifikatën e lindjes, e cila ndodhet në shtetin belg. Historia e vogëlushes nis që në barkun e nënës, kur dhunohej sistematikisht nga bashkëjetuesi i saj në Kosovë. Lumturie Balla, gjyshja e vogëlushes, e cila jeton në lagjen 13 të Durrësit, rrëfen se prej 4 vitesh sorollatet nëpër institucione për të regjistruar mbesën, por pa asnjë mundësi.

E gjithë kjo kur Belgjika e ka përzënë nënën e Ejonës e veç kësaj, ajo vuan nga probleme shëndetësore dhe është shtruar në spitalin psikiatrik.

Pse nuk mund të pajiset me certifikatë Ejona?
Është një histori shumë e gjatë. Jemi munduar, duke bërë të pamundurën për të regjistruar vajzën, por pas përpjekjeve 4-vjeçare nuk kemi mundur ta regjistrojmë akoma Ejonën. Nuk kemi lënë institucion pa kërkuar ndihmë, duke nisur nga Ministria e Mirëqenies Sociale deri te Kryeministri Rama, i cili na drejtoi te zyra e migracionit për të gjetur një zgjidhje. Autoritetet shqiptare, për të regjistruar vajzën, kërkojnë certifikatën e lindjes së vajzës, e cila ndodhet në një qendër për azilantë në Belgjikë. Pa atë nuk mund të regjistrohet.

Çfarë ju thanë te zyra e migracionit?
Përgjigjja duket sheshit. Kemi disa muaj që kemi paraqitur pranë këtij institucioni kërkesën tonë për t’u lidhur me shtetin belg dhe konkretisht me qendrën e azilantëve, ku lindi vajza dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Duket si një histori e koklavitur kjo e Ejonës.

Mund të na tregoni çfarë ka ndodhur konkretisht me vajzën?
Ne jemi një familje me prejardhje nga Kosova, por prej pesë-gjashtë dekadash jetojmë këtu, në lagjen 13 të qytetit të Durrësit. Në vitin 1997, vajza ime, 16 vjeçe, humbi jetën në një aksident, të shkaktuar nga një person, i cili jeton pranë shtëpisë sonë. E përjetuam shumë keq atë periudhë, ndaj vendosëm të shkonim të jetonim në Kosovë, te të afërmit tanë.

Çfarë ndodhi kur shkuat në Kosovë?
Vajza ime, nëna e Ejonës, Suela, u dashurua me një shtetas kosovar dhe bashkëjetonte me të. Gjatë lidhjes së tyre ata lindën një djalë. Ai e dhunonte dhe e keqtrajtonte Suelën sistematikisht. Pak vite më vonë, Suela ngeli sërish shtatzënë me Ejonën. Edhe pse ishte shtatzënë, ai e rrahu një herë keq, i theu kafazin e kraharorit dhe njërin krah.

Pse nuk i drejtohej Suela policisë?
Suela bëri denoncim në Policinë e Ferizajt, por kjo e fundit nuk mori asnjë masë kundrejt atij personi, i cili po bëhej shumë i frikshëm, sepse nisi të kërcënonte vajzën (Suelën). Në këto kushte, Suela mori djalin dhe ashtu shtatzënë u nis drejt Belgjikës për të kërkuar azil. Ajo mbërriti me djalin në Belgjike pa asnjë dokument identifikimi. Ata u regjistruan si shtetas kosovarë, pasi kosovarët përfitonin para disa vitesh (viti 2010).

Me çfarë identitetesh u regjistruan Suela dhe djali në qendrën e azilantëve?
Për të qëndruar sa më larg personit prej të cilit u arratisën, Suela ishte regjistruar me identitetin Suela Jerlia, mbiemrin e bashkëjetuesit dhe babait të dy fëmijëve të saj, me qëllim që këtij të fundit të mos i shkonte mendja t’i gjente me këtë mbiemër. Vajza mbante mbiemrin e saj gjatë kohës që ishte e lidhur me atë person.

Në azil e lindi Suela Ejonën?
Po, e lindi në azil. Aty i ka vajza të gjitha dokumentet, por duhet që njëri prej prindërve t’i tërheqë pasi asnjë person tjetër nuk ka kompetencë. Suela është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndodhet në Tiranë. Por edhe sikur të ishte në rregull fizikisht, Suela nuk mund të udhëtojë drejt Belgjikës, pasi rezulton person “non grata” nga shteti belg.

Për çfarë arsyeje e konsiderojnë person të padëshiruar brenda territorit belg Suelën?
Me gjithë problemet që kishte lënë pas, Suela dhe fëmijët nuk e fituan dot azilin. Pak kohë pasi lindi vajza, Ejona, qendra i kërkoi Suelës të kthehej në Kosovë, pasi nuk e fitonte azilin. E vendosur për të mos u kthyer sërish në Kosovë, pasi kishte frikë nga ish-bashkëjetuesi, Suela u largua natën nga qendra së bashku me dy fëmijët. Ajo la gjithë dokumentet në qendër. Fillimisht ajo u largua nga Belgjika drejt Parisit dhe nga aty në Milano. Më mori në telefon dhe kërkonte të kthehej në shtëpi. I dërgova paratë dhe erdhi pas disa ditësh në Durrës. Kjo është historia. Që prej katër vitesh përpiqemi të regjistrojmë vajzën dhe nuk kemi mundur. Vajza nuk mund të shkojë as në kopsht dhe as në shkollë, pasi nuk ka mjet identifikimi për t’u regjistruar. Zyra e gjendjes civile në Durrës, për të regjistruar 5-vjeçaren, kërkon certifikatën e lindjes në Belgjikë, por nëna e saj, e cila nga shqetësimet është shtruar prej dy javësh në spitalin psikiatrik, nuk mund të udhëtojë në shtetin belg, sepse ka urdhër të mos shkelë për 5 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat