Murati viziton bashkatdhetarët në Kopër të Sllovenisë

Diaspora

Murati viziton bashkatdhetarët në Kopër të Sllovenisë

Më: 27 shtator 2015 Në ora: 11:27

Në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Sllovenisë, pas takimeve me Ministrin slloven për diasporën, kryetarin e komunës së Lubjanës dhe përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në këtë shtet, Ministri i Diasporës, Valon Murati takoi edhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Kopër.

Vizita në këtë komunë u bë me rastin e përkujtimit të familjes së njohur fisnike shqiptare Bruti, e cila ishte me prejardhje nga Durrësi e që në Kopër u vendos në fund të shekullit 16. Në këtë ngjarje prezent ishte edhe Kryetari i Koprit, Boris Popoviq si dhe bashkatdhetarë nga shtete tjera si Kroacia e Italia.

Ministri Murati në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi Shoqatën Kulturore Shqiptare “Iliria” për punën e bërë me komunitetin e kësaj zone, në përgjithësi, dhe organizimin e kësaj ngjarjeje në veçanti. Gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij për institucionet e ndryshme të Koprit lidhur me përkrahjen e komunitetit shqiptar të kësaj zone duke theksuar se “shembulli më i mirë i marrëdhënieve të hershme të mira midis sllovenëve dhe shqiptarëve është vetë historia e familjes Bruti”. Ministri i Diasporës, Murati më pas vizitoi edhe ekspozitën e artistit të njohur shqiptar z. Gani Llaloshi.

Ministri i Diasporës u prit edhe në një takim të veçantë nga Kryetari i Koprit, z. Boris Popoviq, nga i cili kërkoi vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të përkrahjes për bashkatdhetarët tanë që janë qytetarë të komunës së udhëhequr nga ai. Nga ana tjetër, Popoviq e falënderoi Ministrin Murati për vizitën e tij dhe shprehu vullnetin e gatishmërinë për t’ju përgjigjur nevojave të komunitetit shqiptar në Kopër.

Gjatë vizitave Ministri Murati ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni z. Nexhmi Rexhepi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat