​Kosova dhe Shqipëria tentojnë t’i kthejnë shqiptarët e suksesshëm

Diaspora

​Kosova dhe Shqipëria tentojnë t’i kthejnë shqiptarët e suksesshëm

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 07:29

(E plotësuar) Studentët e rinj të cilët po studiojnë jashtë vendit, po nxiten që ata pas përfundimit t’i kthehen vendit, ku në këtë mënyrë do të mund të ndihmojnë tranzicionin e vendit.

Atyre iu bë thirrje që të aplikojnë në administratat shqiptare. Këta studiues profesional të diasporës pritet të ndihmojnë demokracinë e vendit dhe të bëhen pjesë integruese e shoqërisë në vendin ku jetojnë.

Kështu u tha në organizimin e sotshëm, ku edhe po shënohet dita e mërgimtarëve. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Ministria e Diasporës, dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë Blendi Klosi, organizuan për të parën herë Forumin e krijimit të Unionit të studentëve të rinj të Diasporës.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, tha se diaspora shqiptare është e mobilizuar dhe e organizuar për të ndihmuar lirinë e vendit.

“Jeni ajo pjesë e diasporës shqiptare që jeni duke ndihmuar tranzicionin e natyrshëm që është duke kaluar diaspora jonë, nga një diasporë që ka qenë krejtësisht e mobilizuar dhe e organizuar për ta ndihmuar lirinë e vendit, lirinë e shqiptarëve në rajon, demokracinë e tjerë, sot po shndërrohet në një diasporë e cila po organizohet për ta gjet vendin e vetë aty ku është, për tu bërë pjesë integruese e shoqërive ku po jetojnë dhe duke qenë pjesë e shoqërive integruese ku po jetojnë për të ndihmu në mënyrë institucionale vendin e vetë”, tha Murati.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ky rrjet është një potencial i rëndësishëm, dhe shkollimi i këtyre të rinjve është më se i rëndësishëm për vendin dhe se dija e tyre të kaloj edhe kufijtë e Kosovës.

“Është një potencial shumë i rëndësishëm për ne, edhe një potencial i njohurive të teknologjive të reja, i diturive të rreja, i shkollimit të rinjve për të cilën ne kemi nevojë, ose ta tërheqim këtu ose të punojnë përbashkët sepse zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm kufijtë e Kosovës. As dija jonë nuk është dije e mbyllur, është dije e cila i kalon kufijtë edhe të Kosovës, kufijtë edhe regjional edhe evropianë dhe ne dëshirojmë që bashku me ju të i kapërcejmë këta kufij edhe ta kuptojmë që më nuk jemi gjithmonë të vetëmjaftueshëm por gjithmonë kemi nevojë të bashkëpunojmë me tjerët dhe të tërheqim dije dhe dituri të reja”, tha Mustafa.

Në këtë konferencë ku i pranishëm ishte edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga Shqipëria, Blendi Klosi, tha se ky aktivitet të jetë fillimi i ngjarjeve të përbashkëta mes ministrisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

“Tashmë është një gjeneratë e tretë, e katërt e cila ka lindur është rritur, po zhvillohet në Evropë apo më gjerë se sa Evropa, dhe do të duhet të ketë shumë më tepër lidhje me vendin, duhet të ketë shumë më tepër me trevat tona, duhet të ketë më tepër njohuri në administratën shqiptare dhe atë të Kosovës. Prandaj padyshim nuk mund të quhet më një ngjarje që një ministër i Shqipërisë dhe një ministër i Kosovës të bëjmë së bashku aktivitetet të këtij lloji”, tha Klosi.

Në këtë organizim për forumin e krijimit të unionit të studentëve dhe të rinjve të diasporës, të pranishëm ishin edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ku për këta të rinj do të krijohen edhe aktivitetet tjera në vazhdim, por që nuk ka asgjë konkrete.

Kosova me projekt për nxitjen e të rinjve në Diasporë

Në ditën e Mërgimtarëve Ministria e Diasporës organizoi për herë të parë Forumin e Krijimit të Unionit të Studentëve të rinj nga Diasporë.

Në atë mënyrë që ky rrjet të jetë forum ndërkombëtar i cili i nxit rininë në diasporë të angazhohen edhe në çështjet nacionale, ato qeverisëse dhe të japin kontributin e vet në vendimmarrjen për të mirën e kombit.

Ky aktivitet është mbështetur edhe nga kryeministria, ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë.

Ministria e Diasporës sot takon të rinjtë e diasporës

Ministria e Diasporës sot mban konferencë e parë të rrjeteve të studentëve dhe të rinjve nga diaspora.

“Fuqizimi i të rinjve dhe studentëve të diasporës, në veçanti studentëve, është prioritet i qeverisë së Kosovës. Bashkëpunimi me profesionistë të lëmive të ndryshme, shkëmbimi i përvojave dhe transferi i dijes është identifikuar si më se i nevojshëm në ngritjen e mëtejme të kapaciteteve politike, ekonomike, sociale dhe shkencore në Kosovë”, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë.

Sipas këtij njoftimi deri tani Ministria e Diasporës ka iniciuar themelimin e rrjeteve/asociacioneve të studentëve dhe të rinjve në diasporë. Qëllimi i tyre është që të arrihet bashkëpunim më i ngushtë mes organizatave studentore dhe rinore në diasporë me institucionet dhe organizatat e tjera në Kosovë, e po ashtu edhe rritja e prezencës institucionale në mesin e të rinjve në diasporë duke nxitur angazhimin e kësaj shtresë të shoqërisë në të gjitha çështjet nacionale.

“Ministria e Diasporës me këtë rast organizon konferencën e parë me rrjetet e studentëve dhe të rinjve në diasporë, ku mes të tjerash do të themelohet edhe unioni i të rinjve ndërsa diskutimi me krerët e institucioneve të Kosovës do të zhvillohet në temat e lartcekura”, thuhet në njoftim.

Në këtë konferencë marrin pjesë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, Ministri i Diasporës, Valon Murati, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe po ashtu, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat