Shoqata Humanitare "Sali Çeku" me seli në Zvicër bëri homazhe pranë varrezave të dëshmorëve

Diaspora

Shoqata Humanitare "Sali Çeku" me seli në Zvicër bëri homazhe pranë varrezave të dëshmorëve

Nga: Nga Skënder MULLIQI Më: 31 korrik 2015 Në ora: 11:22

Shumica e mërgimtarëve tanë gjatë stinës verore kur janë pushimet kthehen në Kosovë. Ata vijnë për ti vizituar të afërmit e tyre, besa ende po iu ndihmojnë si gjithnjë deri më tash, sepse gjendja ekonomike në Kosovën e pasluftës për shumicën është e vështirë. Këtyre ditëve për një vizitë të tillë kishin ardhur edhe anëtarët e Shoqatës Humanitare "Sali Çeku" me seli në Zvicër.

Ishte kënaqësi e veçantë të takohesh me këta veprimtarë humanitarë dhe veprimtarë të orëve të para të luftës për liri dhe pavarësi nga Serbia. Shoqata në fjalë deri më tash ka dhënë kontribut të madh duke i ndihmuar shumë të gjithë ata që vërtetë kishin nevojë për një ndihmë të tillë. Kishin ardhur enkas për ti nderuar bashkëveprimtarët e tyre, tash dëshmor dhe heronjë të kombit, të cilët kishin ra në altarin e lirisë për të mbetur në përjetësi.

Saim Tahiraj kryetar e shoqatës, veprimtarë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i heroit, Sali Çekut ishte vu në ballë të organizmit të këtyre vizitave bashkë me kryesinë e shoqatës, nënkryetarin Xhemajl Haxhiu, arkëtarin Lush Mulaj dhe anëtarët e tjerë të kryesisë.

Pikë takimi ishte në Hotel Sëis në qendër të Deçanit. Mirëseardhje të gjithëve atyre që kishin ardhur iu dëshironte Tahiraj me plot entuziazëm dhe mikpritje shqiptare. Kishin ardhur edhe disa nga familjaret e dëshmoreve të kombit si Musa Çeku, vëllai i heroit Sali Çekut, Astrit Zema djali i vëllait të kolonel Tahir Zemës, dr.Sylë Bruqi vëllai i dëshmorit, Rrustem Bruqit, ushtarakët Gani Ahmetaj, Bekë Osmanaj, kryetari i LDK-se dega ne Francë, Shaqir Shabani, veprimtari i LDK-se, Hasan Zuka e shumë të tjerë. Takimi në hotel ishte shumë domethënës, sepse takoheshin shokët e idealit dhe veprimtarët, të cilët nuk kishin kursyer asgjë për pavarësinë e Kosovës.

Ishin takuar veprimtarët e LDK-së dhe ushtaraket e vijës institucionale të luftës, që për komandant kishin presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Sigurisht se kanë kaluar shumë vite që kur ka përfunduar lufta, dhe shumë nga ta edhe janë tashmë në moshë, por në shpirt kanë mbetur idealistë. Rrugëtimi për vizita tek varrezat ku prehen eshtrat e dëshmorëve të kombit ishte bukur i gjatë.

Fillimisht nga hoteli ku ishim tubuar nuk ishte larg busti i heroit, Sali Çekut dhe aty afër ishte edhe busti i dëshmorit Mentor Tolaj dhe Rexhë Osajt. U bën homazhe dhe u vunë buqeta lulesh në shenjë nderimi për kontributin kombëtar dhe ushtarak të pazëvendësueshëm të tyre. Për kontributin e madh kombëtar të Sali Çekut është shkruar dhe folur shumë deri më sot.

Ai bashkë me Agim Ramadanin dhe shokët vet për herë të parë theu mitin shekullor në kufirin shqiptaro-shqiptarë në Kosharen legjendare. Marshuta vazhdoi për në fshatin Carrabreg ku prehen eshtrat e dëshmorit, Adem Ukëhaxhaj dhe Pobergjë e Sllup në nderim të Sabahate Tolajt, për të vazhduar në fshatin Isniq ku prehen eshtrat e dëshmorëve në mesin e tyre gjenden edhe varret e Rrustem Bruqit, Skënder Rexhahmetajt dhe Isuf Haklajt.

Rrustem Bruqi kishte ra heroikisht në Betejën e famshme të Loxhës të prirë nga kolonel Tahir Zemaj. Nga Isniqi zbritem deri në fshatin historik, Dubovik, ku prehen eshtrat e veprimtarëve dhe heronjve të Kosovës, Jusuf dhe Bardhosh Gervallës.

Nderimi për ta ishte i madh sa edhe vepra e tyre për atdhe dhe komb. Edhe pse vapa gjithnjë rritej, nuk ishte pengesë që të vazhdohej me homazhe dhe nderime. Stacionimi tjetër ishte tek lapidari i kolonel Tahir Zemaj, Hasanit dhe Enisit në Strellc, të cilët pabesisht u vranë afër kombinatit të Drurit në Pejë.

Vizitorët që kishin ardhur enkas nga mërgata dhe Kosova nuk e lanë pa e vizatur edhe varret e veprimtarëve tjerë të LDK-së, Niman Alimusaj dhe atdhetarit, drejtorit të shkollës në Strellc, Haki Povataj, i cili vdiq pas torturave barbare të policisë kriminale serbe. Mikpritja strellciane në oborrin e shkollës në Strellc ku gjendet busti i drejtorit Pavataj nuk mungoj për mysafirët, ku ishte përgatitur një koktej dhe ushqim tradicional.

Këtu nga disa shokë dhe kolegë të të ndjerit Povataj u evokuan kujtime, të cilat zgjonin dhembje, por edhe krenarinë kombëtare për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës të cilën po e gëzojmë sot. Përmbyllja e vizitave dhe homazheve të ngjeshura pranë varreve dhe lapidarëve të dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës, u bë në Koshare, i cili vend ka bëre histori. Ka ba histori me njerëz historik siç ishin Sali Çeku, Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Anton Quni, Fadil Hadergjonaj, e shume ushtarakë dhe luftëtarë të tjerë. Në një prononcim për media tek varrezat e dëshmorëve në Isniq kryetari i shoqatës, Saim Tahiraj tha se kujdesi i shtetit për këta dëshmorë dhe heronj të vijës institucionale të luftës po mungon shumë. Çdo gjë që është bërë për ta theksoj Tahiraj është bërë nga mërgata si shtatorja e Salihut dhe mirëmbajta e tij, pastaj kemi ba një film dokumentar. Gjithashtu kemi ndihmuar për Adem Ukëhaxhaj dhe kemi ba filma dokumentar për Rrustem Bruqin dhe për kolonel, Ahmet Krasniqin etj. Se nuk ka përkujdesje shtetërore ndaj tyre më ra në sy edhe mua tek varrezat e dëshmoreve në Isniq, të cilat varreza kishin mbetur në mëshirën e kohës...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat