Interesimi i mërgimtarëve për regjistrim i kënaqshëm

Diaspora

Interesimi i mërgimtarëve për regjistrim i kënaqshëm

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 22:07

Albert Pepaj, 19 vjeçar ka lindur dhe është rritur në Suedi. Prindërit e tij ka më shumë se 20 vjet që jetojnë atje.

Alberti bashkë me nënën e tij u regjistruan në njërën nga pikat e regjistrimit të Diasporës në kryeqytet. Ndonëse ka probleme me gjuhën shqipe, ai thotë se vendi i tij i dashur është Kosova.

Ky proces i cili ka nisur që nga viti 2012, tashmë ka marrë përmasa më të mëdha. Në gjithë territorin e vendit nëpër komuna janë të inkuadruar rreth 100 persona të cilët po merren me këtë proces, i cili, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, pritet të përmbyllet në fillim të vitit 2017.

Këtë e konfirmoi për RTK-në, Lorik Pustina, drejtor i informimit në Ministrinë e Diasporës.
Sipas Pustinës, qëllimi i regjistrimit është evidencimi i numrit të saktë të pjesëtarëve të mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike si dhe regjistrimi i shoqatave dhe formave të tjera të organizimit të tyre.

Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se ka pasur ngecje në këtë proces për shkak të rrethanave politike, por që tani interesimi i mërgatës për t'u regjistruar duket të jetë i kënaqshëm. Për këtë proces është plasuar edhe një platformë elektronike online ku pjesë e këtij regjistrimi mund të jetë çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, apo që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova.

I gjithë procesi realizohet nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës dhe me institucionet e tjera, ndërsa të dhënat janë të mbrojtura me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat