Zvicra mbështet projektin “Shëndetësi për të gjithë”, në Peshkopi

Diaspora

Zvicra mbështet projektin “Shëndetësi për të gjithë”, në Peshkopi

Më: 21 korrik 2015 Në ora: 13:08

Projekti “Shëndetësi për të gjithë”, i financuar nga Zvicra me një fond prej 10 milionë euro u çel dje në Peshkopi. Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm ambasadori zviceran, Christoph Graf, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj; Kryetari i porsazgjedhur i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili, specialistë të shëndetësisë dhe qytetarë.

Në fjalën e tij, ambasadori Graf theksoi se “sot ne fillojmë një bashkëpunim të ri për të forcuar sistemin shëndetësor shqiptar dhe për të përmirësuar cilësinë dhe aksesin në shërbimet shëndetësore në Shqipëri. Nuk është rastësi që ne po e fillojmë këtë projekt në Peshkopi”.

“Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor Parësor duhet të forcohen në të gjithë Shqipërinë – edhe në zonat rurale, për t’iu përgjigjur nevojave të popullatës. Programi do të mbështesë, në nivel kombëtar dhe rajonal, në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, në menaxhimin dhe decentralizimin si edhe përfshirjen e qytetarëve si aktorë përmes veprimtarive promovuese të shëndetit. Qytetarët duhet të rrisin ndërgjegjësimin e tyre shëndetësor për të parandaluar sëmundjet, në vend që ti trajtojnë ato”, vijoi ambasadori Graf.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi se gjatë dy viteve të fundit qeveria i ka dhënë përparësi përmirësimit dhe ristrukturimit të sistemit të shëndetit parësor dhe se projekti i përbashkët me Ambasadën e Zvicrës vjen në momentin e duhur.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj“Ne jemi të angazhuar për të reformuar rrënjësisht shërbimin e kujdesit Parësor”, theksoi Beqaj duke shtuar se këtë e bëjmë në radhë të parë me Programin e Kontrollit Mjekësor Bazë pa pagesë, por edhe me një sërë ndërhyrjesh të tjera që kemi bërë për t’i lehtësuar sa më tepër mjekëve pjesën burokratike dhe për t’i dhënë më shumë mundësi për t’u marrë me mjekësi dhe për të qenë më shumë prezent pranë popullatës së tyre.

Përmes këtij projekti të ri do të investohen rreth 10 milionë euro për katër vitet e ardhshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor, rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të shëndetësisë, për prezantimin e modeleve të shërbimeve shëndetësore të decentralizuara, për të nxitur ndërgjegjësimin shëndetësor të qytetarëve dhe për të trajtuar korrupsionin në sektorin e shëndetësisë.

Projekti fokusohet në zonën e Dibrës dhe Fierit dhe do të synojë të bëjë kujdesin shëndetësor parësor më të përballueshëm dhe efikas, veçanërisht për grupet e margjinalizuara. Një projekt i mëparshëm Zviceran për edukimin mjekësor në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë, shërben si pikënisje për projektin e ri.

Një komponent kyç i Projektit Shëndetësi për të Gjithë do të jetë promovimi i shëndetit dhe edukimi i qytetarëve. Ky komponent mbështetet në filozofinë që qytetarë të informuar dhe të ndërgjegjshëm për shëndetin mund të transformojnë sistemin shëndetësor për të mirë, duke kërkuar shërbime cilësore si dhe mund ta lehtësojnë atë nga shërbimet e panevojshme duke zbatuar mekanizmat parandalues.

Në varësi nga rezultatet që do të arrihen në Dibër dhe Fier, projekti do të synojë të përsëris praktikat më të mira në zona të tjera në Shqipëri. Sipas Menaxherit të Projektit, Joao Costa, “Shëndetësi për të Gjithë” do të sjellë ekspertizë dhe do të ofrojë trajnim në fushën e menaxhimit shëndetësor me qëllim përmirësimin e efikasitetit të klinikave të shëndetit parësor dhe qendrave shëndetësore.

Menaxherë me kualifikim më të mirë do të jenë në gjendje të optimizojnë përdorimin e burimeve njerëzore, materiale e financiare të disponueshme, duke siguruar kështu një mbulim më të madh të nevojave shëndetësore të popullatës së cilës ata i shërbejnë.

Zvicra, përmes kësaj ndërhyrje dhe kontributi, është pozicionuar si një nga donatorët të rëndësishëm që mbështesin sistemin shëndetësor në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat