Shqiptarët e Nju Jorkut nderojnë prof. Sami Repishtin (Video)

Diaspora

Shqiptarët e Nju Jorkut nderojnë prof. Sami Repishtin (Video)

Më: 20 korrik 2015 Në ora: 00:25

Shqiptarët e Nju Jorkut festuan dje 90-vjetorin e lindjes së profesor Sami Repishtit, njëri nga veprimtarët më të shquar shqiptaro-amerikanë. Zoti Repishti, njihet sidomos për sensibilizimin që u bëri qarqeve politike amerikane lidhur me Kosovën, në një kohë kur të drejtat e popullit të saj shtypeshin dhe propaganda e Beogradit ishte mbizotëruese. Siç njofton kolegu ynë Ilir Ikonomi, një numër bashkëpunëtorësh të profesor Repishtit folën për arritjet e tij dhe i uruan ditëlindjen.

Profesor Sami Repishti, është mjaft aktiv edhe tani në moshën 90-vjeçare. Jeta e tij ka qenë plot peripeci, dhe mund të thuhet se ai e ka përjetuar Shqipërinë në të gjitha etapat e saj kryesore pas shpalljes së pavarësisë. Ka qenë si një film, siç e thotë edhe vetë. Kjo jetë e ka mësuar të luftojë për diçka që e ai e quan të shenjtë: të drejtat e njeriut:

“Unë kam jetuar në Shqipëri, një vend që ka vuajtur shumë dhe që ka patur shumë trazime, një vend ku jeta e njeriut ka kushtuar pak. Aty ka filluar interesimi im kryesor. Nuk ka gjë më të shenjtë në botë se jeta e njeriut.”

Ai ka lindur në Shkodër. Pas pushtimit Italian të 1939, iu bashkua grupeve antifashiste. Pas luftës jeta e tij ishte një ndeshje me komunizmin. U arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg, nga të cilat vuajti 10. Në vitin 1959 u arratis në Jugosllavi, ku u mbajt i izoluar një vit. Në vitin 1962, u arratis në Itali dhe prej andej erdhi në SHBA.

“Ndjesinë e mbrojtjes së njeriut sidomos nga autoriteti e kam patur edhe para se të burgosesha. Kjo më ka vënë në pozitë kundërshtare me regjimin komunist, sepse për mendimin tim, regjimi komunist filloi të shtypë njeriun pa faj. Kur kam dalë nga burgu, kam dalë me një bagazh në kurriz. Unë ia kushtoj jetëm time faktit se duhet të jem dëshmitar për ata që nuk kanë patur mundësi të flasin, që ose kanë vdekur ose nuk kanë patur mundësi të flasin. Jam munduar të jem besnik i premtimit që u kam dhënë shokëve të mi që janë sakrifikuar.”

Këtë premtim, profesor Repishti, e ka mbajtur me punë. Dhe për këtë punë të tij, kanë ardhur të flasin njerëz që ai i ka kolegë dhe bashkëpunëtorë prej dekadash.

Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Sektorit të Eurazisë në Zërin e Amerikës, tha se VOA ka përfituar mjaft nga intervistat dhe komentet e zotit Repishti gjatë viteve. Ai ka një vlerësim të lartë për profesorin.

“Komuniteti shqiptaro-amerikan ka nxjerrë shumë veprimtarë të njohur, po janë të paktë ata që mund të krahasohen me ndihmesën e shquar dhe me aftësinë e jashtëzakonshme intelektuale dhe diplomatike të zotit Repishti.”

Zoti Biberaj tha se Profesor Repishti ndihmoi në ndërgjegjësimin e opinionit për Kosovën, në kushtet kur pikëpamja e Beogradit kishte ende ndikim tek qarqet e politikës së jashtme amerikane.

“Thellësia me të cilën ai e kuptoi politikën e jashtme amerikane dhe mënyrën se si funksiononte Uashingtoni zyrtar, shkalla e lartë e dijeve politike, ishin të pakrahasueshme. Ai i përdori këto në mënyrë shumë të efektshme për Kosovën.”

Zoti Biberaj tha se Profesor Repishti luajti rol të dorës së parë në krijimin e të paktën tre organizatave të rëndësishme: Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

“Me analizat e tij të thella, të hollësishme dhe të balancuara, profesor Repishti u përpoq t’u kundërvihej versioneve që përhapeshin nga Beogradi dhe të bënte që njerëzit të kuptonin më mirë kompleksitetin e çështjes së Kosovës. Ai shërbeu si një zëdhënës kryesor për komunitetin shqiptaro-amerikan,” tha Dr. Biberaj.

Veprimtari Ramadan Gashi tha se që kur u njoh me zotin Repishtin në vitin 1975, i bëri përshtypje ndjeshmëria e Profesorit për çështjen e të drejtave të shqiptarve në ish-Jugosllavi:

“Biseduam gjatë për Kosovën. Njohuritë e profesorit për rrjedhat, ngjarjet, lëvizjet, situatën politike, figurat publike të Kosovës dhe të Jugosllavisë më magjepsën. Fillova të dyshoj se profesori shkodran nuk ishte krejtësisht nga Shkodra, por ishte diku nga Kosova.”

Ish Drejtori për Evropën në Zërin e Amerikës, Frank Shkreli, tha se zyrtarë të administratave të ndryshme dhe anëtarë të Kongresit amerikan vazhdimisht e kanë kërkuar mendimin e Profesor Repishtit, për çështje si ajo e të drejtave të njeriut dhe e gjendjes politike të shqiptarëve në përgjithësi. Ai ka gëzuar respektin e Uashingtonit zyrtar për faktin se thotë të vërtetën dhe si njeri i guximit e i ndershmërisë.

Zoti Shkreli foli sidomos për këmbënguljen e Profesor Repishtit për të kërkuar dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, si mënyra e vetme për të arritur ripajtimin e shoqërisë.

“Megjithatë, Tirana zyrtare gjatë 25 viteve të fundit ka refuzuar të përballet seriozisht me historinë e saj të së kaluarës komuniste dhe kjo ka qenë një nga ato gjëra për të cilat ka bërë shpesh thirrje Profesor Repishti, si ish i burgosur politik i regjimit komunist dhe si aktivist i përkushtuar për të drejtat e njeriut.”

Biznesmeni Harry Bajraktari tha se ka qenë bashkë me Profesor Repishtin në kohët e vështira, kur komuniteti shqiptaro-amerikan përpiqej të jepte për Kosovën:

“Unë kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ju keni bërë ndryshimin për kombin tonë, keni bërë ndryshimin në shumë aspekte. Ju keni qenë jeni dhe do të vazhdoni të jeni një udhëheqës në komunitetin tonë.”

Doktoranti i shkencave politike Grid Rroji i bëri këtë përshkrim professor Repishtit:

“Ajo që e pëshkruan figurën e Profesor Repishtit është përkushtimi i madh që ai ka patur gjatë gjithë jetës për të drejtat e njeriut, që nga fillimi i viteve 60 e deri në ditët e sotme. Angazhimi i tij personal, si pranë Kongresit amerikan apo autoriteteve amerikane ashtu edhe në sferën publike shqiptare, është diçka që do të mbetet në historinë e popullit shqiptar dhe që do të ketë një vlerë të pashlyer.”

Profesor Repishti thotë se është krenar që është lindur shqiptar Por ka diçka që e shqetëson atë vazhdimisht, fakti që shqiptarëve u mungon aftësia për të kapërcyer barrierat e ideologjive kur vjen puna për të gjetur unitetin:

“Në çastet e krizave, qëndrime të tilla na kanë sjellë në situata si ajo e vitit 1997. Unë besoj se në Shqipëri ekziston një element i fortë, i aftë dhe me dëshirën për ta ndihmuar vendin të ecë përpara. Për fat të keq, shumë gojë qëndrojnë të mbyllura, për një arsye ose një tjetër, dhe kjo është një humbje e madhe,” tha profesori.

Porosia e tij në këtë 90-vjetor të lindjes është:

“Mjaft me luftërat kundër njëri-tjetrit dhe me diskreditimin e njëri-tjetrit. Po të bëjmë kështu nuk shkojmë asgjëkund dhe nuk arrijmë asgjë. Po nuk i dhamë dorën njëri-tjetrit, po nuk arritëm bashkimin, nuk mund të ecim dot përpara.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat