Më 26 korrik 2015, mbyllet nisma “libra shqip, dhuratë për Plavë-Gucinë”

Diaspora

Më 26 korrik 2015, mbyllet nisma “libra shqip, dhuratë për Plavë-Gucinë”

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 01:12

Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, në Tiranë, me president historianin dhe koleksionistin, Shpëtim Sala, njofton se e diela e 26 korrikut 2015 do të jetë dita e fundit përmbyllëse e Nismës
“LIBRA SHQIP, DHURATË PËR PLAVË-GUCINË”.
Deri tani kanë dhuruar librat e tyre disa autorë, si: Shpëtim Sala, Emona Metaliaj, Vasfi Baruti, Shkëlqim Gjoçuka, Kristaq Shabani, Nikollë Loka,Frederik Stamati, Lulzim Ferati, Ramiz Lushaj e dhjetra të tjerë.
Libra do të dhurohen edhe nga Biblioteka e Franceskanëve në Shkodër, Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve “PEGASO” – Gjirokastër, etj.
Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë ka rregullat e saj përparësore për të gjithë dhuruesit: pranon libra në gjuhën shqipe, libra albanologjik, shkollor, artistik, shkencor, por jo libra politik e fetar.
Çdo liber te kete shenimin tuaj: “Dhurate per Plave e Guci”.
Gjithçka është konkrete: Nismëtari institucional, Shpëtim Sala ka vendosur në FB adresën e komunikimit:
QENDRA MBARËKOMBËTARE E KOLEKSIONISTËVE SHQIPTARË.
RRUGA “DON BOSKO”, Nr.29-TIRANË.
NUMRI I TELEFONIT CELULAR: 068 21 88 499.
Në përmbyllje: Kjo nismë dhe kjo ndihmesë, që po jep Shpëtim Sala, me Qendren Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, deri tani, nuk e kanë dhënë, as shteti i Malit të Zi –jo se jo-, po as shtetet shqiptare, në Tiranë e Prishtinë, me institucionet e tyre të politikave të jashtme, kulturore e arsimore.
Pra, puna e ketyre nismëtarëve ka një kryefjalë: Kombëtare.
Nga të gjithë po burimon, më e para fjalë: Nderim!
Nisma e tyre është ftesë e hapur për të gjithë krijuesit shqiptarë dhe ka një objektiv të lartë:
Libra shqip, dhuratë për Plavë-Gucinë!
Me 30 korrik 2015, librat e dhuruar do te dergohen ne komunen e Gucise, ne librarine e saj, dhe prej aty ato do te shperndahen ne bibliotekën e komunës së Plaves dhe në shkollat shqipe të Gucise e Plaves.

Mësuesit shqiptarë në mërgatë më të përkushtuarit dhe më të harruarit
Pse vendosa të hartoj një projekt - ligj për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë?

Ftoj deputetët, Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministren e Arsimit dhe Sporteve, shoqërinë civile, median e shkruar dhe elektronike, të gjithë ata që e kanë në shpirt gjuhën e bukur shqipe, t’i mbështesin me të gjitha mënyrat mësuesit e gjuhës shqipe në mërgatë që fjala dhe germa shqipe të jetojë ndër breza...
Shpresoj që në shtator 2015, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në mërgatë, të fillojë bazuar me një ligj të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë, me akte nënligjore dhe me marrëveshje të dyanshme mes shtetit shqiptar dhe shteteve të tjera për krijimin e një hapësire të gjerë për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve...

Nuk jam jurist dhe nuk kam aq njohje juridike për të formuluar një projekt - ligj për tu miratuar nga Kuvendi i vendit tim, por si gazetar në mërgim, kam njohjen dhe përvojën e një armate mësuesish mërgimtarë në Greqi dhe më gjerë që mbledhin fëmijët e emigrantëve, ku të mundin dhe si të mundin dhe, si në vitet e Rilindjes Kombëtare,u mësojnë atyre të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e nënës.
Mësimi i Gjuhës Shqipe në Mërgatë nga fëmijët e brezit që lindën dhe u rritën në mërgim është një detyrim kushtetues që rrjedh nga nenet 8 dhe 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Këtë detyrë, përpara shtetit dhe shoqërisë në Atdhe, më mirë se kushdo e kanë përjetuar mësuesit shqiptarë në Greqi,mësues vullnetarë që pa asnjë përkrahje, pa asnjë shpërblim, pa asnjë vlerësim moral, pa asnjë fjalë të mirë, tash katërmbëdhjetë vjet, që nga 7 marsi i vitit 2001, e kanë shtrirë mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe nga Selaniku e Kavalla në Veri të Greqisë e deri në Jug, në Patra, Arta dhe në ishujt e largët të Egjeut.Vetëm në Shkollën Shqipe të Selanikut kanë dhënë mësim në katërmbëdhjetë vite mësimore 21 mësues, të cilët u kanë mësuar më se njëmijë fëmijëve ta shkruajnë, ta lexojnë e ta këndojnë fjalën shqipe.
Përvoja dhe përkushtimi i mësuesve për t’u mësuar fëmijëve gjuhën e nënës është dokumentuar në qindra shkrime në shtypin shqip në Greqi e në gazetat shqiptare, në tre libra monografikë (“Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut”) si dhe në filmin dokumentar “Vera, mësuesja e dy ishujve”.
Njëkohësisht përkushtimi atdhetar i tyreështë prezantuar në 8 seminare zhvilluar në qytete të ndryshme të Greqisësi dhe në 7 seminare mbarëkombëtare për zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë; zhvilluar në Durrës, Strugë, Mitrovicë, Vlorë, Prishtinë, Ulqin dhe Berat.
E kam ngrit zërin e mësuesve në letra të hapura drejtuar ministrive e ministrave, avokatit të popullit etj., por, fatkeqësisht ai ka mbetur pa përgjigje, pa zë e figurë të shtetit e të pushtetit zyrtar në Shqipëri, të shoqërisë civile dhe të organizatave jo qeveritare.
Më 23 mars 2015, në protokollin zyrtar të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në pikën 6 flitet për një marrëveshje të bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe Mërgatë”
Kanë kaluar muaj nga 23 marsi 2015 i mbledhjes së dy qeverive pa një zë të vetëm për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë dhe, sikur kjo mos ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe të ishte përcjellë nga të gjitha mjetet e komunikimit modern, për ironi Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, ndonëse paralajmëroi se do të ishte e pranishme me një person të saj në një orë mësimi me fëmijët shqiptarë në Greqi më 26 prill dhe se do të merrte pjesë në seminarin e 8-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë”, jo vetëm nuk erdhi njeri por nuk dërguan qoftë edhe një e-mail të thjeshtë në shenjë urimi për këtë ngjarje me vlera të mëdha për mbijetesën e gjuhës shqipe në brezin më të ri të mërgimtarëve.
Kanë kaluar 14 vjet nga ora e parë e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi dhe për ironi asnjë mësues nuk është shpërblyer edhe për një orë mësimi të gjuhës shqipe, nuk i është dhënë qoftë edhe një fletë lavdërimi e thjeshtë, për mos me thënë pastaj për vlerësime presidenciale me dekorata e tituj nderi...(!)
Për mua mësuesit shqiptarë në mërgim janë NDERI I KOMBIT, Rilindësit e Rinj të Kohës Sonë.
Përballë heshtjes ndaj mësuesve dhe shkollës shqipe në mërgatë vendosa...
TË FLAS...
TË SHKRUAJ...
TË VIKAS...
Shpresoj që Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ta vendosë këtë projekt – ligj në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë duke qenë i sigurt se ai do të marrë votat e të gjitha kuvendarëve.
Shpresoj që në shtator 2015, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në mërgatë, të fillojë bazuar me një ligj të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë, me akte nënligjore dhe me marrëveshje të dyanshme mes shtetit shqiptar dhe shteteve të tjera për krijimin e një hapësire të gjerë për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve...
Shpresoj...
Abdurahim Ashiku
Gazetar-ish mësues.
Shënuar më 1 qershor 2015, Ditën Botërore të Fëmijëve


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat