Trieshi trevë tragjedishë dhe triumfesh morale

Diaspora

Trieshi trevë tragjedishë dhe triumfesh morale

Nga: Gjekë Gjonlekaj/New York Më: 26 qershor 2015 Në ora: 00:44

Virtytet e larta njerëzore të disa malësorëve kanë qënë frymëzim për shumë autorë të huaj dhe shqiptarë. Disa nga ato vepra janë përkthyer e botuar në gjuhën shqipe dhe si të tilla ato janë sot thesar i madh i kulturës sonë kombëtare. Shumë akte heroike dhe fisnike të malësorëve shqiptarë nuk janë shënuar kurrë. Në vendlindjen time gjithëmonë flitej për besë,për bujari,për urti,për bukuri, për pajtim, dhe për trimëri. Këto ishin tema kryesore në kuvende,në morte dhe në logjet e vendit.Atje merrnin pjesë burra dhe gra pa dallim. Bujaria,besa,urtia dhe pajtimet e ndryshme ishin tema të lira për diskutime.Trimërit brënda fisit e bajrakut,ose në rrethet e Malësisë, populli nuk i pëlqente aspak. Vrasjet,sharjet dhe fyerjet populli i quante vepra të ndyra dhe barbare.Vajtorët shqiptarë ishin shumë kategorik kunder tyre.

Një ndër vajtorët më të përmendur të Malësisë në ceremoninë e mortit i kishte thënë një të vdekuri: “ke qitë pushkë 4 herë dhe asnjiherë s’ke qitë nder”. Populli i dëgjonte me vemendje vetëm trimëritë kundër të huajëve sidomos ato kunder turkut e shkjaut.”Dera juaj gjithëmonë ashtë vra herë me turk e herë me shkja”, deri vone ka qënë një lloj himni për gjëmtarët malësorë. Mortet e mëdha në trojet tona kishin karakter shfaqjesh teatrale të Greqisë antike.Oratorët e vajtorët dhe rapsodët në këto raste ishin ligjërues të historisë,të moralit të besës dhe nderit. Në ato ceremoni shumë herë të trishtueshme mësuam shumë të vërteta të lavdishme për të kaluarën e tyre heroike. Në ato morte(hatre)siç thonë në Malësi kisha dëgjuar për Kacul Prëçetën,për Kolë Gjel Çakun,ndërsa plakën e bekuar të pajtimit dhe të paqës Mrike Ujken e kisha njohur qysh në fëmijëri. Ajo ishte bijë e vellazërisë sonë.

Për trimëritë dhe profecitë e Kaculit i cili kishte jetuar në shekullin 19 tregonin shumë. Qysh në atë kohë, kishte paraparë zbulime të mëdha të shkencës dhe teknologjisë.Në Triesh,bile edhe në diasporë sot e kësaj dite citohet thënja e famshme e Kaculit:”shumë kanë dalë e shumë kanë me dalë”. Këto fjalë i kishte thënë në një moment zëmërimi ndërsa po hynte në kishën e Trieshit. Këtë fjali profetike e kishte thënë nga hillërimi,pasi njëra mëngë e tallaganit ishte ngatërruar në bravën e derës së kishës e cila deri atë ditë ishte mbyllur me një hu.Me humor të madh tregonin edhe për kungimin e Kaculit. Pas rrëfimit, meshtari u kishte dhënë të gjithëve kungimet,por për Kaculin që ishte i fundit në rallë nuk kishte kungim. Prifti ishte ndjerë keq për këtë mungesë,por Kaculi pa ndonjë të keqe i kishte thënë meshtarit mos u shqetëso pasi që mund të ma dërgosh nesër ose pasnesër për ndonjë nxënës të shkolles. Të parët e Kaculit ishin dalluar në luftëra kundër armikut sidomos kundër bandave serbo-malazeze.

Në varrezat e vendlindjes sime në “Kodër të Kryqit” dallohej guri i varrit tri metra i gjatë i Pjetër Vukan Cacit që kishte qënë njëri prej baballarëve të Kacul Prëçetës. Ne ishim kurioz dhe pyesnim kush kishte qënë ai burrë?Të moshuarit flisnin me pasion për tragjeditë dhe triumfet e Pjetër Vukanit. Shtëpia e Kacul Prëçetës ,kishte humbur një trim të saj në një ngatërresë me Dedë Curanin. Kacul Prëçeta e kishte qitur në gjak Dedë Curanin dhe trimat e tij. Ata kishin jetuar në dy katunde të ndryshme,por jo largë njëri tjetrit.Duke parë rrezikun e menjëhershëm të gjakmarrjes Dedë Curani kishte braktisur Trieshin dhe ishte vendosur në Guci. Duke ditur pasojat e gjakmarrjes të gjithë ishin larguar,përveçë nënës së tyre që ishte një plakë tepër e moshuar dhe e paralizuar.

Një ditë më vonë Kaculi me trimat e tij të vellazërisë Cacaj e kishin rrethuar shtëpinë e Dedë Curanit,duke e thirrë me zë të lartë për dyluftim. Por më kot sepse në shtëpi nuk ishte askush përveçë plakës së paralizuar.Pas pak ata i futën zjarrin konakut të Dedë Curanit. Dikush i tha Kaculit se atje brenda në shtëpi ishte nëna e tyre plakë. Kur dëgjoi Kaculi se plaka e paralizuar eshtë në shtëpi u tmerrua dhe pa menduar fare për jetën e tij qiti armën në tokë,duke vënë tallaganin në kokë dhe ashtu nëpër tym e flakë u fut brenda për të shpëtuar nënën e gjaksit. Kaculi ishte treguar i rreptë në luftëra të ndryshme kundër armikut të popullit shqiptar,por për këtë akt heroik e humanitar u nderua me shumë se për ato tjerat.

Kriteret e trimërisë në këtë trevë shqiptare ishin shumë rigoroze dhe opinioni i popullit për akte heroike, ishte shumë i matur. Në qoftë se heroizmi kishte edhe dozën më të vogël të mizorisë ose krimit nuk konsiderohej trimëri. Humanzimi dhe vlerat morale ishin kulmi i asaj shoqërie.Nderi respekti e dinjitetit i burrit dhe gruas ishin mbi të gjitha. Për faktin që Kaculi kishte vënë në rrezik jetën e tij për të shpëtuar nënën e gjaksit u nderua më shume së asnjë tjetër. Keto janë vepra morale universale për të gjitha shqoëritë njerëzore.

Në Triesh tregonin shumë për vrasjen tragjike të Kolë Gjel Çakut,babai i të cilit kishte rënë në luftë kundër ushtrise turke në Kryengritjen e Malësisë në vitin 1911. Kolë Gjel Çaku kishte marrë pjesë aktive në Luftën antikomuniste të Kelmendit dhe për pjesëmarrjen e tij në atë Luftë ishin njoftuar menjëherë forcat komuniste jugosllave të Bajo Stankoviqit.

Ata kishin shkuar në katundin e tij në Bekaj të Trieshit dhe e kishin kapur në shtëpinë e tij. Kolë Gjeli kishte kërkuar nga policia që të mos ia lidhnin duart,sepse një veprim i tillë në Triesh quhej turp. Kola ishte betuar se nuk do te ikte dhe nuk kishte bërë asnjë përpjekje ngase ua kishte dhënë besën si kusht që të mos e shihnin vendasit e tij duar lidhur. Duke ecur nëpër rrugën kryesore të vendit,atje në Shkallë të Gjergjit ishin takuar rastësisht me Lucë Dok Gjeloshin i cili në atë kohë kishte pushtet politik në Triesh. Lucë Lucaj i kishte përshëndetur dhe kurrgjë më shumë.Kolë Gjel Çaku e kishte të ditur se rruga e tij do të përfundonte në vdekje. Por megjithatë nuk kishte kërkuar mëshirë nga Lucë Lucaj. E kishte bërë këtë për çështje dinjiteti. Të nesërmen heret në mëngjez ishte njoftuar se Kolë Gjel Çaku ishte pushkatuar nga forcat ushtarake komuniste jugosllave të Bajo Stankoviqit te Kisha e Grudës së bashku me Zef Miliqin,tre vëllezërit Lulgjuraj dhe një tjetër burrë nga Hoti. Pas lajmit të pushkatimit Lucë Lucaj i kishte treguar babait Dok Gjeloshit për takimin e tij me Kolë Gjelin dhe policët jugosllavë. Dokë Gjeloshi shumë i zëmeruar i kishte bërtitur Lucës pse nuk ndërhyre për shpëtimin e tij. Luca arsyetohej se Kolë Gjeli nuk i kishte kërkuar ndihmë.

Atëherë Dokë Gjeloshi ishte zemëruar edhe më shumë duke e mallkuar: “Kolë Gjeli është i biri i Gjel Çakut dhe për të ka qënë turp me të ra në dorë”. Babain e tij Gjel Çakun e kishin vrarë turqit në betejën e rrasave të fikut në 1911,ndërsa Kolën e kishin pushkatuar serbo-malazezët në vitin 1945 dhe kjo tregon se :”dera e tyre gjithëmonë ashtë vra,herë me turk,e herë me shkja. Akte heroike që mund të lexohen vetem në vepra klasike.

Ndërsa plakën e përmendur të pajtimit dhe paqës shëmbullore Mrike Ujken e kisha parë pothujase çdo ditë.Kjo bijë fisnike ishte martuar në fshatin tonë me Smail Dedin të vellazërisë Dukaj. Smaili ishte një burrë i paqë i thjeshtë dhe shume i dashur me shokë.Ai e kishte emërin Smail sepse nëna e tij kishte qënë malësore e fesë islame,e cila kishte jetuar në paqë e harmoni të plotë në familjen e Dedë Markut. Smaili dhe Mrikja perveçë bijave kishin pasë vetëm një djalë,Martinin.Si zakonisht Martini një ditë ndodhej çoban në brija të Cemit. Zakonisht çobanët qëndronin pranë njëri tjetrit. Fatëkeqësisht disa nga ata kishin edhe armë zjarri dhe ndonjëherë armën e tyre e shkrepnin gabim,sic e kishte shkrepur edhe Nikollë Lleshi kundër Martin Smailit. Martini e Nikolla kishin qënë shokë . Por atë ditë takimi i Martinit me Nikollën kishte qënë tragjik. Krisma e pushkës së Nikollës e kishte lënë Martinin të vdekur në vend.

Ai kishte njoftuar menjëherë familjen dhe farefisin e Martinit për vrasjen e tij dhe ishte betuar se e kishte vrarë gand dhe pa asnjë qëllim të keq. Trieshi e kishte përjetuar rëndë tragjedinë e Martin Smailit. Kjo familje nuk kishin tjetër djalë. Atë ditë u shkrep hisja e tij dhe më vonë dera e Smail Dedit do të mbyllej përgjithëmonë. Ritualet e shuarjes familjare ishin të hatashme.Por atë ditë bëri Zoti një mrekulli. Smail Dedi dhe Mrike Ujkja kërkuan pajtimin me vrasësin e djalit të tyre. Kërkuan pjsëmarrjen e tij në varrim.

Kundërshtuan me këmbëngulje çdo zë për gjakmarrje. Qëndrimi tyre finsik për falje të gjakut dhe për pajtim zgjoi edhe më shumë dhimbje tek populli. Një thirrje kaq e fuqishme për pajtim nuk ishte parë kurrë në Malësi. Nikollë Lleshi kishte marrë pjesë në ceremonin e varrimit dhe pas një përqafimi trishtues i “kishin shtrirë dorën e pajtimit” vrasësit të djalit të tyre të vetëm.Ata që kishin marrë pjesë në atë mort tregonin shumë për atë ditë trishtuse. Krejt vendi mbajti zi për një kohë të gjatë. Smail Dedi dhe Mrike Ujkja ishin çifti më i nderuar në Triesh. Pas disa ditësh e ftuan Nikollë Lleshin me familje për vizitë në shtëpi. Asnjë herë në jetën e tyre nuk e thanë një fjalë të keqe për atë që u kishte shkaktuar një dhimbje kaq të madhe. Unë e kam dëgjuar dhjetëra herë Mrike Ujken duke bekuar Nikollë Leshin dhe familjen e tij. Kjo grua plakë e vuajtur, e qetë e thatë nga trupi,lëvizte ngadalë si një hije e shenjtë. Kjo mesë e Cuba Delit të Hotit për të cilin këndoi aq bukur Gjergj Fishta në “Lahutën e Malësisë” u bë shëmbull për shumë nëna shqiptare. Ajo vdiq 45 vjet më parë disa ditë para largimit tim nga vendlindja.Unë dhe familja morëm pjesë aktive në mortin e saj. E kujtoj me shumë dashuri e respekt këtë bijë sojnike shqiptare të fisit tim.

Në fund të kësaj jave Malesia e Mbishkodrës përkujton në Drume të Hotit 45-vjetorin e Besëlidhjes së Malësisë,natyrisht se ky aktivitet meriton respekt,por do të ishte në nderin e ndonjë oratori t’i përkujtonte së paku me një fjali Smail Dedin dhe Mrike Ujken për veprën e tyre të madhe të pajtimit dhe paqës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat