"Më të bashkuar për Medvegjën shqiptare!"

Diaspora

"Më të bashkuar për Medvegjën shqiptare!"

Më: 24 qershor 2015 Në ora: 14:56

Sa herë që vjenë qershori, na shkon mendja tek spektakli madhështor që e organizon Shoqata Humanitare „Medvegja“, me qendrën e saj në Fully të Valisit-Zvicër, edhe ate tradicionalisht hiç më pak se për 20 vjet me radhë.

Një mbrëmje e madhe familjare e rinore me plot argëtim, me muzikë të bukur shqipe, valle nga SHKA Medvegja e plot befasi ishte e shtuna e 20 qershorit në këtë qytetzë të bukur të Zvicrës. Koncert i mbajtur në natyrë, në afërsi të stadiumit të këtij qyteti edhe ate deri në orën 12.00 të mesnatës. Një sofër bashkimi, një takim i papërshkrueshëm medvegjas, të rinjë e pleqë, por edhe fëmijë, që të gjithë së bashku në këtë spektakël të përvjetshëm. Shumë prej medvegjasëve ndër të tjera thonin, se ndoshta gjatë tërë vitit nuk e takojnë njëri tjetrin, e vjen qershori, që takohen me medvegjasit jo vetëm me ata që jetojnë në Zvicër, por edhe më gjerë, nga Gjermania, Austria, Franca, e Italia.

Që të gjithë janë ftuar me moton "Ejani me medvegjasit, se edhe Medvegja është shqiptare". Një moto me shumë kuptim.
Valisi, kjo pjesë e Zvicrës, siç dihet, është e njohur edhe për verën e kuqe dhe të bardhë, por edhe për kajsitë, qershitë e mollën për të cilat shumë zviceranë thonë se janë ndër më të mirat në Zvicër. Valisi me rrethinë, i rrethuar nga malet e larta, me një natyrë që nuk përshkruhet dot me fjalë, çdo pjesë e atyre maleve e punuar, shumë pjesë me vreshta, kurse në rrafshinë shihen mollët, kajsitë, qershitë e tek-tuk edhe kopshtet.

Shumica e banorëve të kësaj zone merren me bujqësi, e sidomos me pemëtari. Prej vitesh, një pjesë e mërgatës sonë jeton dhe vepron në këtë pjesë të Zvicrës, e natyrisht puna e tyre më e madhe bëhet në pemëtari. Ata gjetën punë dhe mbetën aty. E veçanta e mërgimtarëve tanë është se ata, si të moshuarit, por edhe të rinjtë, kanë miqësi të mirë me zviceranët dhe me popujt e tjerë. Në manifestimet e Shoqatës Humanitare "Medvegja", shoqatë që rreth vetes ka një anëtarësi të madhe, në organizimet e saj marrin pjesë mijëra mërgimtarë, kryesisht medvegjas, por edhe bashkëkombës nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe rrethina e Ulqinit.

Këtu ka të pranishëm edhe shumë zviceranë, e në mesin e tyre edhe kryetarë komunash, deputetë, por edhe kryetarë partish që janë në Qeverinë zvicerane.Kjo shoqatë humanitare për tri dekada veprimtari ka kryer shumë aktivitete për trojet shqiptare. Kurdo që është kërkuar, ka treguar zemërgjerësinë dhe humanitetin, e kjo dëshmohet me bamirësinë nëpër këto vite me mbi pesë milionë euro. Prandaj, duke ditur për punën e madhe që kanë bërë dhe që janë të integruar mirë edhe në shoqërinë zvicerane, ata kanë miqësi të shkëlqyeshme me shumë zviceranë, kështu që është e pamundur që në manifestimet e tyre të mos jenë të pranishëm të parët e Komunës.E veçanta e organizimeve, që mbahen në këtë pjesë të Zvicrës nga Shoqata Humanitare "Medvegja", është se ato bëhen në natyrë, ku muzika shqipe gumëzhin deri në mesnatë, e nuk kanë asnjë vërejtje nga zviceranët, por përkundrazi edhe ata marrin pjesë, duke vallëzuar dhe cakërruar gotat për festa. Për 20 vjet me radhë, kjo shoqatë është duke e organizuar koncertin dhe turnirin e futbollit, që mbahet tradicionalisht në Fully, në mes të stadiumit të kësaj qyteze, e ku vijnë me mijëra bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare, më së shumti nga Medvegja me rrethinë, prandaj ky vendbanim quhet edhe si Medvegja e dytë.

Me një mikpritje tipike medvegjase, kryesia e shoqatës, anëtarët e saj dhe të gjithë medvegjasit mërgimtarë i pritnin bashkatdhetarët e trevave tjera shqiptare që të jenë pjesë e këtij koncerti humanitar.

Në hyrje të stadiumit ku mbahej koncerti shihej flamuri ynë kombëtar, si dhe ai zviceran. Në këto aktivitete që organizohen në këtë pjesë të Zvicrës, përveç se kanë marrë pjesë shumë veprimtarë nga atdheu ynë, medvegjasit i ka nderuar edhe ish-Ministri i Diasporës në Republikën e Kosovës, z.Ibrahim Makolli; ish- ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mehmet Elezi; ish-ambasadori i Maqedonisë, Ramadan Nazifi; ish-ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, konsulli i Kosovës në Cyrih, z.Sali Sefa; Stërnipi i Ismal Qemajlit, Darling Vlora; Publicisti Arsim Mulliqaj, piloti i pavarësisë, James Berisha; veprimtari Riza Demaj, Bajram Mulaj, publicisti Jonuz Fetahu nga Medvegja, Fazli Musliu, kryetar i SHHLP, e shumë e shumë të tjerë. Mes qershori, e tregonë edhe sofrën medvegjase, meqë i madh e i vogël drejtohen në Fully që ta shijojnë këtë koncert dhe turnir futbolli tradicional, e që ka karakter humanitar në ndihmë Medvegjës.

Bashkatdhetarët tanë vinin grumbuj-grumbuj nga e tërë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva e Bujanoci, e ndër ta shiheshin edhe politikanë e intelektualë të ndryshëm zviceranë, si dhe kryetari i Komunës së Fully, Eduard Felle, me stafin e tij. Programi filloi prej grupit të të vegjëlve, që ka mbi 20 fëmijë, që e ndjekin edhe Shkollën Plotësuese Shqipe, me këngë e recitime, si dhe me valle të të gjitha trevave shqiptare. Kështu, edhe një herë u tregua se fëmijët mërgimtarë, edhe pse të rritur dhe të edukuar në Zvicër, ata nuk do ta harrojnë Medvegjën dhe herë do kur do të punojnë për ato treva të të parëve. Grupi i mesëm i kësaj shoqërie e dha edhe një program vërtet shumë të pasur, të cilit i qëndronin afër gjithnjë z.Musa Neziri. Shoqëria artistike, siç dihet, e ka edhe grupin folklorik, të përbërë nga Avni Neziri, Mevlan Thaçi, Sadik Baftiu dhe Sulejman Musliu, të cilët i kënduan Medvegjës, Kosovës, Shqipërisë dhe këngë të bukura për unitetin kombëtar. Pas disa mirënjohjeve për nxënësit e shkollës plotësuese shqipe, që u ndajtën nga mësuesja e kësaj shkolle e njëherit e moderoi edhe koncerin në fjalë, filloi edhe programi tjetër muzikor, kur në skenë dolën këngëtarët e paralajmëruar e në mesin e tyre edhe Afrim Muçiqi.

Të rinj e të reja dolën për të vallëzuar në mes të stadiumit të këtij qyteti.

Kryetari i Shoqatës Humanitare "Medvegja" Zenel Neziri, e hapi këtë jubile të njëzetin me radhë para të pranishmëve me këto fjalë: "Të nderuar përfaqësues zviceranë të skenës politike të këtushme, përfaqësues të mediave, miqë të tjerë, të nderuar anëtarë të shoqatës medvegja, të respektuar medvegjas, bashkëkombas të dashur, më lejoni, që në emrin tim dhe në emër të kryesisë së shoqatës sonë dhe anëtarëve, t`ju dëshiroj mirëseardhje në këtë koncert humanitarë të 20 me radhë. Është nder dhe kënaqësi, kur po u shoh të gjithëve, nga katër anët e atdheut tonë, jeni mbledhur në përkrahje të Medvegjës, që të mos e harrojmë Medvegjën. E kam për obligim moral, që të falënderoj të gjithë ata që na kanë përkrahur deri më sot, që po organizojmë këtë koncert dhe turnir futbolli, që lirisht mundemi të themi, se është i vetmi në gjithë diasporën shqiptare që ka karakter humanitarë për ato treva që janë në një gjendje mjerimi. Preki zemrën dhe ju them, perendia ju bekoftë të gjithëve, që keni ndihmuar dhe po ndihmoni. E dini, se si shoqatë, bashkë me të gjithë anëtarët, jemi munduar që të dërgojmë zërin e Medvegjës deri në SHBA, në Bruksel, Berlin e kudo nëpër europë. Jemi të bashkuar e do të jemi të bashkuar. Nuk e di a ka më mirë, se kur sheh të gjithë këta medvegjas së bashku, të rinjë e pleqë, në këtë sofër të medvegjës, të mendojmë dhe punojmë më shumë për medvegjën tonë të dashur vëllezër.

Të nderuar pjesmarrës:
E di, dhe nuk guxojmë të mendojmë, se vëllezërit tanë, qoftë në Tiranë, Prishtinë, apo në Tetovë e Preshevë, se do na harrojnë, ne nuk duhet ta harrojmë Medvegjën, por duhet të punojmë së bashku edhe më shumë, që të mos bëhet vonë dhe të përjetojmë Çamërinë e dytë. E falënderojmë edhe shtetin mik të kombit tonë zvicrën, që na ka përkrahur dhe po na përkrah, e njohu Kosovën menjëherë dhe gjithmonë i kemi në mesin tonë. Ne e kemi dëshmuar dhe do ta dëshmojmë, se Zvicra është edhe atdheu i jonë, do ta duam gjithmonë dhe do u jemi mirënjohës përgjithmonë.

Prandaj, jo rastësisht, nga shumë bashkëkombas tanë, e thonë, se Fully është Medvegja e dytë. Falënderojmë edhe prindërit e fëmijëve që po i dërgojnë Shoqërinë Kulturo artistike Medvegja, falënderojmë edhe ekipet e futbollit që do luajnë nesër, falënderojmë referët, gjithë stafin e organizimit të turnirit. Po afrohen edhe pushimet verore, shpresojmë shumë, se në Medvegjën tonë do të mblidhemi kështu si jemi dhe të kalojmë një ditë të mirë atje, në takimet e mërgatës medvegjase dhe jeni të ftuar që sot të gjithë vëllezërit e një gjaku, pa mar parasysh bindjet politike, fetare, jemi një dhe do të jemi. Gjithsesi, do të falënderoj edhe sponzorët tanë që na kanë ndihmuar. Ne medvegjasit jemi unikë, lutemi që të jenë unik edhe politikanët tanë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë Lindore, të ecim përpara, në këtë shekull të kombit tonë. Nga ky vend i demokracisë, i drejtohemi faktorit ndërkombëtarë, që të mos lejoj që Medvegja të harrohet dhe medvegjasit të maltretohen. E shpallim të hapur koncertin humanitarë dhe turnirin nesër tradicional, shpresoj se do të kalojmë një mbrëmje të mirë. Mos harroni nesër, në mëngjes fillon turniri, ejani dhe vërtet do kalojmë mirë. Faleminderit shumë për përkrahje të gjithëve.Perendia ju bekoftë, juve dhe familjet tona si dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të jemi bashkë dhe të ecim bashkë e të punojmë bashkë. Rroftë Medvegja kreshnike, ajo Medvegjë Dardane".

Si edhe herave të tjera edhe kësaj here, kryetari i CVP, z.Christophe Darbellay, ishte i pranishëm me medvegjasit, ai kishte ardhur, për ti nderuar medvegjasit dhe i cili në fjalën e tij ndër të tjera vlerësoi lart punën e madhe që është duke bërë kjo shoqatë, uroi dhe përgëzoi suksese të mëtutjeshme dhe tha se, si çdo herë tjetër, edhe në të ardhmen do ta kemi një bashkëpunim të shëndoshë me këtë shoqatë dhe me gjithë mërgimtarët shqiptarë. Ai, ndër të tjera, tha: «Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria, rroftë flamuri!». Programi festiv vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit, fillimisht në fushë të hapur, e më pastaj në sallë. Z.Musa Neziri, Ismet e Fadil Selmani, Zejnullah Namani, Mevlan Thaqi dhe e gjithë kryesia e shoqatës ishin shumë të kënaqur me ecurinë e këtij programi dhe i falënderojnë të gjithë ata që po ndihmojnë në forma të ndryshme që të mos harrohet Medvegja, si mediet, e po ashtu edhe veprimtarët e tjerë, si dhe prindërit. Është vërtet për ta përshëndetur këtë organizim të Shoqatës Humanitare "Medvegjja" dhe nuk do të ndalet asnjëherë për të rinjtë dhe të rejat, pra për gjeneratën e tretë dhe për Medvegjën.

Ndërsa ditën e nesërme, pra të dielën, vazhdoi turniri në futboll të vogël, në të cilin morën pjesë 38 ekipe nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe ekipe zvicerane. Përgjegjës në Komisionin Sportiv ishin Xhevat Neziri dhe Valdet Baftiu. Në orën 9:00 filloi edhe loja e parë në futboll të vogël dhe ndeshje pas ndeshje erdhëm deri në finale.
Gjatë tërë ditës, bashkatdhetarët tanë patën mundësi të shohin ndeshje të mira.

Në finale u takuan ekipet ‘Gejzeri’ dhe ‘Rimoval’. E para ndeshjes finale, u intonua edhe himni kombëtar. Me një lojë shumë të mirë, fitues doli ekipi ‘Gejzeri’. Edhe referët, por edhe të gjitha ekipet pjesëmarrëse u ndanë të kënaqura me organizimin dhe lojërat e zhvilluara fer, e pa asnjë lëndim dhe kacafytje, siç jemi të mësuar shpesh t’i shohim nëpër stadiume të ndryshme në atdheun tonë. Në fund të këtij turniri u ndanë kupat e medaljet, të cilat i ndanë Zenel Neziri, Fadil Selmani, Zejnullah Namani. Medalje iu dhanë edhe lojtarit të më të mirë, që i takoi atij nga ‘Gejzeri’, e po ashtu edhe portierit, pastaj edhe referëve. Xhevat Neziri, ishte edhe në rolin e moderatorit në pjesën e ndarjes së medaljeve të futbollistëve dhe ekipeve, Ai e ftoi kapitenin e ekipit Kosova Lindore, që të marrë kupën për vendin e tretë. Sponzor i kësaj kupe është firma HI Swiss Constuction me pronarë Valon Haliti. Vendi i dytë në këtë turnir i takoi ekipit Rimoval dhe kapiteni i këtij ekipi doli e mori kupën dhe çmimin sponzorizuar nga garazha Auto Styling Conthey me pronarë Naim Hasani. Lojtari më i mirë nga komisioni sportiv i takoi Bashkim Sukaj nga ekipi Gejzeri, poashtu portieri më i mirë u zgjodh Flamur Haradini po nga ekipi fitues i këtij turneu të njëzetë me radhë.

Fitues i turneut jubilar i është ekipi Gejzeri. Kupën për vendin e tretë e ndau, Fadil Selmani, sekretar i shoqatës, të dytin Zenel Neziri, kryetar i shoqatës. Lojtarit më të mirë çmimin ia ndau Shaban Uka, ndërsa portierit më të mire çmimin ja ndau, Zejnullah Namani, ekipit Fair Play çmimin ja ndau Mevlan Thaçi dhe i takoi ekipit Creanit 4, ndërsa mirënjohje iu ndanë edhe referëve nga Fadil Baftiu. Vendit të parë iu ndau kupa dhe çmimi sponzorizuar nga Creanit Transport Logistikë me vëllezërit Ismet, Fadil e Shaban Selmani. Të gjithë këto çmime u ndanë në një atmosfer gëzimi e të shoqëruar me duatrokitje nga të pranishmit. Kryetari i shoqatës Zenel Neziri edhe një herë bëri thirrje që Medvegja të ndihmohet edhe më shumë nga të gjithë shqiptarët duke e ditur se në çfarë situate është ajo dhe mbylli këtë jubile të 20 të këtij organizimi sa sportiv-kulturorë dhe humanitarë. Në fund, pas këtyre dy ditëve plot aktivitete e takime të gjithë u ndanë edhe të lodhur, sidomos organizatorët, por të kënaqur me mbarëvajtjen e koncertit dhe turnirit.

Komisioni për informim i Shoqatës Humanitare "Medvegja"-Fully, Zvicër

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat