Ministri Murati dhe ShShAShS ““Papa Klementi XI-Albani”, flasin për mërgatën shqiptare në Suedi

Diaspora

Ministri Murati dhe ShShAShS ““Papa Klementi XI-Albani”, flasin për mërgatën shqiptare në Suedi

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 22 qershor 2015 Në ora: 12:49

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka pritur të hënën një delegacion të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, në Suedi, në përbërje Hysen Ibrahimi, kryetar, Qibrie Hoxha nënkryetare dhe ish deputete e Parlamentit të Kosovës, Bajram Muharremaj anëtarë i kryesisë dhe Zymer Qupella anëtar i kryesisë me të cilët ka biseduar për gjendjen aktuale të mërgimtarëve shqiptarë në Suedi dhe për aktivitetet e kësaj shoqate.

Ministri Murati, fillimisht i ka falënderua mysafirët për vizitën që i bënë atij dhe për interesimin që po tregojnë në vazhdimësi për Kosovën. Murati poashtu e ka vlerësuar lartë punën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, në Suedi, ku kontribut të posaçëm janë duke dhënë krijuesit dhe intelektualët nga Mitrovica.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, në Suedi, Hysen Ibrahimi, tha se ata me vëmendje të posaçme po i përcjellin zhvillimet në Kosovë. Ibrahimi i tregoj ministrit për shoqatën e tyre, se janë një shoqëri e organizuar mjaftë mirë dhe pasqyrojnë punën dhe veprimtarinë e çështjes kombëtare.

“Si temë kryesore e kemi rolin e mërgatës shqiptare për çështjen e shqiptarëve për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Si shoqatë e shkrimtarëve deri më tani si autor kemi publikuar mbi 200 vepra, kurse me punë ekipore kemi butuar mbi 4 thesar. Mes tjerash pretendojmë të pasqyrojmë punën tonë por edhe të jemi mirënjohës ndaj popullit mik suedez dhe ta falënderojmë për gjitha ato që na i ka ofrua. Por, ne si minoritet që jemi atje i gëzojmë të gjitha të drejtat ligjore që janë të garantuara me ligj dhe duam që ti fusim në librat tanë”, tha Ibrahimi.

Në anën tjetër ministri Murati tha se janë në një proces të rregullimit të qendrave kulturore dhe ju premtoj që do ta stabilizojnë diasporën shqiptare në Suedi me një qendër të përbashkët në Mallmo, pasi në atë rajon është i përqendruar edhe popullata shumicë e shqiptarëve. “Unë në shtator ose tetor do të planifikoj në vizitë në Suedi dhe do të jem shumë i hapur me të gjithë mërgatën atje dhe do të bëjë përpjekje që të takohem me të gjitha strukturat”, tha ministri Murati.

Kurse, Qibrie Hoxha theksoi se, e kanë pas fatin që në Suedi pasi janë duke jetuar, të jenë të detyruar që me i përfillë rregullat dhe ligjet e tyre.

“Ti përfillësh ligjet e Suedisë ajo do të thotë të mësohesh se si funksionon demokracia dhe për fat të keq kjo nuk është tu na u deshtë në Kosovë absolutisht asgjë ajo përvojë. Dhe për arsye të këtyre rrethanave në Suedi obligimin që e kemi pas me jetua në mënyrë demokratike kemi qenë mërgata më e organizuar e gjithë diasporës edhe pse numerikisht shumë më pak, por shteti na ka mundësua. Ne vërtet kemi punuar deri tash për lirin dhe pavarësinë e Kosovës. Ne me përvojën që e kemi marr atje 25 vjeçare nuk mundemi me u qorrua e me i mbyllë sytë me thanë që u krye tash. Nuk është krye, pasi lufta për demokraci as që ka filluar këtu”, theksoi Hoxha.

Ndërsa, Bajram Muharremaj, thekson se gjithmonë do të punojnë për kombin, pastaj për të tjerat. “Mendoj që me veprat dhe punën tonë kemi punuar një punë shumë të mirë. Shoqata jonë deri më tani i ka mbi 200 vepra të botuara, ku nuk ka askund në Evropë. Në shoqatën tonë ka aktivistë të vjetër të cilët kanë punuar shumë për çështjen e Kosovës dhe për kombin”, tha Muharremaj.

Gjatë takimit të zhvilluar Ministri Murati ka pranuar katër libra të botuar nga kjo shoqatë me titull “Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi 1, 2, 3 dhe 4”, si dhe librin e autorit Bajram Muharremaj, “Gjurmë atdhetarie”.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, është themeluar në vitin 2011.

Librat ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të shqiptarëve të cilët në trollin e Suedisë u angazhuan me mish e me shpirt për të vënë gurë në themelin e shtetit që quhet Kosovë.
Është planifikuar që ky ndriçim të bëhet me botimin e diku rreth 10 librave të këtillë me gjithsej 8000 – 10 000 faqe. Kjo do të arrihet lehtë për arsye se ka pasur shumë veprimtari, ka shumë angazhime dhe ka shumë materiale.

Por, që çdo gjë të jetë në vendin e vet, shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal i cili si i tillë, i pandriçuar dhe i pabotuar gjer më tani– është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar.

Kështu, Thesarët kombëtar kryesisht u kushtohen kontributeve dhe sakrificave të bashkatdhetarëve tanë në shërbim të misionit për realizimin e pavarësisë së Kosovës. Duke realizuar këtë synim, gjer më tani në Thesarin kombëtar 1, 2, 3 dhe 4, janë përfshirë shumë mjedise, shumë qytete e aktivitete, veprimtarë e aktivistë, me qindra dokumente, gazeta, artikuj, lista, intervista, etj. nga qytetet dhe komunat si: Borås, Båstad, Falun, Göteborg, Hyltebruk, Hässleholm, Laholm, Landskrona, Lundegård, Lättarp, Smedjebacken, Uddevalla, Ängelholm, Vetlanda, Jönköping-Råslätt, Överum, Gulspång, Norrköping, Svenshögen, Stockholm, Malmö, Jokkmokk, Marks, Dals-Ed, Falkenberg, Perstorp, Hultsfred etj.

Ndërkaq, nga territoret jashtë Suedisë që janë përfshirë në librat tanë “Thesar kombëtar” me tema janë prezentuar: Gjermania, Zvicra, Shqipëria, Kosova, SHBA, Ilirida, Rumania, Kroacia, Serbia etj. Pritet që lista të zgjerohet edhe me vende të tjera të Evropës e më gjerë.

E tërë kjo punë do të realizohet me shkrimet të cilat gjërat i paraqesin e i sqarojnë vetëm me gjuhën e argumenteve. Zaten, edhe thesaret kombëtar të botuar gjer më tani i kanë këto karakteristika: janë thesar të vërtetë e të çmueshëm dhe kanë vlera shkencore.

Për fund, Këshilli për Kulturë pranë Qeverisë së Suedisë, e ka ndihmuar Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, në Suedi, me shumë prej 8.000 euro, pas një angazhimi të kryesisë dhe anëtares së kryesisë, avokates Saranda Iseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat