Balli Kombëtar, nuk i njeh Adriatik Alimadhin, Ahmet Mulliqin dhe Selmon Berishën si anëtar të sajë

Diaspora

Balli Kombëtar, nuk i njeh Adriatik Alimadhin, Ahmet Mulliqin dhe Selmon Berishën si anëtar të sajë

Nga: N.Sh. Më: 21 qershor 2015 Në ora: 10:13

Kryesia e Organizatës Balli Kombëtar në Mërgim në mbledhjen e saj të datës 10 Qershor 2015, vendosi të njoftojë opinion publik mbarëkombëtar se Organizata e traditës dhe rezistencës së armatosur kundër sllavokomunizmit dhe pushtuesve të huaj, nuk e njeh legjitimitetin dhe distancohet tërësisht nga veprimtaria përçarëse e Adriatik Alimadhit, kryetar aktual i Partisë Balli Kombëtar në Republikën e Shqipërisë, Ahmet Mulliqit, kryetar i fraksionit të ri të Partisë Balli Kombëtar në Kosovë dhe Selmon Berishës, kryetar aktual i Partisë Balli Kombëtar Kosovë.

“Kryesia e Organizatës Balli Kombëtar në Mërgim vlerëson se përpjekja jonë dyvjeçare për një dialog cilësor dhe mediacion profesional për afrimin e pozicioneve dhe bashkimin e forcave të djathta në vendlindje, duhet të mbështetet nga çdo shqiptar atdhedashës, e veçanërisht nga ata që pretendojnë drejtimin e një force politike nën siglën e Partisë Balli Kombëtar. Të potencuarit e mësipërm e refuzuan çfarëdo dialogu që nuk ju garanton postin e kryetarit të Partisë së Bashkuar dhe hodhën poshtë të gjitha marrëveshjet e propozuara për afrimin e pozicioneve dhe mbajtjen e një Kongresi të përbashkët. Prandaj, ne si Organizatë e Traditës në Mërgim, konsiderojmë se ka ardhur momenti kur opinioni duhet të njihet me qëndrimin tonë refuzues ndaj të gjithë atyre që për hirë të interesave klanore, personale dhe karrieriste dëmtojnë interesin madhor, interesin tonë kombëtar dhe devijojnë tërësisht nga Dekalogu Politik dhe Moral i Organizatës Balli Kombëtar”, thekson Arbër Gashi sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombëtar .

Ai thekson se, për arsyet e sipërcekura, Organizata Balli Kombëtar në Mërgim, Sekretariati Koordinator i Organizatës, kuadrot drejtuese dhe komitetet tona, në të ardhmen do të mbështesin ekskluzivisht vetëm Partinë Balli Kombëtar Demokrat, të cilës i falënderohemi për mirësjellje, profesionalitet, gatishmërinë për dialog, përkushtim serioz për bashkimin e të djathtës dhe vizion të qartë politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat