Shksh ”Nëna Terezë” Ängelholm me koncert humanitar për banorët shqiptar në Lagjen e Trimave në Kumanovë

Diaspora

Shksh ”Nëna Terezë” Ängelholm me koncert humanitar për banorët shqiptar në Lagjen e Trimave në Kumanovë

Më: 20 qershor 2015 Në ora: 18:23

Në praninë e një numri të konsiderushëm të bashkatdhetarëve, Shoqata Kulturore Shqiptare (SHKSH)”Nëna Terezë”, në Ängelholm të Suedisë, në bashkëpunim me estradën shqiptare në Suedi, organizoi një koncert humanitar, për banorët shqiptarë të ”Lagjes së Trimave”, në Kumanovë. Këtë mbrëmje humanitare e shpalli të hapur, moderatori z. Robert Hoti, i cili në emër të vet personal si dhe në emër të kryesisë së ShKSh ”Nëna Terezë”,në Ängelholm, ju uroj të gjithë të pranishmëve mirëseardhje në këtë mbrëmje humanitare. z. Hoti, në vecanti përshëndeti dhe falënderoj estradën shqiptare në Suedi, e cila me plot dëshirë dhe vullnet ju përgjigjë ftesës së ShKSh”Nëna Terezë”, për të dhënë kontributin e tyre në këtë mbrëmje humanitare.

Në vazhdim për një fjalë përshëndetse u ftua ish kryetari i ShKSh”Nëna Terezë”, z. Rrahman Rrahmani, tani kryetar nderi i shoqatës në fjalë. z. Rrahmani, përshëndeti të gjithë bashkatdhetarët e pranishmit në këtë koncert humanitar, solistët shqiptar nga tërë Suedia, të cilët si cdo herë më parë edhe kësaj radhe janë së bashku me ne, me rastin e ngjarjeve të fundit të cilat ndodhën në ”Lagjen e Trimave” në Kumanovë, lagje e cila u dogj dhe u shkatërrua nga regjimi sllavomaqedonas. Pastaj përgëzoi kryesinë e ShKSh ”Nëna Terezë”, në përbërje: z. Ahmet Ahmeti, kryetar, z. Robert Hoti, sekretar, z. Astrit Shkupolli, arkëtar, z. Brahim Selaci dhe z. Shpëtim Jetullahu, anëtar të kryesisë, për organizimin e këtij koncerti humanitar.
Në vijim në skenë u paraqitën valltarët e ShKSh”Nëna Terezë” në Ängelholm. Programi filloi me vallen ”Shota”, dhe me një valle ”Kollazh”, të cilat u interpretuan me mjaft sukses, nga valltarët e
kësaj shoqate, të cilët u duartrokitën pa ndërprer nga të pranishmit në sallë.


Vallja “Shota” e cila u prezentua nga Donika Sallahu dhe Valon Ahmeti

Me rastin e kësaj mbrëmje humanitare për një fjalë përshëndetëse u ftua edhe znj. Saranda Iseni, juriste në Malmö dhe anëtare e kryesisë së ShShASh”Papa Klementi XI Albani”,Suedi. Znj.Saranda Iseni tha ndër të tjera se ajo që ka ndodhur në Lagjen e Trimave në Kumanovë është një krim shtetëror, një ngjarje makabre dhe një tragjedi ku shumë nëna e fëmijë u traumatizuan, shumë shtëpi u dogjën dhe vëllezërit tonë humbën jetë. Më tej znj.Iseni theksoi se të gjithë në kët mbrëmje jemi mbledhur me një dëshirë dhe një qëllim të caktuar, pra të solidarizohemi për vëllezërit dhe motrat e ”Lagjes së Trimave”, në Kumanovë. Si anëtare e Kryesisë në SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, znj.Saranda i përshëndeti të pranishmit edhe në emër të Kryetarit z.Hysen Ibrahimi (i cili po ashtu në pamundësi të jetë i pranishëm ishte solidarizuar me ndihmë materiale) dhe e përgëzoi në vecanti stafin organizativ e në vecanti iniciatorin dhe njeriun me zemër humanizmi z.Robert Hoti dhe të gjithë këngëtarët e estradës shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Suedi. Krejt në fund ajo tha se ne përkulemi para këtyre njerëzve me zemër bujare dhe shpirt humanitar. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe i lehtë u qoftë dheu atyre që humbën jetën.
Për nder të këtij koncerti humanitar z.Ahmet Ahemti dhe znj.Saranda Iseni interpretuan një pjesë teatrale kushtuar legjendarit dhe heroit të madhë kombëtar Adem Jashari. Më poshtë mund të shihni një pjesë nga pjesa teatrale e cila ngjalli emocione dhe u mirëprit me duartrokitje dhe brohoritje nga të pranishmit.


Një valle kollazh e cila u prezentua na grupi i valltarëve të ShKSh”Nëna Terezë”, Ängelholm

Moderatori i kësaj mbrëmje festive, z. Robert Hoti, i njoftoi të pranishmit, se kryesia e Sh.K.SH.”Nëna Terezë”, në mbledhjen e saj të mbajtur më 22/05-2015, vendosi që shuma e mjeteve të grumbulluara me rastin e organizimit të këtij koncerti humanitar, do të ju dërgohen banorëve shqiptarë në ”Lagjen e Trimave” në Kumanovë. Kryesia e shoqatës në fjalë ka vendos, që aksioni për grumbullimin e mjeteve humanitare do të jetë i hapur deri në fund të muajit qershor. Ndërsa mjetet e grumbulluara deri në atë kohë do të dërgohen në Kumanovë, në muajit korrik 2015. Pastai vazhdoj programin muzikor, me këng dhe valle popullore, deri në orët e vona të mesnatës, me solistët tonë të njohur sic janë: Fatmir Ademi, Robert Hoti, Bedri Fazliu-Bedi, Shaip Alija, Flora Berisha, Hamdi Goxhuli, Hysri Bytyqi, Selvije Vehapi, Sadik Krasniqi-Diki, Shpëtim Jetullahu dhe orkestri muzikor, Mentor Haxhiu dhe Astrit Shkupolli, të cilët u falënderuan, nga kryesia e shoqatës dhe nga të pranishmit përzemërsisht, sepse si cdo herë më parë edhe sonte në baza vullnetare dhe pa kurrfarë pagese u solidarizuan me këtë koncert humanitar.
Ishte një program shumë i pëlqyer, për të gjithë të pranishmit, por madhështia dhe e vecanta e kësaj mbrëmje, ishte mbi të gjitha bujaria, zemërgjerësia, humaniteti dhe ndjenjat e mërgatës për atdhedashuri. Në këtë rast dëshmojn edhe mjetet e grumbulluara në shumë prej afro 3 000 euro. Programi i kësaj mbrëmje humanitare, zgjati deri në orët e vona të mesnatës.
Ju falemnderit të gjithëve për kontributin tuaj. Zoti ju bekoft!
Në emër të kryesis së SH.K.SH.”Nëna Terezë”, Ängelholm-Suedi,
z. Robert Hoti, sekretar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat