Ministri Murati pret nxënës të gjuhës shqipe nga Turqia

Diaspora

Ministri Murati pret nxënës të gjuhës shqipe nga Turqia

Më: 27 maj 2015 Në ora: 14:15

Studentë të kursit të gjuhës shqipe në Turqi i pritën sot ministri i Diasporës, z. Valon Murati, dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, z. Osman Shahini.

Të rinj të moshave të ndryshme, të gjithë me prejardhje nga Kosova, u paraqitën para zyrtarëve të Ministrisë, duke i falënderuar për mundësinë e dhënë që të mësojnë gjuhën e të parëve, si dhe për vizitën në ambientet e Qeverisë së Kosovës.

Studentët, shumica e të cilëve janë nga Stambolli, por edhe nga qytete e tjera të Turqisë, si Ankaraja e Izmiri, janë të shoqëruar nga u.d. drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Stamboll, z. Qamil Bytyqi, i cili, njëkohësisht, dy herë në javë e mban kursin e gjuhës shqipe, që nga themelimi i kësaj qendre.

“Rëndësia e njohjes së gjuhës shqipe nuk është vetëm në aspektin patriotik, por edhe interes juaji. Kjo mund t’ju japë përparësi nesër në diplomaci, ekonomi, në ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve tuaja profesionale”, porositi ministri i Diasporës, z. Valon Murati.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, z. Osman Shahini, i ka informuar studentët për mundësitë e pjesëmarrjes në seminarin e 33-të që tradicionalisht organizohet në Kosovë, çdo vit gjatë muajit gusht. Me këtë rast, studentë nga gjithë bota qëndrojnë në Kosovë për të mësuar gjuhën shqipe në një kurs intensiv 6-javor.

“Republika e Turqisë i njeh të gjitha diplomat e institucioneve të Republikës së Kosovës, prandaj kjo është edhe një përparësi që e keni në raport me vendin ku jetoni”, theksoi z. Shahini.

Studentët, nga ana tjetër, patën vetëm një porosi: “Ne me krenari e themi prejardhjen tonë, mburremi me të, prandaj ju lusim të mos na harroni!”.

Ekskursioni i studentëve të kursit të gjuhës shqipe do të vazhdojë në qytetet e tjera të Kosovës, ndërsa përfundon me vizitën në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ditët e ardhshme, do ta vizitojnë edhe Republikën e Shqipërisë./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat