Disa vite të kaluara në gyrbet, i ndarë nga familja nuk e ndaluan elanin e junikasit Sylë Goçi (në foto) për të qenë aktiv në çështjen kombëtare dhe humaniste së cilës i ndenji pranë gjithë kohës.
Në fillim, punëtor me leje pune stinore, nuk i ndahej demonstratave ku do që të mbaheshin nëpër Europë, e kjo i solli edhe problemin atëherë shumë të rrezikshëm dhe shumë të koklavitur gjatë qëndrimit për pushime në vendlindje ku pushteti komunist jugosllav, i konfiskonte dokumentet e udhëtimit. Pas disa peripecive të këtij lloji në vendlindje, Sylë Goçi me mund të madh, arriti të merr vizën vjetore në Zvicër dhe nga aty, angazhimi i tij bëhet gjithë më i pasur me që situata politike evoluonte dhe kërkesat e nevojat e kombit drejt lirisë ishin më të mëdha. “Familja ndihmon familjen”, “Tre përqindëshi”, “Vendlindja thërret” si dhe ndihma të tjera për publikime të ndryshme të librave e broshurave atdhetare, ishin mënyrat e ndihmës në të cilat nuk mungoi Syla. Në Luftën për Liri dy anëtarë më të afërm të familjes qëndruan me armë në dorë gjer në ditën e fundit të tërheqjes së ushtarëve tanë.
Në fillim të viteve 2000, Sylë Goçi bëri grupimin familjar dhe së shpejti pas kësaj, ai me fëmijët bleu shtëpi në Zvicër por në të njëjtën kohë, për fat të keq, pësoi në një aksident trafiku nga ku u pensionua si invalid. Megjithatë, ky handikap nuk e ndaloi atë të vazhdoj aktivitetin e tij humanist; ashtu me kërrabë në dorë, ai nuk la të pame ku i jepej mundësia të shkonte pa marr parasysh largësinë gjeografike apo fisnore. Por Sylë Goçi, si bir pleqnari, dhe me sensin për drejtësi, merr pjesë edhe në ndreqje – pajtime të ngatërresave dhe fjala e tij shpesh ka qenë vendimtare, andaj respekti për të gjithandej rritej.
Dashuria për fjalën e shkruar dhe përgjithësisht ndaj arteve të bukura si dhe aktiviteti në këto lëmi, e bënë këtë mërgimtarë të njohur në botën intelektuale. Pjesëmarrës i pashkëputshëm dhe organizator përurimesh të librave dhe ekspozitave në artet figurative e bënë të njohur në mbarë diasporën tonë. Të përmend vetëm dy ekspozitat gjatë muajit maj të këtij viti ku prezantuan dy piktorë shqiptarë, në Zurich (CH), në lokalet e Bibliotekës Pestalozzi e ndihmën më të madhe a pati nga drejtoresha Zonja Suela Jorgaqi; dhe menjëherë mandej ekspozitë në Vienë (A) ku ndihmoi, ShH “Kërçova” nga Sërbica e cila ofroi lokalin me gjenerozitet shembullor.
Në këtë manifestim humanitar e kulturor, piktori i njohur Vesel Çeliku, i dhuroi një pikturë të mrekullueshme (“Dasma s’ka mbarua”) si mirënjohje për organizimin dhe ftesat e kaluara për prezantim që i pat marr nga z. Goçi. Me pikturën në fjalë, mërgimtari ynë, pasuroi arkivin e tij familjar që numëron mbi dyzet vepra me një vlerë të jashtëzakonshme, si portrete, vegla muzikore me punë dore nga shekujt e kaluar, enë bote lashtësia e madhe e të cilave ende nuk është definuar saktësisht si dhe punime të tjera me gdhendje.
Sylë Goçi tani punon mbi një projekt sa të guximshëm aq edhe fisnik: bëhet fjalë për ngritjen e një godine me stil vendor, aty në Junik, i cili do të jetë një muze dhe vend që do të ofroj mundësinë për ekspozita piktorëve vendas dhe nëse interes ka, edhe për artistë eminentë nga bota.