Përmes shoqatave ruajnë identitetin kombëtar

Diaspora

Përmes shoqatave ruajnë identitetin kombëtar

Nga: Ramadan Reshitaj Më: 25 maj 2015 Në ora: 17:41

Malmë, 25 maj - Unioni i Shoqatave Shqiptare me 40 shoqata anëtare të shtrira në të gjitha mjediset e Suedisë ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, ka realizuar me sukses veprimtarinë e planifikuar për vitin 2014. Qëllimi parësor i Unionit dhe i shoqatave anëtare ka qenë ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar. Kjo është arritur me një varg veprimtarish të suksesshme nëpër komuna dhe në nivelin qendror. Kështu u tha në Mbledhjen vjetore të Unionit, në të cilën u vlerësua veprimtaria e Unionit për periudhën e kaluar dhe u përcaktuan kahet e veprimtarive për periudhën e ardhshme. Mbledhja u mbajt në ambientet e shoqatës ”Dukagjini” të Engelholmit, kurse u kryesua nga Ahmet Bella, sekretar organizativ dhe ekonomik i këtij asociacioni shqiptar në Suedi.
Delegatët së pari me një minutë heshtje nderuan ata që ranë në konfliktin e armatosur në Kumanovë, e pastaj debatuan për raportet vjetore të Unionit, të kryesisë dhe të seksioneve të tij.
Kryesuesi i mbledhjes lexoi letrën që delegatëve ia kishte dërguar kryetarja e Unionit, Fikrije Bajraktari, përmes së cilës ajo kërkoi të lirohej nga ky funksion. Në arsyetimin e dorëheqjes u potencuan çështjet familjare të saj. Duke qenë të njoftuar edhe më parë me shkaqet objektive, delegatët miratuan kërkesën e saj dhe detyrën e kryetarit të Unionit, deri në zgjedhjet e ardhshme ia besuan veprimtarit veteran Mr. Sadullah Zendeli – Dajës.
Përpos veprimtarive të shumta që organizohen nëpër shoqatat lokale, në nivel qendror edhe vitin e kaluar Unioni ka pasur disa manifestime, në të cilat kanë marrë pjesë me mijëra bashkëkombës tanë. Ndër këto manifestime janë edhe veprimtaritë që janë organizuar me rastin e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës si dhe ai për shënimin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit kombëtar. Gjithashtu me sukses janë zhvilluar edhe Festivalet tashmë tradicionale, ai i Poezisë dhe i Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë dhe Festivali i Folklorit Shqiptar.
Janë mbajtur edhe shumë manifestime dhe gara sportive si në futboll të vogël, në shah dhe në disiplina të tjera sportive.
Kryesia e Unionit ka pasur takime të suksesshme me përfaqësuesit e institucioneve suedeze dhe atyre të Republikës së Kosovës, përmes së cilave është shtuar edhe bashkëpunimi i ndërsjellë.
Është bërë punë e mirë edhe në organizimin e bashkëkombësve tanë nëpër shoqata. Gjatë kësaj periudhe, administrata e Unionit ka ndihmuar në themelimin e 3 shoqatave të reja, kurse gjatë vitit 2014 në Union janë anëtarësuar gjithsej 7 shoqata të reja.
Duke debatuar rreth çështjeve aktuale delegatët edhe njëherë shprehën pakënaqësinë lidhur me lokalitetin se ku u hap Qendra kulturore e Kosovës në Suedi si dhe me mënyrën e emërimit të personalit në këtë qendër. Unioni nuk është kundër bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, përkundrazi, por nuk pajtohet me veprimet që janë bërë me këtë rast. Shqiptarët në Suedi nuk e meritojnë, që për shkak të tekeve të dikujt, e ashtuquajtura Qendër kulturore të hapet në një ambient shumë të papërshtatshëm. Qendra kulturore, për të përmbushur misionin e vet, do të duhej të ishte hapur në ndonjë qytet të populluar me më shumë bashkëkombës tanë, dhe jo në një zonë industriale të një fshati rreth 10 kilometra larg qendrës së Halmstadit. Lidhur me këto pakënaqësi kryesia e Unionit ka informuar zyrtarisht Ministrinë e Diasporës, prandaj edhe nuk është e gatshme të bashkëpunojë me këtë qendër të themeluar mbrapshtë.
Mbledhja vjetore, pas diskutimeve dhe analizave, aprovoi raportet e paraqitura dhe planprogramin e veprimtarive për periudhën e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat