Unioni Global i Bizneseve Shqiptare në Diasporë i gatshm për investime në Kosovë, dhe Shqipëri

Diaspora

Unioni Global i Bizneseve Shqiptare në Diasporë i gatshm për investime në Kosovë, dhe Shqipëri

Nga: Nga Prishtina Beqir Sina Më: 23 maj 2015 Në ora: 10:34

Biznesmenët dhe afaristët shqiptarë kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës, që të përkushtohen edhe më shumë për t’i krijuar hapësirë dhe ambient për investime në vendin e tyre, diasporës për të treguar edhe një herë veten e tyre ashtu si për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Unioni Global i bizneseve shqiptare në Diasporë, prej ditës së mërkurë, ka nisur një forum ekonomik katër ditor - me takimet vjetore, të cilat filluan në Prishtinë – në "Sëis Diamond Hotel", dhe mbyllen sot e shtunë në Tiranë, në shënimin e përvjetorit të parë të formimit të këtij unioni.

Në këto takime që llogariten të jenë më të mëdhatë, që prej themelimit, morën pjesë 17 kryetarët e rrjeteve të unioneve shqiptare në botë dhe biznesmenë shqiptarë të dalluar me veprimtarinë e tyre në diasporë.

Gjatë ditës së djeshme kryetarët e rrjeteve të unionit shqiptar formuan platformën e Unionit Global, duke e votuar atë së bashku me statutin e saj, si dhe i përcaktuan rregullat e funksionimit të unionit. Nga ky takim u vendos që edhe për një vit kryetar i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare, të mbetet biznesmeni i njohur shqiptarë në Dallas- SHBA, zoti Nazar Mehmeti, dhe nënkryetar zoti Elmi Berisha nga Nju Jorku, si dhe Ismet Sjmali sekretar i përgjithshëm.

Ndërsa, me këtë rast Nju Jorku, u zgjodh vendi mikpritës ku do të mbahet vitin e ardhshëm takimi i dytë i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës shqiptare.

Gjatë, këtyre katër ditëve biznesmenët e dalluar shqiptarë në botë, diskutuan në frymën e mirëkuptimit mbi modalitetet e të bërit biznes në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe treguan përvojat e tyre të suksesit në biznes në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Forumin katërditor ekonomik, për çdo ditë me profesionalizëm dhe përkushtim të madh e ka udhëhequr zoti Naim Deduashaj, i cili në pozitën e Drejtorit të Investimeve të Diasporës, është edhe ideator dhe krijuesi i organizimit të këtij Rrjeti të Bizneseve Shqiptare në Diasporë.

Ky forum, u shpreh në fillim të fjalës së tij, zoti Dedushaj, është një shembull konkret se si të ndihmohet zhvillimi i vendeve tona respektivisht Kosova dhe Shqipëria nga Diaspora shqiptare, nëpër botë, e cila ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në shërbim të kombit shqiptar.

“Ne sot, tha ai ndihemi krenar që në mesin tonë kemi, dhe së bashku me ne ndodhen edhe disa afaristë dhe veprimtarë të dalluar të diasporës, tonë, nga Europa, Australia dhe SHBA-të, të cilët kurrë nuk u ndalën duke punuar për çështjen Shqiptare, e në veçanti për Kosovën – duke qenë edhe pjesë e fuqishme e luftës për liri dhe e realizimit të pavarësisë së Kosovës".

I gjithë forumi, është moderuar gjatë këtyre ditëve nga sekretari i përgjithshëm i këtij unioni, z. Ismet Smajli, biznesmen shqiptar nga Amerika, dhe koordinatori për Europë, zoti Yll Blakaj nën kryetar për Europën, pjesëtar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, e cili është edhe meritori mbasi ka mundësuar takimin vjetor, që u mbajt këto ditë në Prishtinë dhe Tiranë.

Në forumin ekonomik të mbajtur sot, me temën “Përmirësimi i Ambientit për investimet nga investitorët e diasporës në Kosovë”, ky union ka kërkuar para Kryeministrit të Kosovës zotit Isa Mustafa dhe anëtarëve të kabinetit të tij pjesëmarrës në këtë forum, ndihmën e institucioneve për të investuar në Kosovë.

Edhe krerët e institucioneve të Kosovës, fuqishëm u premtuan atyre ambient të sigurt për investime, dhe të gjitha lehtësirat e të bërit biznes.

Madje, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u zotua se Qeveria, që ai udhëheq do t’i krijoj kushtet për të gjithë investitorët e diasporës kosovare të vijnë dhe të investojnë në vendin e tyre.

“Ardhja juaj këtu dhe investimet tuaja në Kosovë nuk janë të njëjta si investimet e tjera, sepse këtu kthehen njerëzit tanë, kthehen ata që e njohin mentalitetin, që e njohin kulturën, që dëshirojnë t’i ndihmojnë vendit të tyre dhe të cilët së bashku me kapitalin sjellin edhe dijen dhe përvojat që i nevojiten Kosovës. Po ashtu vlerësojmë remitencat që keni sjellë në Kosovë, pasi përmes jush ne kemi mbuluar shumë nga nevojat tona”, tha Mustafa.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, shtoi se ata kanë aprovuar një program qeveritar në të cilin janë munduar që të krijojnë një ambient të përshtatshëm për biznesin nga diaspora.

Ndërsa, presidenti i Rrjetit të Biznesit të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti tha se ky është takimi i dytë i këtij rrjeti mes shqiptarëve në diasporë, por është një fillim i i mbarë dhe i madh, mbasi si u shpreh ai "Dita e bukur duket qysh në mëngjes".

Edhe biznesmeni Lazim Destani, kërkoi që ta shfrytëzojnë këtë sinergji ekonomike për zhvillimin e përgjithshëm të trojeve shqiptare.

Lazim Destani duke shprehur edhe një herë kënaqësinë për këto takime, si kryetar nderi i këtij Unioni, tha se ndihet krenar dhe i nderuar për të qenë pjesë e këtij forumi, i cili nga aspekti ekonomik me të drejtë mund të quhet – struktura më e fuqishme në trojet tona etnike. “Le ta shfrytëzojmë këtë sinergji të madhe ekonomike të diasporës për zhvillimin e përgjithshëm të trojeve tona” bëri thirrje në fillim të fjalës së tij biznesmeni i fuqishëm shqiptar nga Maqedonia, presidenti i kompanisë Ecolog, dhe kryetar nderi i Rrjetit të Biznesmenëve nga Diaspora, duke shtuar se “në këtë format, ne jemi partneri me adresë më relevante për autoritetet dhe institucionet tona për të koordinuar dhe hapur rrugët për investime dhe biznese në këto troje”.

Më tej në fjalën e tij zoti Destani ishte edhe pak kritik, ndaj institucioneve shqiptare -liderëve shqiptarë, të cilët i “thumboi” paksa jo drejtpërdrejt. “Mbasi ne ia dalim, tha presidenti i kompanisë Ecolog, zoti Destani, të jemi konkurrues madje në SHBA, Europë, Kanada, e gjithë andej, ku konkurrenca është shumë më e madhe se në Ballkan, kurse këndej akoma hasim në vështirësi dhe barriera të natyrave të ndryshme”.

Më tej Destani ceku faktin se afaristët dhe biznesmenët shqiptarë në diasporë, nuk kërkojnë asgjë më tepër, se gjithë andej nëpër botë, thjesht që të investojnë në këto troje, ku akoma simbas tij importojmë shumëçka – kur ne dimë dhe kemi resurse t’i prodhojmë dhe bëjmë vetë, më lirë dhe më mirë.

“Nëse nëpër botë ia kemi dalë, pyeti ai më pas, pse atëherë në viset tona nuk mund t’ia dalim? Të bashkuar në biznese dhe investime, le të ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët, le të investojmë për pasardhësit tanë. Këtë të gjithë ne duhet ta bëëjmë dhe ju ua kemi borxh atyre dhe vatanit”, përfundoi fjalën përshëndetëse, Presidenti i nderit i Unionit Global të bizneseve Shqiptare në Diasporë.

Nënkryetari i Përgjithshëm i këtij Unioni, zoti Elmi Berisha, biznesmen i suksesshëm dhe veprimtar i dalluar i komunitetit shqiptar në SHBA, solli një përshëndetje të zjarrtë të të gjithë afaristëve dhe biznesmenëve të shqiptarëve të Amerikës, kryesisht në zonën e ashtuquajtur të “Tre-Shtetshit”.

Gjatë gjithë kësaj kohe, u shpreh zoti Berisha që Kosova ka qenë e lirë, dhe, besojë, se nuk ka qenë ndonjëherë më e përshtatshme se sa tani për të investuar nga ne të gjithë, dhe të japim edhe kontributin tonë në zhvillimin e përparimin e saj. Ngaqë mendoj se erdhi, edhe koha që të bien brengat, dhe të bien disa barriera, duke dal në pah dëshira dhe mundësitë e mërgatës shqiptare, nën udhëheqjen e qeverisë tuaj- zoti Kryeministër Mustafa.

“Mbasi, tha ai ashtu si e përmendët edhe ju zoti Kryeministër, diaspora shqiptare gjatë gjithë historisë së saj ka luajtur një rol historik duke filluar qysh nga koha e formimit të shtetit shqiptarë, me Vatranët, dhe më tutje, deri në ditët e sotme, ku edhe lufta heroike e armatosur, u suportua dhe u ndihmua shumë nga diaspora shqiptare. Shqiptarët në diasporë, krijuan mundësi të reja kur erdhi fjala deri tek lufta për liri dhe pavarësinë e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve të nëpërkëmbura në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Çamëri, ku edhe ju e lideri historik Rugova, ishit pjesë e sistemit paralel atëherë”.

Më tej zoti Berisha tha: “Megjithëse, në Kosovë gjatë çlirimit të saj dhe pavarësisë situata e saj ka pasur lëvizje të ndryshme, të cilat mund të pohohet se mbas viti 2001 sikur ranë pak, kryesisht ishte ajo diaspora shqiptare dhe ajo në SHBA dhe Europë, e cila e riktheu besimin, duke e rigjallëruar jetën e përditshme në Kosovë e në të gjitha trojet shqiptare, ku një meritë të veçantë sot i jepet edhe afaristëve dhe biznesmenëve shqiptarë, veprimtarëve të dalluar të saj - në vendin mik i madh i shqiptarëve, pra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së fundi , duke ju drejtuar edhe Kryeministrit dhe anëtareve të kabinetit qeveritar nënkryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Botë, zoti Elmi Berisha tha: “Më lejoni që duke shprehur besimin se kjo qeveri dhe ky kabinet qeveritar, ky lider, do të na ofrojë më të mirën, të gjithëve ne, për të ardhur dhe investuar në Kosovë dhe të ndihmojmë edhe ne në në zhvillimin e saj – jam më se i bindur; se edhe një herë, duke besuar edhe në mundësitë tona, në dedikim tonë moral, njerëzor dhe kombëtar, ekonomik dhe politik, diaspora shqiptare, veprimtarët e saj, afaristët dhe biznesmenët, do të bëjnë më të mirën për Kosovën, por, zoti kryeministër Mustafa, dhe ju qeveritar vetëm na jepni një shansë dhe na “hapni rrugët”, se më pastaj jemi ne vet, që do ta tregojmë veten siç e kemi treguar vetveten për atë se çfarë mund dhe do të bëjmë për Kosovën dhe zhvillimin e saj”.

Mbështetje bizneseve kosovare në botë u dha edhe nga ministri i Diasporës Valon Murati, i cili shoqëroi delegatët e unionit edhe në takimet e tyre në Istog, i cili u tha atyre se do të bëjnë përpjekje që të ndryshojnë ambientin për investime.

Gjatë prezantimit të tij para të pranishmëve ministri i Diasporës Valon Murati potencoi se rrjetëzimi i diasporës e posaçërisht rrjetëzimi i bizneseve shqiptare të diasporës është një prej projekteve më të rëndësishme të realizuara nga ministria që ai udhëheq.

Ai gjithashtu foli edhe për mekanizmat që është duke i krijuar Qeveria e Kosovës për të kanalizuar remitancat e dërguara nga Diaspora në investime direkte dhe zhvillim ekonomik të vendit, duke tentuar që këto remitanca nga konsumi të drejtohen drejt investimeve. Ministri Murati gjithashtu theksoi se Unioni Global i Bizneseve Shqiptare të Diasporës është një nga partnerët më të rëndësishëm të Qeverisë së vendit.

Në anën tjetër ministri i Zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci foli për rëndësinë e këtij takimi si një rast i mirë për të dëgjuar njëri tjetrin dhe për të parë idetë dhe propozimet nga bizneset tona në diasporë. Ai theksoi prioritetin e Qeverisë për të bashkëpunuar me sektorin privat dhe përmendi reformat strukturale që është duke i ndërmarrë Qeveria e Kosovës në favor të sektorit privat.

Ligji për investime strategjike dhe Fondi inovativ janë dy prej mundësive ndërmarrëse kryesore të Qeverisë së Kosovës për të krijuar një klimë më të mirë të investimeve në Kosovë, theksoi ministri Stavileci.

Ndërsa, kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptare për Gjermaninë, Ejup Berisha, që është dega më e suksesshme e bizneseve shqiptare, kërkoi nga kryeministri që t’iu ndihmoj atyre që të investojnë në Kosovë.

Në takim morën pjesë dhe diskutuan ministrja Hykmete Bajrami, ministre e MTI-së, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, Besian Mustafa drejtor KIESA, Osman Shahini sekretar i përgjithshëm në MeD, Hakif Gashi kryetar, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Samir Krasniqi i Odës Ekonomike Gjermane, përfaqësuesi i UNDP - IOM sekretari i parë i ambasadës së Finlandës, dhe afaristë e biznesmen kosovar.

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme forumi ka vazhduar takimet e planifikuara me biznesmenë të komunës së Istogut dhe kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova. Takimi me biznesmenët që kanë investuar në Kosovë bëhet për tu njoftuar nga afër me punën e tyre. Forumi ka në agjendën e tij edhe takime të tjera me krerët më të lartë të shtetit, ndërsa përfundon gjatë ditës së shtunë me takimet në Tiranë.

Takimi gjithëkombëtar i Unionit të Bizneseve shqiptare, union ky i formuar një vit më parë me iniciativën e Ministrisë së Diasporës dhe i përkrahur nga UNDP-ja kishte si nikoqir të këtij takimi vjetor Rrjetin e bizneseve shqiptare në Austri, i cili funksionon që prej një viti në Vjenë.

Unioni i Biznesit i ka rrjetet e veta në 17 shtete të ndryshme të botës. Katër rrjete janë në Amerikë, një në Kanada dhe të tjerat në të gjitha shtetet ku ka shumicë shqiptare në Evropë. Gjatë themelimit të këtij Unioni janë zgjedhur edhe kryetarët e tyre. Kryetar global i Unionit është zotëri Nazar Mehmeti, nënkryetar Elmi Berisha, sekretar Ismet Smajli, ndërsa kryetar për Evropë Yll Blakaj.

Kryetar nderi është biznesmeni i suksesshëm nga Tetova - Lazim Destani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat