Lufta speciale e perandorisë osmane ndaj shqiptarëve

Diaspora

Lufta speciale e perandorisë osmane ndaj shqiptarëve

Nga: Vesel Jaha Më: 22 maj 2015 Në ora: 18:50

Në vitin 1832, Pashallëku i Vidinit, që njihej edhe si Pashallëku i shqiptarëve, pushtohet nga forcat turke, të cilët e copëtojnë në disa pjesë dhe ia japin dhuratë, Knjaz Milloshit të Serbisë.

Luftërat u ndërprenë në dimër, Osmani kthehet në shtëpi. Drejtuesit e Vidinit, duke pasur frikë nga Osmani, lajmërojnë Ali Pashën, udhëheqës i Vidinit, ku Osmanit i japin tri ditë afat që të largohej nga qyteti i Vidinit.

Osmani, i bashkëngjitet ushtrisë së Vezirit të Madh, Hoxhë Jusuf Pashës, i cili në këtë kohë kishte depërtuar në territoret e Banatit e deri tek Mehadia dhe e kishte rrezikuar Temishfarin. Mirëpo, forcat e përbashkëta austro-ruse i thyejnë forcat e Perandorisë Osmane dhe i detyrojnë të kthehen mbrapa. Osmani kthehet prapë në shtëpi, të cilit i kishin dhënë detyrën për të ndaluar të arratisurit dhe dezertorët e luftës.

Në këtë kohë, Hoxhë Jusuf Pasha është thirrur të shkonte në Rushquk për të mbrojtur kufirin në Danubin e Poshtëm. Me përfundimin e luftërave dhe me Paqen e Sfishtovit, ku Osmani ishte lavdëruar e dekoruar për trimëri, kthehet në shtëpi, në Vidin.

Me t’u kthyer, në Vidin u përhap lajmi se Osmani e ka ndërmend të hakmerret për vrasjen e babait të tij, të cilit i organizojnë kurthin për likuidim. Në të njëjtën kohë, Sulltan Selimi i III-të, filloj me zbatimin e reformave, duke mos e parë rrezikun nga Austria dhe Rusia. Zbatimin e reformave e filloi në Pashallakun e Beogradit. Në të njëjtën kohë filloi edhe me likuidimin e aleatëve që kishte pasur në këto luftëra, me bindjen se ishin armiq të Perandorisë.

Në një dokument të Perandorisë, i akuzuar ishte edhe Mahmut Pashë Shkodra. Në këto dokumente thuhet se, Mahmut Pashë Shkodra kishte deklaruar se Perandoria është e juaja, duke mos e pranuar si shtet të vetin, i cili gjithmonë ka bërë përpjekje të shkëputej nga Perandoria Osmane.

Emin Xhika shoku më i ngushtë i Demë Ahmetit

Pikërisht për këto shkaqe edhe u mor vendimi që befasisht të sulmohej Osman Pasvan Ogli. Pas një sulmi që iu bë Osmanit, nuk arritën ta vrasin atë, por vranë një shokë të tij. Pas këtij sulmi largohet dhe i bashkëngjitet aradhes së Demë Ahmeti, të cilat në këtë kohë njiheshin si aradh e Gërxhalinjëve dhe Daglinjëve, të cilët nuk kishin pranuar të vepronin sipas urdhrave të Sulltanit, por kishin vazhduar rrugëtimin e vet për marrje të pushtetit.

Sulltan Selimit të III-të, ua kishte ndaluar jeniçerëve të ktheheshin në Pashallëkun e Beogradit. Në të njëjtën kohë, Bashëve ua kishte marrë të drejtën dhe u kishte dhënë grada rajës kishtare; duke u premtuar privilegje dhe heqje tatimesh për tri vite. Ndërsa, myslimanëve ua kishte ndaluar bartjen e armëve, madje edhe qarkullimin prej Nishi në Beograd.

Kështu që Osmani, me urdhër të Demë Ahmetit, kthehet në Vidin me 1000 luftëtar, i cili bashkë me Ali Gushanin, nipin e Demë Ahmetit, rrethojnë Vidinin. Ali Pasha duke mos mundur t’u rezistonte, pranoi ta lëshonte qytetin pa luftë. Më vonë, mendohet se me Ali Pashën kishin krijuar miqësi, të cilin (Ali Pashën), me 1798, e likuidon Sulltani. Osmani u vendos në Vidin, u emërua Nazir i qytetit që nënkuptonte udhëheqës nën mbrojtjen e udhëheqësit, pra të Gërxhalinjëve.

Politika e Sulltan Selimit III, bëri që për një periudhë shumë të shkurtër (1791-1793), në Pashallëkun e Beogradit, të ndërroheshin katër pashallarë. Kështu që, me pamundësi të hyrjes në Pashallëkun e Beogradit, edhe pas përpjekjeve të tyre të shumta, jeniçerët iu bashkëngjiten ushtrisë së gërxhalinjëve dhe së bashku luftuan kundër ushtrisë së Sulltanit.

Në vitin 1795, Sulltani e urdhëroi Haxhi Mustafë Pashën, që me një ushtri nga ana e Bosnjës, të dërgoi Ahmet Pashën në Vidin. Me të kuptuar për ardhjen e forcave të Sulltanit, Osmani me luftëtarët e vet i dolën në pritë, ku në këtë luftë vritet Ahmet Pasha i Bosnjës, të cilin e varrosin në Vibos, afër Vidinit.

I thyejnë forcat e Osman Pashës dhe të serbëve

Më pas, Mustaf Pasha kishte arritur që t’i përvetësoi rajën krishtere të Pashallëkut të Beogradit për të marrë pjesë, përkrah ushtrisë së Sulltanit, në luftë kundër rebelëve të Perandorisë. Pra, kundër ushtrisë së gërxhalinjëve. Gjatë luftimeve që u zhvilluan me 1796-1797, disa herë u pushtua Beogradi, por nuk arritën ta mbanin, sidomos me 1797.

Në këtë kohë Haxhi Mustafë Pasha, emërohet në postin e Seraskerit të Sulltanit për Rumeli, i cili e kishte për detyrë që ta pastronte vendin nga rebelët e gërxhalinjëve dhe daglinjëve. Ndërsa, udhëheqësia për Pashallëkun e Beogradit, iu besua Kajmekamit të Beogradit, Osman Agës, i cili kërkoi nga serbët që të përgatisin një ushtri prej 20.000 vetash me pagesë.

Nga fundi i nëntorit 1797, trupat e gërxhelinjve ishin drejtuar për në Pozherefc dhe arrijnë t’i thyejnë forcat e Osman Pashës dhe të serbëve. Pa ndonjë rezistencë të madhe arrijnë të hynin në Smederevë, të cilët në mënyrë miqësore priten nga popullata islame. Aty kah mesi i dhjetorit 1797, këto forca i drejtohen Beogradit.

I frikësuar nga këto forca dhe suksesi i tyre, pasi që edhe popullata e ndihmonte, Perandoria Osmane vendosi që të përgatisë një ushtri të madhe, të përbërë nga katërmbëdhjetë pashallëket më me zë. Komanda iu besua Hysein Kapetan Pashës, i cili ishte dhëndër i Sulltan Selimit të III-të.

Në pranverën e vitit 1798, Hysein Kapetan Pasha me një arsenal topash dhe armatim jashtëzakonisht të madh; me kajka dhe barga që bartnin topa, arriti para Vidinit. Rrethohet kalaja e Vidinit, derisa vija e frontit ishte tetë kilometra e gjatë. Numri i ushtarëve që rrethuan Vidinin ishte rreth 80.000 forca. Ndërsa, gërxhalinjët kishin vetëm 12.000.

Sipas kronikave të kohës, Ali Pashë Tepelena ishte vendosur në Novoselë, kundër të cilit ushtria e gërxhalinjëve luftonte me pesë topa. Në këto luftime vritet Emin Xhika, shoku më i ngushtë i Demë Ahmetit. Eminit ia ngrisin përmendoren (tyrbe), ndërsa këmishën e përgjakur ia dërgojnë familjes së tij, të cilën e kanë ruajtur përplot një shekull.

Edhe në ditët e sotme, në Prishtinë ruhet shtëpia e Mënxhikës, e cila është muze etnologjik, e që nga populli gjithmonë është quajtur shtëpia e Emin Xhikës. Për këtë ka edhe dokumente të shumta osmane, ku flitet për një histori të gjatë dhe si dy shokë më me zë; Demë Ahmeti dhe Emin Xhika.

Kjo luftë ka zgjatur tetë muaj, ku detyruan Sulltanin të gjunjëzohej dhe të pranonte negociata me Dem Ahmetin. Me këtë rast, krijohet një marrëveshje e brishtë. Ali Pashë Tepelena gradohet, udhëheqësit e gërxhalinjëve dhe dagëllinjëve amnistohen. Ndërsa Demë Ahmeti emërohet Kapixhibash, kinse i besuar i Sulltanit, e që në të vërtetë kjo ishte vetëm një taktikë e tij.

Katër dekada pashallëk të shqiptarëve

Përveç kësaj, Demë Ahmetit i jepen edhe pesë Sanxhaqe dhe me të drejtë trashëgimie. Këto Sanxhaqe Dema i ndanë në tri pjesë; Në Vidin emëron Osman Pasvan Ogllinë, i cili ka vdekur me 1807, një pashallëk më të vogël, Pashallëkun e Ada Kalesë, ia jepë Rexhep Agës, të cilin Porta e lartë e likuidon me 1814, me urdhër të Hafiz Ali Pashës së Nishit dhe Pashallëkun e Turgasit ia kishte dhënë Deli Kadrisë. Mehmetit, vëllaut të vet, Dema ia dha Pashallëkun e Jeni Pazarit, i cili vendoset në Karanovc, Kraleva e sotme në Serbi.

Ndërsa, vetë Dema vendoset në qytetin Ivanov, ku me depërtimin e turqve dhe pushtimin e këtyre trojeve, turqit i dhanë emrin e ri, Gne Surgin. Ndërsa, me vendosjen e Demë Ahmetit, këtij qyteti i vihet emri Gërxhali, emër ky që ruhet edhe në ditët e sotme.

Kjo paqe e arritur u prish prapë me 1799, kur Ali Pashë Tepelena filloi me sulmet e tija, me qëllim të rrëzimit të udhëheqësit të gërxhalinjëve, Demë Ahmetin, që njihej me nofkën Kara Fejza.

Në disa dokumente të kohës (1798), flitet edhe për revolucionarin me origjinë shqiptare, Riga prej Feresë, të cilin pushteti i Austrisë e kishte zënë dhe ia kishte dorëzuar kajmekamit, Osman Pasha, në Beograd. Për shpëtimin e tij, Ali Pashë Tepelena kishte ofruar shuma të mëdha parash. Përpjekje për lirimin e tij kishte bërë edhe Ali Begu, që ndryshe njihet edhe me emrin Ali Gushani, që ishte nip i Demë Ahmetit.

Në vitin 1832, Pashallëku i Vidinit, që njihej edhe si Pashallëku i shqiptarëve, pushtohet nga forcat turke, të cilët e copëtojnë në disa pjesë dhe ia japin dhuratë, Knjaz Milloshit të Serbisë. / Fund

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat