Unioni Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbajti takimin vjetor Prishtinë - Tiranë

Diaspora

Unioni Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbajti takimin vjetor Prishtinë - Tiranë

Nga: Nga Prishtina Beqir Sina Më: 22 maj 2015 Në ora: 08:57

Prishtinë - Unioni Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës, në shënim të përvjetorit të parë të themelimit të saj - po mban këto ditë një nga veprimtarit më të mëdha, që prej themelimit të tij.

Veprimtaria, e biznesit dhe afarizmit shqiptarë në botë, nisi me mbajtjen, sot të forumit të quajtur “Ambienti për Investime në trojet mbarëshqiptare", në Sëiss Diamond Hotel - Prishtinë, ku morën pjesë më shumë se 50 biznesmen të suksesshëm shqiptarë të mbledhur nga Europa, SHBA dhe Kanadaja.

Mori pjesë edhe zoti Naim Deduashaj, i cili në pozitën e Drejtorit të Investimeve të Diasporës, është ideator fillestar strategjik i konceptit të organizimit të këtij Rrjeti të Bizneseve Shqiptare në Diasporë.
Në këtë forum morën pjesë, kryetarët e rrjeteve të bizneseve të diasporës, dhe delegacione afaristësh shqiptarë nga 17 shtetet e botës, si Anglia, Australia, Austria, Finlanda, Francë, Gjermani, SHBA (Dallas, Illinois, Wisconsin,Michigan, New York, New Jersey, Connecticut, ) Kanada, Italy, Kroaci, Slloveni, Turqi, Luxenburgu, Hollanda, Çekia, Hungaria dhe Zvicra.

Takimi i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, u hap një fjalim përshëndetës nga presidenti i këtij unioni mbarë shqiptarë, zoti Nazar Mehmeti, i cili foli edhe mbi mbarëvajtjen e punës së këtij forumi gjithë përfshirës.

Forumin e përshëndeti edhe Presidenti i Nderit i këtij Unioni, biznesmeni i madh shqiptarë nga Maqedonia Lazim Destani, ndërsa e moderuan atë Ylli Blakaj koordinator për Europë i Unionit, biznesmen nga Austria dhe Ismet Smajli biznesmen nga Dallasi – SHBA.

Më pas kryetarët e rrjeteve nga 17 shtetet e botës, paraqitën raportet e tyre, dhe diskutuan mbi modalitetet e të bërit biznes në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe sollën përvojën e tyre të suksesit në biznes simbas vendeve ku ata jetojnë e ushtrojnë bizneset e tyre.

Z. Elmi Berisha, nënkryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës dhe kryetar për "zonën e Tri-Shtetshit" New York, New Jersey, dhe Connecticut, mbajti referatin "Përmirësimi i klimës investuese për investitorët e Diasporës".
Më pas iu bë një përmbledhje e punës së vitit të kaluar dhe u kalua (pikë për pikë -nen për nen) në diskutim të hapur rreth asaj që thirrej Platforma Strategjike e Veprimit (secili shtet me të drejtë për të prezantuar 3 deri në pesë minuta), një platformë kjo e shkruar nga ekspertët e zgjedhur nga ky Union me 10 faqe dhe disa kapituj.
Gjatë punës së këtij takimi vjetor, mbas leximit të platformës u kalua në diskutimin e preambulës, historinë e këtij Unioni, dhe vizionin e saj, qëllimin, dhe vlerat bazike të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, ngritjen e selisë Qendrore dhe strukturave organizative e funksionale, shpërndarja dhe burimet e financimit, të RRBDSH-së, shpërndarja dhe alokimi i buxhetit, aktet e tjera normative dhe rregulluese të Unionit.

Në mënyrë unanime të 17 kryetarët, kanë miratuar mbasi u hodh në vota - votimin për Platformën Strategjike të Veprimit, e cila u lexua nëpërmjet një video-projeksioni nga Sekretari i Përgjithshëm i këtij Unioni - zoti Ismet Smajli.

Presidenti i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, zoti Nazar Mehmeti, i njohur edhe si veprimtar i dalluar i komunitetit shqiptarë në SHBA, mbetet president edhe për një mandat tjetër ose deri në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa, u votua me këtë rast vendi dhe data e mbajtjes së takimit të dytë vjetor të Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, duke caktuar si mikpritëse, vitin tjetër qytetin botëror të biznesit, i njohur ndryshe edhe si metropoli botëror, qytetin e New Yorkut - SHBA.

Në fund me përfundimin me sukses të punimeve të takimit të parë vjetor të Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, u shtrua një darkë në lokalin "Apollonia", darkë ku mori pjesë edhe ish Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, z Bekim Sejdiu, dhe miq të tjerë të këtij Unioni nga Prishtina dhe vendet e tjera nga Europa.

Unioni Global i Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare në botë, sot udhëton për në Istog për të promovuar suksesin e një anëtari të këtij Unioni, investitorit nga diaspora (Belgjika) z Ismajl Bytyqi, pronar i kompanisë për kultivimin e peshkut.

Takimi në Istog - do të nisi sot me vizitën dhe takimin me kryetarin e Komunës së Istogut dhe afaristëve nga Diaspora, që kanë investuar në Istog, në lokacionin e thirrur "Trofta"
Ky takim do të hapet nga Ylli Blakaj dhe do të moderohet nga Bekim Neziri. Kurse pritet të flasin në këtë takim edhe prodhuesi i Peshkut, z. Ismail Bytyqi, - Hotel "Trofta", nga Hotel Onix, Banja Termale, z Xhevdet Shoshi, kompania Agro Produkt, prodhuesi i Çajrave, z.Halit Avdiu, kompania Sinalco - Fabrika e Lëngjeve, zoti Gani Dreshaj, dhe firma Makon - firmë ndërtimore zoti Ismet Rugova.

Ky forum që nisi në Kosovë, ditën e enjte, përfundon me takimet dhe forumin që do të mbahet ditën e shtunë në Tiranë - Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat