​Murati: Të rivendosen urat e komunikimit më shqiptarët në botën arabe

Diaspora

​Murati: Të rivendosen urat e komunikimit më shqiptarët në botën arabe

Më: 18 maj 2015 Në ora: 12:12

Në Qendrën Kulturore të Kosovës në Stamboll me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës u mbajt debati me temën “Shqiptarët në botën arabe”.

Në këtë takim morën pjesë edhe Ministri i Diasporës Valon Murati, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës Rrahim Morina, Drejtori i Qendrës Kulturore Qamil Bytyqi si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Stamboll, studentë, por edhe shqiptarë me prejardhje nga bota arabe.

Panelisti kryesor ishte Abedel Karim Arnaout udhëheqës i Qendrës Ndërkombëtare Shqiptare për Kulturë dhe Art në Bejrut.

Arnaout familja e të cilit ishte vendosur në Bejrut që në shekullin e 18-të foli për shpërndarjen e shqiptarëve në botën arabe, por edhe për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur shqiptarët në procesin e shtet-ndërtimit jo vetëm të Egjiptit por edhe në Liban dhe shtetet e të tjera arabe.

Duke folur për përkatësitë e ndryshme fetare të shqiptarëve në Liban ai theksoi se modeli i bashkëjetesës fetare tek shqiptarët mund të shërbejë edhe si model jo vetëm për Libanin dhe kontekstin e tij divers fetar por edhe për tërë Lindjen e Mesme e cila po kalon kohë të vështira. Ai gjithashtu shtroi nevojën për krijimin e një qendre kulturore shqiptare në Bejrut e cila do të fillonte të ngjallte gjuhën shqipe tek shqiptarët atje.

Ministri Valon Murati theksoi se diaspora shqiptare në botën arabe është e veçantë, dhe ndonëse janë humbur kontaktet dekadave të fundit, duhet të punohet që të rivendosen urat e komunikimit. Ai e vlerësoi të rëndësishëm rolin e tyre në historinë shqiptare por edhe në shoqëritë arabe.

Gjithashtu ai nënvizoi se shqiptarët e botës arabe mund të shërbejnë si një urë lidhëse në mes të arabëve dhe shqiptarëve dhe se ky komunitet mund të luaj rol të rëndësishëm në njohjen e Kosovës nga shtetet arabe që nuk e kanë njohur Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat