Në Gjenevë përkujtohet jeta dhe vepra e lavdishme e piktorit, poetit dhe strategut të pavdekshëm Agim Ramadani (Foto)

Diaspora

Në Gjenevë përkujtohet jeta dhe vepra e lavdishme e piktorit, poetit dhe strategut të pavdekshëm Agim Ramadani (Foto)

Më: 17 maj 2015 Në ora: 22:59

Fjalë rasti kanë mbajtur Z.Xhafer Gashi dhe Z. Feriz Tërzhnjeva, pjesëmarrës të betejës së lavdishme të Koshares.
Ata nëpërmjet dhembjes dhe krenarisë para qindra mërgimtarëve kanë evokuar kujtime nga frontet e luftës, duke trajtuar me theks të posaçëm guximin dhe profesionalizmin e eprorit të tyre Agim Ramadani, nën udhëheqjen e të cilit u thye njëherë e përgjithmonë kufiri shqiptaro-shqiptar i vendosur padrejtësisht para një shekulli nga pushtuesit serbo-sllav. Të pranishmit e këtij manifestimimi i ka përshëndetur me prezencën e tij edhe Z. Ramadan Avdiu konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë. Pastaj është shfaqur një dokumentar me pamje nga Beteja e Koshares,nëpërmjet të cilit u ofruan fakte se si kryeprisi Agim Ramadani së bashku me bashkëliftarët shpartalluan ushtrinë,policinë dhe bandat paramilitare të armikut. Kështu Agim Ramadani me shokët e tij urrejtës të përbetuar të armikut me heroizmin e tyre të treguar i ngritën vetes përmendore të përjetshme. Ndërsa pjesën artistike të manifestimit e ka hapur ansambli i këngëve dhe valleve “Gëzuar” nga Gjeneva, i cili enkas për këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë ka përgatitur koreodramëm”Liria është e shenjtë”

Esenciale për koreografin Xhemali Berisha dhe producentin Nexhmedin Ilazi është se puna intensive dha frytet e duhura. Kjo pjesë artistike e punuar me përkushtim u pëlqye nga shikuesit të cilët me duartrokitje të pandërprera përshëndeten paraqitjen e mrekullueshme të këtij ansambli. Të adhuruar çdoherë e më shumë jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga gjenevasit këta të rinj po motivohen edhe më tepër për punë dhe suksese të reja. Prandaj me të drejtë konsiderohen si pikënisje e promotor të çdo aktiviteti kulturor në Gjenevë e më gjer. Më pas në skenë është ngjitur aktori dhe lahutari i njohur rugovas Çun Lajçi, i cili para të pranishmëve shpalosi recitalin e shkruar dhe të përgatitur nga vet ai me titull mjaft kuptimplotë “Ndalu xhelat”. Lajçi tash e sa vjet tragjiken dhe heroizmin e popullit të vet e prezanton në varre, në lëndina, fusha e kodra ,aty ku ka rrjedhur gjaku për mëvetësinë e Kosovës. Atë dhembje dhe krenari ka kohë që e sjell edhe ndër mërgimtarë ashtu siç pati bërë më 1998 kur së bashku me korin e artistëve më të mëdhenj shqiptar po në Gjenevë, pati nderuar me program ekskluziv rënien e legjendarit Adem Jashari dhe të familjarëve të tij. Aktori i mirënjohur Çun Lajçi edhe sot para kurbetçinjve të shumtë në Gjenevë, dëshmoi prirjet e tij prej artisti të madh.

Ai nëpërmjet recitalit të cekur më lartë e solli para shikuesve figurën e oficerit të karrierës dhe strategut Agim Ramadani, të cilin me të drejtë e përshkroi si liberator dhe drejtues të pazëvendësueshëm të Betejës së Koshares. Ndërsa njëqind e trembëdhjetë të rënëve të tjerë të kësaj Beteje, ua dha epitetin e meritueshëm hymn trimërie dhe lisa që prekin qiellin. Pas aktorit Lajçi në skenë erdhi reperi i mirënjohur Arian Agushi alias Gold AG i cili e ndezi atmosferën sidomos tek të rinjtë me këngën “Armikut si përulet” nëpërmjet së cilës fund e krye i këndoi qëndresës dhe heroizmit të Agim Ramadanit e Sali Çekut, të cilët së bashku me shokët ua shtinë në palcë frikën pushtueseve serbë dhe mëditësve të tyre të ardhur nga Karpatet e Rusisë. Thënia latine: Memoria clarorum,etsi mortui funt,manëbit , mësëmiri i rri komandantit Agim Ramadani ,dhe shokëve të tij, që në gjuhën shqipe do të thotë: Kujtimi në njerëzit e lavdishëm,edhe pse kanë vdekur,do të mbes prore.

Më pas u është lënë hapësirë edhe shoqërive tjera muzikore të dalluara në artin e valles si:”Rinia Contact” të Gjenevës, Shkollës së Vallëzimit “Shota” nga Badeni kantoni Aarau, SHKA”Ilirët” nga Llozana, SHKA” Dardania” nga Winterthuri dhe “Rapsodët” nga St. Julien. Të gjitha këto shoqëri muzikore pa hezitim kanë nxjerrë nga arkivat e tyre gjithë kapitalin e krijuar kulturor të cilin e kanë prezantuar me mjaft sukses në tubimin e sotëm përkujtimor kushtuar heroit Agim Ramadani.
Ndërkaq ata që e kanë referencë muzikën folklorike i kanë argëtuar rapsodët: Mejdi Murseli, Esat Gashi dhe Ardian Dema. Organizatorët të frymëzuar nga dashuria dhe respekti i veçantë ndaj atyre që ranë për të mos vdekur kurrë në Betejën e Koshares shpërndan në publik trëndafil të bardhë të cilët simbolizojnë shpirtbardhësinë e këtyre trimave të cilët vdiqën duke i thirrur idealit të zemrës së tyre Lirisë së Kosovës.

Në fund në emër të familjes zonja Shukrije Ramadani bashkëshorte e heroit Agim Ramadani falënderoi më fjalë të përzgjedhura të gjithë pjesëmarrësit e këtij jubileu e në veçanti Këshillin Organizativ “DITËT E AGIMIT” nga Gjeneva i cili çdo vit përkujton birin e saj dhe të Kosovës, Agim Ramadani, duke ua bërë me dije të gjithëve që Agimi edhe për së gjalli admirohej nga familjarët, shokët , miqtë e veçmas një dashuri të pakufishme e gëzonte nga bashkëfshatarët e tij të Zhegrës të cilët e deshën dhe i deshi shumë. Agim Ramadani do të mbetet gjithmonë si një nga figurat më të çmuar të historisë sonë, sepse falë sakrificës dhe heroizmit të tij armiku i përforcuar edhe me mercenarë rusë u tërhoq turpshëm nga Kosharja. Në saje të vetëmohimit të jashtëzakonshëm të heroit Ramadani dhe të bashkëluftarëve të tij u shemb muri që ndau shqiptarët në dy pjesë gjatë dhjetë dekadave . Fare në fund zonja Ramadani i ka lutur të gjithë që me një minutë heshtje të nderohen të gjithë të rënët e Kumanovës,duke bërë edhe apel që faktori shqiptarë në Maqedoni të unifikohet sa më parë dhe skenarëve të pistë të sllavo-maqedonasve tu thuhet mjaft. Programin e kësaj dite festive e drejtuan me sukses bashkëshortët Shpejtim e Afërditë Krasniqi, të cilët tek auditori lanë përshtypje me veshjen e tyre plot shije dhe me shtjellim të vëmendshëm të çdo pike të këtij programi. Organizatorët e manifestimit tradicional “Ditët e Agimit” i shpërblyen me mirënjohje të gjitha grupet pjesëmarrëse në program. Veçmas ata u ndanë të kënaqur ngase manifestimi u përmbyll me prezantim real të vlerave kulturore të krijuara në Kosovë dhe Zvicër. / ARIF EJUPI

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat