'Veç shpisë tonë nuk kem ku shkojmë'

Diaspora

'Veç shpisë tonë nuk kem ku shkojmë'

Nga: Rukije Rama Më: 3 maj 2015 Në ora: 17:06

Jo rrallë ngatërrohet vlera me antivlerën. Vlerë e një njeriu për mendimin tim është atëherë kur njeriu vë në dispozicion të shoqërisë ku jeton, mundësitë e veta për të ndihmuar sadopak në përmirësimin e atyre gjërave që ai i quan jo të mira dhe që kanë mundësi përmirësimi. Nuk është puna të punosh me fushata për të patur përfitime personale ose për të bërë bujë, por të punosh për ti shërbyer shoqërisë ose njeriut tënd është të punosh si bleta, që mbledh nektar në shumë lule , për të prodhuar një gram mjaltë, i cili është ilaç shërimi për njerëzinë. Vendi i huaj të njeh me njerëz të ndryshëm, por ideali është ai që të bashkon në aktivitete. Para 20 vitesh ,atëherë kur po hapeshin shkollat shqipe në të gjithë Belgjikën ,u njoha me Memedaliun. Gjithçka manifestonte në qenien e tij ishte ndershmëri dhe sinqeritet, ishte pasion dhe talent. Gjithnjë i qeshur ,i saktë në mendime dhe i papërtueshëm, gjithçka do ta vinte në dispozicion të fëmijëve shqiptar që kishin lindur jashtë vendit të tyre. Kjo ishte motoja e këtij djaloshi të palodhur. Shkolla që u hap në Namur, menjëherë u mbush me fëmijë shqiptarësh dhe bashkë me gruan e tij Makfiren dhe Ismete Sopin e filluan mësimdhënien dhe gjithnjë në konkurset që organizoheshin për fëmijët e diasporave ishin të suksesshëm. Paralel me këtë djalë energjik dhe të suksesshëm, unë njoha dhe një trëndafil të bukur, kështu e cilësova në shkrimin tim të parë Nermin Kumanovën. Zonjën Nermin e njoha që në moshën 17 vjeçare, lindur nga dy prindër patriot por që rrethanat e kohës i kishin detyruar që të emigronin në Turqi. U kthyen në Belgjikë për një jetë më të mirë por rrënjët e tyre nga trojet shqiptare gjithnjë i tërhiqnin për të bërë vetëm vepra të mira në adresë të kombit të tyre. Nermini në një moshë shumë të re manifestoi aftësi për tu integruar në aktivitete politike në Belgjikë. E hodhi kandidaturën dhe fitoi në sajë të opinionit shumë të mirë të belgëve, shqiptarëve, turqve dhe gjithë banorëve të Namurit. Atë asgjë nuk e pengonte të bisedonte me çdo person që kishte nevojë për ndihmën dhe këshillën e saj. Ajo i shkonte në ndihmë një familje të ardhur nga lufta e Kosovës, dhe nuk shkëputej derisa ta sistemonte në këtë vend . Do ishte tek shkolla shqipe për të dhënë ndihmesën e saj, dhe meqë kishte pak vështirësi në të komunikuar shqip, ajo u lidh me Dake Mahmutajn, e cila ishte mësuese në shkollën shqipe të Namurit dhe përvetësoi shumë nga gjuha shqipe. Pastaj ajo si një vajzë e bukur dhe e zgjuar e zgjodhi dhe shokun e jetës një djalë të mrekullueshëm nga Kosova, Faton Gashin. Sa lumturi është kur e sheh këtë çift të bukur. Si prindër, si aktivistë, si punëtorë kulture dhe krejt normal si njerëz që kontribuojnë dhe në politikë në Belgjikë. Kur shkuam në shtëpinë Gashi, për ta uruar në lindjen e fëmijës së parë, vumë re që çdo gjë në shtëpinë e tyre ishte kuq e zi.Nermini edhe rruazat që përdor në kombinim të veshjes së saj i ka kuq e zi. Këta persona dhe pas 20 vjet aktivitete janë si në ditën e parë të tyre, plot ide, pasion, vullnet dhe predispozicion për të bërë gjithnjë në Belgjikë që vendi i tyre të njihet nëpërmes kulturës, librit, mendimit dhe punës së tyre shembullore. Është data 11 prill dhe jemi në një shtëpi kulture në Namur që mblodhi shumë shqiptar. Ishte nata e fundit e mbylljes së një jave me aktivitete shqiptare. Ishte kënaqësi kur futeshe në atë ambient dhe dëgjoje duke folur shqip që nga fëmijët që kishin ardhur bashkë me prindërit e tyre, por aty takoje ambasadoren e Shqipërisë, zonjën Suela Janina dhe konsullën zonjën Suzana Sulollari që kishin ardhur për të përshëndetur këtë aktivitet madhështor, këtë grup njerëzish që nuk dinë të lodhen kurrë. Në këtë mbrëmje madhështore në radhën e parë ishte një shkrimtar, aktivist, gazetar, i cili do bënte promovimin e librit të tij, z. Habib Zogaj, shoqëruar nga mësuesja Myrvete Feka, pasi që të dy gjatë luftës së Kosovës kishin dhënë kontributin e tyre duke i shoqëruar luftëtarët që luftonin për vendin e tyre me reportazhe, duke i mbështetur moralisht e duke dokumentuar gjithçka nëpërmes fotografimit dhe deklamimit gojor. Ka ikur koha kur njerëzit kërkonin të imponoheshin se janë në këtë funksion apo atë funksion nëpërmjet arrogancës së tyre.
Shumë e thjeshtë, shumë popullore dhe komunikative është zonja ambasadore, Suela Janina. Kur tregonte z. Zogaj për ngjarjet e përjetuara nga populli ynë, trupi të rrëqethej dhe sytë të mbusheshin me lot. Ishte një luftë e padrejtë, me forca të pabarabarta, por trimat shqiptar luftonin për tokën e tyre, ndaj ishin si luanë. Në këtë aktivitet ishte dhe një delegacion i ardhur nga Maqedonia, të cilët prezantuan aktivitetet e tyre dhe punën e madhe që po bëjnë në mbrojtje të ideve dhe traditave shqiptare në Maqedoni. Nuk na u duk i papritur prezantimi i vëllezërve Demiri në këtë mbrëmje kulturore. Të dukej sikur i hanin ato sharkia. Teksti i këngëve të tyre ishte kushtrim, paraqitja skenike e tyre të jepte përshtypjen e ushtimës së orteqeve që vijnë nga bjeshkët. Sa të forta janë vargjet që thonë:
S'na ndanë krajlat sa qe jeta
përmbi varre rritëm djepa
më shumë luftëra se sa bukë
shpi për shpi ka një Oso Kukë.

Nëpërmjet vargjeve tregohet të flijuarit e një shqiptari, Oso Kukës, për trojet e veta.
Ose vargjet:

Syri jonë si qiell veton
veç shpisë tonë nuk kem ku shkojmë.

Sa e fortë është kjo shprehje. Në shekuj pushtuesit e lakmuan tokën e Arbërit. Është gjë tepër me vlerë kur ka njerëz të kësaj natyre që dhe në vend të huaj, jo për bujë dhe karrierë, por me pasion dhe dashuri prezantojnë vendin e tyre si një perlë. Mund ta mbyll me një thënie të Ciceronit:
"Të mos dimë çfarë ngjarjesh kanë ndodhur para nesh, është njëlloj sikur të mbetemi gjithmonë fëmijë".
Pra, herë pas here aktivistë si Memedaliu, Nermini, Fatoni, Demirajt, shkrimtarë të mëdhenj dhe përfaqësues diplomatik duhet t'ua kujtojnë vendeve të tjera se dhe ne kemi histori, kulturë dhe jemi europianë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat