Andi Besnik Mustafaj në Sallonin e Nderit të Ministrisë së Jashtme të Francës

Diaspora

Andi Besnik Mustafaj në Sallonin e Nderit të Ministrisë së Jashtme të Francës

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 1 maj 2015 Në ora: 21:52

E veçanta e 24 prillit 2015 në Sallonin e Nderit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës do të mbahet mend gjatë. Pikërisht në këtë Sallon Nderi ministri i Jashtëm i Francës Robert Schuman, një nga baballarët themelues të Bashkimit Europian, në vitin 1950, më 9 maj, që njihet ndryshe dhe si “Dita e Europës”, e lëshoi një Deklaratë për Europën e Re - të Bashkuar të pas Luftës së Dytë Botërore.

Pikërisht në këtë Sallon Nderi, i riu 26 vjeçar nga Shqipëria, i sapo diplomuari Andi Mustafaj, e ktheu – si të thuash – në një “Ditë Shqiptare” në Francë.

I shkëlqyeri student Andi Mustafaj, në ceremoninë e diplomimit të studentëve pasuniversitar të ENA (Shkolla Kombëtare e Administratës Publike), kishte ardhë i veshur me kostum kombëtar shqiptar të krahinës së origjinës së tij – Malësisë së Gjakovës, Tropojës. Një simbolikë atdhetarie, krenarie, bukurie në genetikën, shtatin e ndërgjegjen e tij, në këtë ditë të tij, në këtë Sallon solemn e festiv.

Tradita e modernia iliro-shqiptare në Paris – kryeqëndrën e kulturës botërore. Jeleku në pamje ballore, në gjoks, ishte dyngjyrësh kuqezi si Flamuri Kombëtar Shqiptar, ndërsa në shpinë duket motivi i Shqiponjës me Dy Krena. Plisi i bardhë – si i ilirëve dardanë. Krejt salla i ktheu krye e sy prej tij. Të pranishmit e pritën me duartrokitje gëzimi, kënaqësie, admirimi, mirënjohjeje.

Në sallë ishin dhe dy prindrit e Andit, shkrimtari, poeti e diplomati i njohur Besnik Mustafaj, gazetarja e Radio Televizionit Shqiptar, Donika Mustafaj – skenariste e disa filmave dokumentar të mirëpritur. Kishin ardhë nga Tirana në këtë ditë lumturimi të tyre.

Veç duhet me shtue dhe diçka tjetër: ndoshta ma i veçanti nga të gjithë në atë Sallon Nderi ishte Gjergji, djali i Andi Mustafajt, nipi mjaltor i Besit e Donës. Edhe ky, Gjergji – i vogli me inteligjencë të madhe, ishte veshur me kostum kombëtar të vendlindjes së stërgjyshëve të tij tropojanë: Bajram Selim Mustafaj (“Lala” ynë) e Sabrie Mustafaj (“Dada” jonë – i paharruar kujtimi e nderimi ndaj saj). Pas ndarjes zyrtare të diplomave të gjithë u magnetuan tek Gjergji, që këto ditë mbrrini në dy vjeç e pesë muaj. Të gjithë, ministri...e studentë, donin nga një “foto selfie” veç apo në grup me Gjergjin e vogël me kostum kombëtar shqiptar, lind e rritë në Francë, që emri i tij na kujton legjendarin Gjergj Elez Alia të Eposit të Kreshnikëve, na kujton Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve. Gjergji Andi Mustafaj ishte “stari i Sallonit” me të cilin u banë albume me foto derisa iu tha të pranishmëve me një frengjishte të thuktë: Gjergji nuk don më foto!”. Çifti i ri Mustafaj, së parit vet Andi, nuk ka dëshirë me i ba Gjergjit të vogël një protoganizëm publik me foto. Dhe atij, Andit, iu deshën disa kërkesa, jo pak lutje, me i nxjerrë në murin e faqes së tij në facebook të paktën dy foto të tij me kostum kombëtar në këtë Ceremoni Diplomimi në Sallonin e Nderit të Ministrisë së Jashtme të Francës.

Mijëra vetë nga e gjithë bota globale konkurojnë për të ndjekë studimet pasuniversitare dhe ato me cikël të plotë në ENA, po në vjeshtë 2013 e fituan këtë të drejtë vetëm 90 prej tyre, nga të cilët 60 studentë nga Franca Metropolitane dhe e Përtej Detit dhe 30 studentë nga 22 vende të botës. Ndër ta dhe Andi Mustafaj – një ‘fenomen i heshtur” - nga Shqipëria.

Shkolla Kombëtare e Administratës Publike (ENA), e themeluar më 1945, është një nga shkollat ma prestigjioze të botës në këto shtatë dekadat e fundit. Sivjet, më 2015, ka 229 veta në stafin e saj dhe 533 studentë pasuniversitarë në të gjitha ciklet afatore të saj.Nga auditoret e saj kanë dalë personalitete të mëdha ndërkombëtare, si: presidentët e Francës Valery Giscard d’Estaing (1974-’81), Jacques Chirac (1995-2007), Fraçois Hollande (në detyrë – prej 15 majit 2012); disa presidentë të Beninit, Egjyptit, Kamerunit, etj.; kryeministra të Francës si Laurent Fabius, Michel Rocard, Edouard Balladur, Alain Juppe, Lionel Jospin, Domenique de Villepin; kryeministra të Maltës, Republika e Kongos, Monaco, Nigeria, etj., zv/kryeministra e ministra të Francës në qeveri të njëpasnjishme të saj, deri në kabinetin e sotëm të Manuel Vallsit (në detyrë prej 1 prillit 2012). Bota ka gjithato personalitete të saj që e kanë krye këtë shkollë në Strasburg të Francës.

Studentit të shkëlqyer Andi Mustafaj ia dorëzoi dipomën vet ministri francez Matthias Fekl, ministër i Tregtisë së Jashtme e Zhvillimit Ndërkombëtar, i cili e priti me duartrokitje dhe e përcolli me urime. Edhe ky ministër ka dalë nga dyert e kësaj shkolle të nivelit të lartë. Drejtore e shkollës ENA, Nathalie Loiseau, e priti fytyrqeshur, me admirim plot kulturë, studentin e saj të diplomuar, Andin dinjitar, me të ardhme progres.

Andi Mustafaj është i dyti student nga Shqipëria, që e ka krye këtë shkollë ENA (me cikël të plotë), pas Akil Krajës, që sot është në strukturat e Partisë Demokratike në Tiranë.

Ambasadori Besnik Mustafaj, ish ministër i Jashtëm i Shqipërisë (2005-2007) i ka rastisë të jetë në këtë vend të privilegjuar, në këtë Sallon Nderi të Ministrisë së Jashtme të Francës, vetëm tre herë: dy herë si ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Shqipërisë në Francë kur ishin aty Vaclav Haveli dhe Nelson Mandela dhe një herë kur ishte ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Koha ecën. Genet ngjasin. Brezi i ri po lartnohet. Tani, të katërten herë, i erdhi rradha fatlume të jetë aty i pranishëm si baba i Andi Mustafajt, një ndër djemtë emblematik të Shqipërisë të shek. XXI.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat