Krijohet rrjeti i juristëve shqiptarë në Austri

Diaspora

Krijohet rrjeti i juristëve shqiptarë në Austri

Më: 27 prill 2015 Në ora: 14:03

Ministria e Diasporës, në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, mblodhi juristët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Republikën e Austrisë, për të krijuar rrjetin e juristëve në diasporë.

Në këtë takim, ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sami Ukelli, e vlerësoi nismën si një hap të qëlluar, duke u bazuar edhe në përvojat e shteteve të tjera, ku identifikohen mekanizmat e komunikimit të ndërsjellë që do të sillte dobi për të dyja anët, si për bashkatdhetarët tanë, ashtu edhe për institucionet e Kosovës.

Po ashtu, për projektet që janë iniciuar nga Ministria e Diasporës, mbështetjen e parezervë e dha edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, i cili spikati punën e pazëvendësueshme të Ministrisë së Diasporës përgjatë viteve, për t’i koordinuar përpjekjet dhe aktivitetet e diasporës sonë, pavarësisht nga rajoni apo shteti prej të cilit vijnë - Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni.

U.d. sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës, Mentor Borovci, shpalosi para të pranishmëve projektet e MeD-së, duke vënë theksin në vendosjen e bazave themelore për organizimin sa më të mirë të diasporës dhe avancimin e të drejtave të tyre nëpërmjet këtyre mekanizmave, jo vetëm vizavi vendeve ku jetojnë dhe veprojnë, por edhe institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë zgjodhën edhe koordinatorët e rrjetit të juristëve me shumicë votash:

1. Marta Vejseli, PhD- koordinatore,
2. Behar Beqaj,
3. Ardian Bekeri,
4. Elhame Thaqi,
5. Kamber Xhaka,
6. Atdhe Kurteshi.

Rrjete të juristëve do të vazhdojnë të krijohen edhe në shtetet e tjera ku ka përqendrim të diasporës dhe mërgatës sonë.

Ky projekt është mbështetur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe nga Zyra e Kryeministrit, ndërsa implementohet nga Ministria e Diasporës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat