“Famous Famiglia Pizza”, biznesi me “principatën” amerikane

Diaspora

“Famous Famiglia Pizza”, biznesi me “principatën” amerikane

Nga: Beqir SINA - New York Më: 22 prill 2015 Në ora: 17:42

Një nga familjet më të suksesshme shqiptare në emigracion – familja e vëllezërve Kolaj nga Budislaci – Kosovë, kujton 45-vjetorin e ardhjes në Amerikë, duke postuar në rrjetin shoqëror Facebook një fotografi të rrallë nga ato fotografi që thuhet se flasin më «shumë se njëmijë fjalë», me urimin «Zoti e bekoftë Amerikën!» dhe «Zoti i bekoftë nënat!».

Njëri prej vëllezërve Kolaj, shou-biznesmeni Giorgio Kolaj, i njohur në komunitet si aktivist dhe veprimtar i dalluar, e ka postuar fotografinë, duke shkruar poshtë saj: “Kjo foto e veçantë është marrë pikërisht 45 vjet më parë, si sot, në kampin e emigrantëve në Frosinone, Itali. Ajo është marrë në momentet e para të familjes time, kur ne u drejtuam për në aeroport, dhe mbërritëm në Amerikë”.

Ai kujton se 7 muaj para kësaj fotografie, babai i tij kishte ndërruar jetë, dhe qe varrosur në këtë fshat italian, pra në Frosinone, duke e lënë pas vetes nënën e tij të vejë me katër djem dhe një vajzë. Gjithashtu, në kujtesën e tij duket se ka mbetur dhe shtëpia, pikërisht aty ku ai ka lindur në katin e lartë të shtëpisë, që duket prapa krahëve të tyre në sfondin e fotografisë.

Mirëpo, ajo që e ka kthyer në mendjen e tij, nostalgjinë, e njërit prej katër vëllezërve, Giorgios, duket se është kjo foto e veçantë për tërë familjen Kolaj. Për shumë arsye, tregon Giorgio, por mbi të gjitha, sepse është moment kur ne e «gjetëm Amerikën», vendin e ëndrrave të miliona emigrantëve nga kryq e tërthor botës. «Kur ne Kolajt, shkruan ai, e kemi filluar udhëtimin tonë për këtë vend të madh», ngaqë «unë nuk mund ta imagjinoj se çfarë po ndodhte thellë në zemër dhe në mendjen e nënës sime në kohën e kësaj fotografie».

Ky imazh, sipas tij, e tregon atë madhështinë e asaj që ne e quajmë «American Dream». «Ku një jetë tjetër do ta presë njeriun, ashtu siç e priti Nanën time, një grua e huaj, e veje dhe e paarsimuar, me pesë fëmijët e saj, të jetë e mirëpritur me krahë hapur në këtë vend të madh, që u bë shtëpia e dytë e të gjithë shqiptarëve».

Familja Kolaj, nga Kosova, me biznese në tri kontinente

Andaj, shkruan Giorgio Kolaj me këtë rast, dua të shpreh atë se ne të gjithë «i jemi përgjithmonë borxh në këtij vend të madh. Një borxh ky që, për mendimin tim, nuk mund të shlyhet, sa të jetë jeta».

Giorgio, duke e postuar këtë fotografi, nuk e fsheh dot faktin se ai gjithmonë është i habitur nga nostalgjia dhe madhështia me të cilën personazhet e kanë ilustruar pamjen e saj, me përzierjen e të gjitha elementeve karakteristike të njerëzimit.

Fotografia e 45 vjetëve më parë shfaqet «nëpërmjet dobësisë, forcës, nëpërmjet dëshpërimit, respektit, nëpërmjet përulësisë, nderit e krenarisë që ne i jemi përgjithmonë mirënjohës Nënës sime që na solli në këtë vend – mua, motrën dhe vëllezërit e mi, duke na e dhënë privilegjin që të bëhemi amerikanë. Vetëm me anë të hirit të Perëndisë. Zoti e bekoftë Amerikën. Dhe, Zoti i bekoftë nënat!». shkruan Giorgio Kolaj.

Në njërin prej kanaleve televizive më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, FoxNews, në zonën e Nju-Jorkut, e përreth tij, në programin «FoxBusiness», kanali V, në Mahattan, të ftuar në studion e tij kanë qenë kohë më parë tre nga katër vëllezërit Kolaj – Paulini, Gjoni dhe Gjergji, për të rrëfyer «si arritën të bëhen kaq të suksesshëm në Amerikë. Vëllezërit Kolaj – nga Kosova duket «se e kanë gjetur Amerikën».

Ndonjëherë, edhe anembanë botës flitet për suksesin e tyre

Biznesi i tyre me pica, të firmës «Famous Famiglia Pizza», 7 vjet më parë (2008) arriti deri në zonën tregtare të Hong-Kong International Airport. Ndërsa, para lojërave olimpike «Pekini 2008», biznesi i tyre e «pushtoi» edhe zonën tregtare në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit. Dy bizneset më të fundit të tyre janë hapur muajin e fundit në aeroportin ndërkombëtar të Torntos – Kanada dhe në aeroportin Ndërkombëtar të qytetit Meksikos – Meksikë, duke i bërë biznesmenët shqiptarë, vëllezërit Kolaj, me afro 100 lokale «Faoums Famiglia Pizza» nëpër botë, biznese zyrtare këto që gjenden në hartën e tri kontinenteve – SHBA (në 25 shtete), në Evropë dhe Azi.

Industria e këtij lloj biznesi, të quajtur Franchising – «disa restorante të njëjtës firmë», është nga më popullorët dhe model biznesi në SHBA. «Famous Famiglia Pizza», që njihet si biznesi zyrtar i vëllezërve Kolaj, nga Kosova, është fitues i dhjetëra medaljeve dhe titujve nga më prestigjiozët në Amerikë për restorantet. Biznesi i tyre është sponsori i disa filmave të njohur amerikanë, i fushatave elektorale dhe fushatave humanitare.

Biznesmenët e suksesshëm nga Kosova, janë bijtë e një emigranti patriot dhe i ikur nga sundimi sllavo-komunist. Ata tërë jetën e vet ia kanë dedikuar familjes së tyre, në radhë të parë, dhe shqiptarëve. Ata me aftësitë e tyre, ia arritën në SHBA, në vendin e mundësive të mëdha, ta krijojnë «principatën» e tyre të biznesit – me 80 lokale «Famous Famiglia Pizza». Duke ia ndezur «dritën jeshile» prosperitetit personal e familjar, dhe në fund të kontribuojnë aq shumë duke bërë diçka, atë çfarë edhe mund të bënin ata si biznesmenë për Kosovën e për çështjen shqiptare. Vëllezërit Kolaj kanë hyrë në rrugën e suksesit e tyre, e këtë e kanë arritur dhe vazhdojnë ta realizojnë në tokën e lirisë dhe kampionen e demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vëllezërit Kolaj kryejnë vepra bamirësie dhe janë amerikanë të vërtetë

Gjithashtu duhet cekur se «Famous Famiglia Pizza» ka dhënë një kontribut të veçantë nëpërmjet vëllezërve Kolaj në çështjen e Kosovës, këtu në SHBA. Ata e kanë përkrahur e mbështetur me mjete financiare çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe shumë veprimtari e aktivitete të tjera të komunitetit shqiptar. Vëllezërit Kolaj i kanë thënë medies shqiptare se duan që suksesi i tyre të jetë afatgjatë, dhe se filozofia e tyre nuk është vetëm të rrisin bizneset, por edhe t}i ndihmojnë të tjerët dhe t’i japin komunitetit shqiptar. Në fakt, ata e kanë bërë traditë tashmë që të ndajnë një pjesë të të ardhurave të tyre, shoqatave bamirëse dhe të ndihmojnë në raste fatkeqësish të mëdha.

Nuk janë shumë të bujshëm dhe thonë se gjëja më e mirë që mund të bëjnë për komunitetin shqiptar është që ta kenë një emër të mirë, duke përhapur kështu një emër të mirë edhe për shqiptarët e tjerë, e t}u tregojnë atyre se si mund të bësh biznes.

Familja Kolaj nga Kosova – Familja Piza në SHBA, pasi bëri disa vjet jetë emigrantësh në Frosinone – Itali, mamaja e tyre Roza dhe pesë fëmijët mbërritën në vendin e ëndrrave, ndoshta duke menduar ta realizojnë njërën prej ëndrrave të tyre, biznesin e suksesshëm në Amerikë. «Këtë biznes e kemi filluar më 1986, që prej 19 vjetësh të shkuara, thotë njeri prej tyre, Georgio, si thirret këtu. Jemi katër vëllezër, thotë ai, dhe së bashku kemi pasur sukses të mirë. Kemi pasur mundësi ta rritim biznesin me punëtorë dhe partnerë të mirë. Sot kemi më shumë se 60 lokale, vetëm në 20 shtete të Amerikës. Nëpër botë, lokalet më të fundit janë hapur në Evropë dhe Azi (Hong-Kong, Kinë, Meksiko dhe Kanada, së fundi)».

Duan ta zgjerojnë edhe më biznesin

Duke folur për gazetarët amerikanë Paulin Kolaj, që njihet edhe si president i kompanisë, thotë se, «jemi të kënaqur dhe shpresojmë të hapim edhe më shumë lokale në Amerikë, e nëpër botë». Ai tregon se kur mendon sesi e kanë filluar aktivitetin, është mirënjohës që kanë arritur kaq shumë: «Ky vend (SHBA) të jep shanse të vërteta për çdo lloj race dhe kombësie. Amerika është vend emigrantësh. Jam i kënaqur se babai ynë ka pasur dëshirë të na sjellë në këtë vend për shans të vërtetë. Babai ynë na ka vdekur kur ishim të vegjël, ishte i ri», ka rrëfyer Paulini, «dhe nuk ka pasur mundësi të vijë këtu, por shyqyr Zotit ne patëm mundësi të bëjmë diçka me jetën tonë dhe për ta respektuar emrin e babait tonë, për ta nderuar nënën tonë, sepse është grua e mirë dhe kjo është një nxitje e madhe».

Vëllezërit Kolaj, Ndoi, Paulini, Gjoni dhe Gjergji, dhe motra e tyre, Zoja, kanë lindur në Budisalc të Kosovës, por ëndrra e të atit, Pashk Kolaj, ishte që të vinin në Amerikë.

Kjo, pra, është historia e suksesit të Paulinit, Gjonit dhe Gjergjit, të njohur si «Vëllezërit Kolaj», që donin ta çonin në vend ëndrrën e babait të tyre. Ata janë katër vëllezër, por tre prej tyre janë më së shumti edhe mysafirët e televizioneve amerikane programeve të biznesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat