Fati dhe frika e mërgimtarit nga një asimilim i mundshëm në heshtje...

Diaspora

Fati dhe frika e mërgimtarit nga një asimilim i mundshëm në heshtje...

Nga: Shkruan: Mustafë Krasniqi Më: 19 prill 2015 Në ora: 17:18

Kur flasim për mërgatën, krijimtarinë dhe krijuesit e saj, nuk mund të mos flasësh për jetën dhe të kaluarën e veprimtarisë së tyre. Përpjekjet, jeta dhe veprimtaria krijuese e atdhetare ishte e kahershme ku zënë fillet që nga rilindësit kombëtarë e tutje, nga Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Skiroi, Çajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni etj., etj. Mbase këto përpjekje ishin përpjekje të sinqerta dhe të pareshtura për ta përçuar tutje angazhimin e tyre për ruajtjen dhe kultivimin e kulturës, gjuhën shqipe, gjuhën e Naimit, në një shtet të vetëm të Shqipërisë Etnike. Sidomos përpjekjet e tyre arritën ta vetëdijesojë popullin për ruajtjen e identitetit të tyre (nga ata që bënin përpjekje ta zhbënin nga faqja e dheut kulturën, kombin shqiptare) me qëndrimin se pa liri, gjuhë dhe flamur nuk do të ketë ardhmëri, shtet as komb.
Megjithatë, rilindësit kishin arritur ta vënin interesin kombëtar përpara të gjitha interesave tjera përmes Shoqërive atdhetare, si ajo e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881), e Pejës (1899-1900), lufta e Don Gjon Lulit (1909,1910), po në këtë vit edhe vrasjen e Kanxhallozit rus në Vushtrri, si dhe një varg veprime tjera atdhetare që bëheshin në tokat Shqiptare, krijimi i qeverisë së parë shqiptare në krye me Ismail Qemalin, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe përpjekjet për t’i rikthyer trojet e copëtuara në një Shqipëri, Shqipërinë Etnike.

Politika shqiptare e ka humbur drejtimin

Që nga rilindësit e tutje, kjo mërgatë ka prodhuar një vetëdijesim, dije dhe angazhim të mirëfilltë për kulturën dhe gjuhën shqipe, duke mos lënë anash as atdheun dhe atëherë kur për të përpos propagandës, njohjes me vendet demokratike e ka lënë shpërblim edhe jetën kur ka qenë e nevojshme për atdheun.
Veprimtaria e mërgatës ka qenë e pandalshme dhe kontribuues në të gjitha kohët, sidomos edhe në kohën e fundit, në luftën e UÇK-së, e cila përpos dijes dhe djersës ishte e pranishme edhe në arenën e luftës ku përballej fytas me armikun shekullor, Serbinë, si dhe ishte e vetmja rrugë e financimit për UÇK-në që edhe kishte marrë për obligim çlirimin e vendit. Në këtë shkrim qëllimisht, në pika të shkurtra, prekëm ecurinë historike që nga rilindësit e tutje, për të zbërthyer dufin e saj në kohën e sotme ku politika e dy shteteve shqiptare, ajo e Tiranës dhe Prishtinës, sikur ka rrëshqitur në ujëra të pista dhe ka humbur drejtimin, apo rrugën për të cilin ishin flijuar shumë atdhetarë, rilindës të devotshëm të kombit shqiptar.
Sikur me dashje viteve të fundit po shkelej vullneti i kombit, po keqmenaxhohet me kulturën dhe gjuhën shqipe, sikur kjo ka rënë në ndikimin e fjalëve të gjuhëve të huaja dhe po trajtohej si më keq pa pasur një përfillje ligjore për ta ruajtur gjuhën si tërësi gjuhësore me të gjitha vlerat e saj që i ka.
Mërgata është e interesuar dhe duhet ta ngrejë zërin kundër kësaj dukurie të shëmtuar dhe të bënë thirrje të ndërgjegjshme tek autoritetet përgjegjëse shqiptare që pa humbur kohë të merrej me çështje e ruajtjes së vlerës së kulturës dhe pastërtisë së gjuhës nga elementet dhe fjalët e huaja që ditë e më tepër po zënë vend në fjalorin e ca shkruesve dhe krijuesve nëpër media të ndryshme të shkruara dhe ato elektronike. Mbase edhe për fat të keq të bazuar në Indeksin Korrupsioni del se Kosova dhe Shqipëria janë në nivelin më të lartë të korrupsionit. Kjo jo vetëm që është zhgënjyese, por edhe shqetësuese për popullatën mbarëshqiptare, sidomos edhe injoruese për vetë kombin se si “bijtë” e saj për hir të karrierizmit, apo asaj jonjerëzores e kanë vënë në këtë pozitë kombin sa edhe mërgata po ndihej e prekur dhe e zhgënjyer.

Nga atdheu nuk u dëgjua thirrja e kthimit

Sikur e keqja ndjelljet nga të këqijtë , dhe ethet i kanë çdo njeri që e do dhe që i thotë vetës shqiptar. Këto ethe sikur e kanë trazuar çdo krijues apo qytetar të ndershëm të shtetit shqiptar, Shqipërisë Etnike, mbase edhe të përcjellë në mërgatë, tek njerëzit që presin lindjen e diellit sy hapur me lot faqeve, të dëgjojnë atë që kurrë nuk po e dëgjojnë nga atdheu (politika e saj), thirrjen për kthim; Kthehuni o mërgimtar, bij, kontribuues të këtij atdheu!
Këtë lakmi kthimi më së miri e shohim tek krijimtaria e krijuesve të mërgatës që nga rilindësit e deri në ditët e sotme me vargje mallëngjyese i përkushtojnë atdheut, nënës që shumë herë dhe nuk e gjejnë të gjallë në pritjen tek dera për ta ledhatuar, apo babën për ta ftuar në një duel loje, bisede, apo marrja e këngës së gëzimit, që ta martojë birin, nipin apo mbesën me daullet e gëzimit, në hapësirën e logut të burrave nëpër kullat e qëndresës heroike, por si jetimë dhe pa përkujdesje i kanë lënë mërgimtarët. E tërë kjo ka një kosto të lartë e të dhimbshme, që po e paguan dhe do ta paguaj ende atdheu, populli, pa fajin e vet.

Lind pyetja se si mund të rrish i qetë kur nëpër media elektronike dhe ato të së shkruarit, po ashtu edhe ato botërore shkruhej dhe thuhej se shtetet shqiptare, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës, janë ndërmjet atyre shteteve me të korruptuara, kurse në Ballkan e zënë vendin e parë?
Ky shqetësim është edhe më tepër se shqetësim, në njërën anë pushtetit ia kanë zënë frymën karrieristët dhe të paaftit, kurse tjetrën anë e kanë varfëruar dhe i kanë lënë hapësirë varfërisë, poshtërsisë, vrasjes, hakmarrjes dhe kundërvlerës, me këtë po e degradojnë ardhmërinë e Shqipërisë Etnike, ku përpos këtij degradimi përcjellin edhe lojëra të pista me fatin e kombit, gjithçka ka rënë nënë hijet e frikës në ethet e politikës, se çka më tutje? Për këtë a duhet të heshtë mërgata, atdheu dhe krijuesit e saj, apo të bëjnë sehir dhe të shtihen se nuk po shohin dhe nuk po ndodhë gjë me atdheun e tyre?
Vërtet etika e krijuesit dhe aq më tepër e krijuesit të mërgatës e ka për borxh ta thotë fjalën dhe do e mos ta ngrehë zërin e arsyes, sepse atdheu është edhe i mërgimtarëve, të cilët pa fajin e tyre e kanë marrë këtë epitet, mbase edhe i takon të jetë pjesë e kritikës siç i takon të jetë edhe pjesë e ndërtimit të shtetit dhe të kulturës së saj.

Shteti të kujdeset për mërgimtarët

Për këtë shteti shqiptar e ka për obligim që të kujdesej edhe për këtë shtresë, mërgatën, që fare e ka harruar dhe lënë anash pa asnjë përgjegjësi morale e atë ligjore (sa për hi syve kemi nga Kosovë një ministri për mërgatën). Atëherë me të drejtë konstatoj se politika e Shqipërisë Etnike, siç thotë populli: “ka shkelur në dërrasë të kalbur”, që përpos karrierës dhe mashtrimit asgjë të mirë nuk po i sjell kombit në këto vite me përgjegjësi të mëdha ku edhe janë vite që përcaktohet fati i tyre mbase edhe vite që duhet kërkuar me ngulëm bashkimin dhe rikthimin e trojeve të copëtuara në Shqipërinë Etnike.
Krijuesit e atdheut dhe të mërgatës të mbështeten në rrugën e rilindësve dhe nëpërmjet një thirrje t’u drejtohet politikanëve shqiptarë të të gjitha trevave që të heqin dorë nga marrëzirat dhe të vënë në rend të ditës vullnetin e popullit për bashkim dhe ngritjen e vetëdijes për një kulturë dhe gjuhë të pastër, për fjalën e shqipes së bukur dhe ngritjen e besimit se jemi dhe i takojmë një populli të lashtë pellazgo-ilir, një kulture që ia kishin lakmi të gjitha kulturat e asaj kohe, me këtë të kërkojmë nga politika ditore të heq dorë nga e keqja dhe t’ia sjellë të mirën këtij kombi, se edhe e meriton.
Patjetër se Shqipëria Etnike duhet të kujdesej për trojet dhe bijtë e saj ku i ka, me qëllim që të mos fyhen nga serbofilët (gregofilët dhe maqedonofilët) anti-shqiptarë, si ai i Gruevskit që ngriti në tokat ilire, mu në qendër të Shkupit përmendoren e Car Dushanit, e që vite më parë e provokoi popullatën shqiptare edhe me "Enciklopedinë sllavo-maqedonase...". Po ashtu, në anën tjetër me shqiptarët e Kosovës lindore që po privohen edhe me atë më elementaret për jetë. Dhe, së fundi, po degradohem nga vetë politikanët dhe politikëbërësit tanë, që vetë ne ua kemi besuar dhe dhënë votën për ta çuar tutje vullnetin e popullit dhe jo për të na poshtëruar si komb, me qëllim apo pa të, apo në saje të paaftësisë së tyre, e tëra kjo po ndodh në dëm të Kombit.
Të ndërgjegjësohemi si komb dhe së bashku ta themi fjalën e Kombit, qoftë politikanë e politikëbërës, qoftë qytetar i thjeshtë e akademik, që për fat të keq akademia e dy shteteve shqiptare do të “vdesë” nga gjumi i thellë, përgjumja.

Fati i mërgimtarit si dhe frika për një asimilim i mundshëm në heshtje

Edhe pas 16 viteve të çlirimit të pjesshëm, e shtatë viteve të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës mërgata ende e lënë pasdorësh, zëri i saj i ngritur kurdoherë në arsye, qoftë në kulturë, ekonomi dhe në bërjen e shtetit të lirë, sikur pas luftës ju vodh liria nga pushtetarët, kur ishte koha që mërgata tërë kapitalin e vet ta sjellte në Kosovë, barrierat ishin nga më të tmerrshme nga ata që e kishin kapur situatën në dorë dhe loznin me fatin e popullit për interesa të ngushta të grupit, apo të diçkajes më shumë se kjo, që nuk kishte emër tjetër veçse korrupsion.
Kur dihej se mërgata ishte gjeneratori kryesor i Kosovës, për këtë edhe kryetarja e Kosovës në një takim me mërgimtarët thotë: “rreth 140 mijë kosovarë të punësuar në Zvicër gjenerojnë brenda vitit më shumë se sa gjeneron e gjithë ekonomia e Kosovës” apo “Në ditët më të vështira të historisë sonë të re, ju keni qenë shtyllë e fortë e proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë. Me kursimet tuaja, me punën tuaj të palodhshme, me sakrificën e jashtëzakonshme individuale e familjare, keni mbajtur gjallë shpresën për një të ardhme më të mirë, keni financuar shkollat e spitalet”, “ Në momentet më të vështira për vendin, kur na kanosej gjenocidi dhe zhbërja totale, ju jo vetëm që financuat luftën tonë çlirimtare, por nuk hezituat t’i bashkëngjiteni Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftoni për lirinë që gëzojmë sot”.
Pas këtyre fjalëve nxitëse të presidentes e cila sikur kërkonte lëmosh nga biznesmenët mërgimtar, që kapitalin e tyre ta sjellin në Kosovë. Presidentja në fakt kishte harruar t’ju kërkoi falje biznesmenëve shqiptar të mërgatës, se dikur në vend të biznesmenit shqiptar, sollën atë bullgar, grek, turk apo dikë tjetër në vend të tyre dhe aq më keq e injoruan, e frikësuan biznesin shqiptar- mërgimtarit që të mos jetë i pranishëm në atdhe-Kosovë me biznesit e tij, nga që dikush nuk e dëshironte. Ky interes gjigant i përfitimit nga mërgata e zgjoi nga gjumi presidenten, me që sikur u pa se vetëm kapitali nga mërgata po na u nevojitka, kurse koka gjeniale e tij, aftësia profesionale, deri te doktor shkencë, jo. Ndërsa në anën tjetër fati i mërgimtarit po përballej me asimilimin, pa shkollë në gjuhën shqipe, edhe pse diku-diku me të zitë e ullirit arrijnë të hapin klasat me mësim plotësues, kjo krejt fal interesit të disa njerëzve që ndiejnë për gjuhën e ëmbël të Naimit. Për habi kjo dukuri, as nga Ministria e Arsimit nuk trajtohet ashtu siç e meriton, ndërsa Ministria e Diasporës deri më tani sikur e ka përmendur kalimthi, pa ju qasur seriozisht kësaj dukurie që është në përmasa të mëdha shqetësuese, ku diku mbi 90% e fëmijëve shqiptar të mërgatës nuk e njohin shkrim leximin, po nderta kemi diku mbi 50% që nuk dinë të flasin shqip mirë, ndërsa ajo më shqetësuesja është se diku mbi 30% nuk dinë të flasin fare shqip, i referohemi një konsultimi me bashkatdhetarët dhe shqetësimit të tyre.
Për këtë a duhet të na vret ndërgjegjja, në tërësi si popull, apo të heshtim pranë kësaj situate tejet shqetësuese? Koha po ik, dita- ditës mërgimtari po ndihet i harruar nga atdheu, gjuha shqipe po bëhej e harruar për fëmijët mërgimtar, krejt në fund po shuhet shpresa për një riatdhesim, e po shtohet frika për një asimilim i mundshëm në heshtje.
Nëse presidentja, qeveria e duan mërgimtarin, të paktën t’ua afrojnë shpresën, mundësin edhe përtej mundësisë të angazhohen që mërgimtari të mos jetë në rrugën e pashpresë, e i heshtur të shuhej zëri i ëmbël i tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat