Njihuni me shqiptarin, mbret i shitjes së fshesave me korrent në Itali

Diaspora

Njihuni me shqiptarin, mbret i shitjes së fshesave me korrent në Itali

Më: 15 prill 2015 Në ora: 14:42

Tomorr Kajtazi nga Tropoja është shitësi më i mirë i fshesave të korrentit në Itali. Vitin e fundit, ai ia doli të shiste 1331 fshesa korrenti, në një fushatë derë-më-derë, një punë në dukje e vështirë, por tepër e përshtatshme për të. 32-vjeçari jeton në Mexolobardo dhe “zona” e tij e mbulimit është gjithë provinca e Trentos. Në kohë krize, ai ka arritur të bindë mesatarisht katër persona në ditë, që ata të blenin një fshesë korrenti të firmës “Elf”, një rekord i jashtëzakonshëm.

Gazeta “Trentino” shkruan se Kajtazi mbërriti në Itali 15 vjet më parë. Tropojani ishte vetëm 15 vjeç, kur mbërriti në Itali me gomone, madje pagesën e “biletës” e kishte bërë me para borxh. Ndërsa sot, 32-vjeçari ka marrë kupën e kompanisë “Vorwerk Folletto” për shitjet ambulante të produkteve të kompanisë. Kajtazi, në vitin 2014 shiti 1331 aparate të kompanisë, duke dalë i pari ndër 4000 shitës ambulantë të produkteve “Folletto”.

Mediet italiane e përshkruajnë me superlativa punën e mirë të Tomorrit, banor i qytezës së Mexo Lombardos në Provincën e Trentos. Kajtazi është shembulli tipik i shqiptarit, që duke u integruar më së miri në shoqërinë italiane, ka arritur të realizojë ëndrrën e vet.

Vetë ai thotë se fshesat ua shet grave dhe arrin të shesë një fshesë në çdo tre demonstrime. Sekreti është që ai të zbulojë pluhur në një shtëpi, të cilën zonja e shtëpisë betohet se e ka pastruar. Turpi nga një shtëpi e pisët është poshtërues dhe shitësit e “Vorwerk Folletto” janë të trajnuar për ta nxjerrë në pah turpin te gruaja e shtëpisë. Sigurisht, që duhet të kontaktosh shumë njerëz, derisa të arrish t’u trokasësh në derë!

Kajtazi u largua nga puna e tij si marangoz në një firmë në Trento. “Kjo është një punë që vlerëson aftësitë personale dhe dëshirën për të punuar”, thotë i riu. Ai është martuar me Kadrien, edhe ajo shqiptare dhe ka tre fëmijë. Thotë se me punën që bën ia del ta mbajë më së miri familjen. “Ky është sekreti i suksesit” përfundon ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat